Zyrtare/ Zinedine Zidane kthehet te Reali

554
Sigal

Tashmë është zyrtare. Zinedine Zidane ka vendosur të kthehet te Reali i Madridit, klub të cilin e la verën e kaluar, pasi arriti të triumfojë 3 sezone radhazi në Ligën e Kampionëve.

Skuadra madrilene po kalon një moment tejet të vështirë, pasi javën e kaluar pësoi 3 humbje radhazi në “Santiago Bernabeu”, që e nxorën nga pretendimet për të fituar në të tre kompeticionet ku merrte pjesë.

Pikërisht për këtë arsye, presidenti Florentino Perez vendosi të shkarkojë edhe trajnerin e dytë sezonal, Santiago Solarin, ndërsa përdori të gjithë armët e mundshme, për të bindur francezin të rikthehej në stolin e Realit.

Klubi madrilen ka njoftuar se në orën 20:00, tekniku Zinedine Zidane do të dalë në një konferencë për shtyp në krah të presidentin Florentino Perez, për të njoftuar edhe arritjen e marrëveshjes për rikthimin te klubi kryeqytetas.

Pritet me mjaft interes të mësohen detajet e marrëveshjes së re mes Zinedine Zidane dhe Florentino Perez, ashtu si edhe premtimet e merkatos, që bosi madrilen mund t’i ketë dhënë trajnerin francez.

Vlen të theksohet se këtë sezon Reali është eliminuar nga Champions League dhe Kupa e Mbretit, ndërsa është jashtë luftës për titullin kampion të Spanjës dhe objektivi i vetëm i Zidane është renditja në katërshen e parë dhe përgatitja për sezonin e ri.