Edhe premtimi qeveritar se brenda vitit 2025 nuk do të ketë pensione nën 15.000 lekë, duke kujtuar se çmimet në Shqipëri janë 200- 250% më të lartë se në vitin 2013 e rreth 25- 75% më të lartë se në Greqi, Poloni, Gjermani…, nuk do të ndikojë për uljen e varfërisë në ushtrinë e popullsisë me të ardhura mujore nën e rreth minimale! Prandaj, ky objektiv u bë publik gjatë debatit për buxhetin e vitit 2025 më shumë për konsum propagandistik dhe elektoral si një mashtrim i rradhës
Në punimet e dt.3 dhjetor 2024 të Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të debatit për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025, deputetët demokratë Sali Berisha, Dhurata Çupi, Flamur Noka dhe Saimir Korreshi, propozuan një amendament në buxhetin e shtetit për vendosjen e minimumit jetik, me rreth 200 euro. Duke justifikuar dhe konkretizuar këtë amendament, deputeti Flamur Noka, “u kujtoi” deputetëve socialisto-rilindas se “sipas Bankës Botërore, kufiri minimal i varfërisë është 6.7 dollarë, ndërsa Shqipëria e sotme e ka 0.6 dollarë…”, në nivel mujor de facto nën 20.000 lekë. Referuar një njoftimi zyrtar nga Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, janë edhe 511.113 pensionistë me pensione mujore nga 8.500-20.000 lekë, përderisa do të marrin bonusin për festat e fundvitit në 15.000 lekë! Personalisht, mendoj se grupi parlamentar socialist, mund t’ua digjte këtë kartë deputetëve demokratë jo vetëm me kundërshtimin si të kapërcyer shifrën 200 euro, por edhe duke e rritur ndjeshëm, të paktën me 50 euro! Natyrisht, nëse do të kishin dëshirën e sinqertë për këtë rritje, ndërsa mundësitë janë edhe për më shumë, nëse ulen ndjeshëm korrupsioni si dhe shpenzimet për komoditet zyrash, për veprimtari ngushtësisht partiake, propagandistike, elektorale! Kjo do të digjte mundësinë e demokratëve të Berishës për të përfituar kapital politik, propogandistik e paraelektoral e “loja në parlament” do të kthehej në favorin e grupit “rilindas”! Edhe premtimi qeveritar se brenda vitit 2025 nuk do të ketë pensione nën 15.000 lekë, duke kujtuar se çmimet në Shqipëri janë 200- 250% më të lartë se në vitin 2013 e rreth 25- 75% më të lartë se në Greqi, Poloni, Gjermani…, nuk do të ndikojë për uljen e varfërisë në ushtrinë e popullsisë me të ardhura mujore nën e rreth minimale! Prandaj, ky objektiv u bë publik gjatë debatit për buxhetin e vitit 2025 më shumë për konsum propagandistik dhe elektoral e si një mashtrim i rradhës! Apo, një shifër sa për t’iu kundërvënë amendamenteve të opozitës! Ose, sa me mashtrue e drogue politikisht sa më shumë syleshë e naivë, që kanë 80 vjet që hanë me lugë të florinjta e që lumturohen kur i gënjejnë sy më sy, si fëmijë a të verbër…!? Dy amendamentet e tjera të prezantuara nga deputetja e Partisë Demokratike Zheni Gjergji ishin për shtimin e numrit të barnave të rimubursueshme dhe rritjen e Fondit të Onkologjikut! Ky është një nga spitalet i përfolur në masa qytetare e në media, me arsye e fakte të shumta, për mungesa të shumta e të zgjatura në barna dhe shërbime jetike, që u zgjasin jetën dhe u largojnë vdekjen pacientëve, që e keqja i çon në salla operacioni e dhoma të tij! Duke e konkretizuar propozimin e saj, deputetja Gjergji, kërkoi që në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” të vendoset pajisja e petskanerit, që është një emergjencë, sipas saj. Të tre amendamentet u hodhën për votim dhe u rrëzuan në Kuvend, me votat kundër nga mazhoranca, ashtu si edhe të gjithë amendamentet e tjerë, edhe ato nga PD Basha e të tjerë. Ky qëndrim bllokues i grupit parlamentar rilindas, motivuar vetëm nga fakti se këto amendamente ishin nga ana e partive të opozitës, është i papërgjegjshëm, i pajustifikueshëm dhe i pafalshëm, drejtpërdrejtë në dëm të interesave jetike të shumicës së popullit e të rritjes, qoftë edhe me hapa breshke ose “Rama- qeverie”, të të ardhurave e të nivelit të jetesës se tyre! Njëkohësisht, hedhja poshtë e këtyre rreth 50 amendamenteve nga grupi parlamentar socialisto- rilindas përmban një dozë të fortë ligësie tipike, apo gjenetike të partisë së tyre 83 vjeçare, me 3 emra, por me një shpirt të pandjeshëm. apo të akullt…!? Shprehur, më popullorçe, kjo mund të formulohet edhe në variantin: për inat të partive opozitare, sa të kemi shumicën e kartonave dhe pushtetin, nuk ka konsensus apo dakordësim me opozitën për këto çështje, le të digjen edhe shumica e ushtrisë së varfanjakëve në mbarë vendin!? Edhe më troç: ju të opozitës lodhni trutë me amendamente për popull, ne do të bëjmë vendime e buxhet, më së shumti, për vete, ortakët, oligarkët, “investitorët strategjikë”…!? Kjo “përkthehet” në shqip edhe arrogancë, prepotencë, autokraci, mungesë e plotë dëshire e vullneti për zbutjen e klimës politike në parlament dhe mbarë vendin, për të respektuar opozitën për çështje, që janë qartësisht shumë më tepër në interesin e shumicës së popullit se sa të asaj politikisht! Edhe më keq: në debatin parlamentar për buxhetin 2025 shqiptarët dhe miqtë e vërtetë ndërkombëtarë e jo vetëm këta, patën rastin të binden edhe më shumë për forcimin apo instalimin e plotë të diktaturës nga Edi Rama me shoqe e shokë edhe në parlament, nëpërmjet shumicës së kartonave, për të vazhduar si gjatë 11 viteve, me përmbytjen e Shqipërisë me korrupsion, kanabizim, kulla- lavatriçe gjigande pastrim milionash të pistë, me emigracion të pandalshëm, drejt mpakjes dhe mplakjes sa më të madhe…si dhe të miliardizimit dhe plotpushtetizimit edhe politik të tufës së oligarkëve shqiptarë e të huaj që “kullosin” në “livadhet” dhe parcelat e Rama- qeverisë!? Prandaj, ai debat përforcoi bindjen tek shumica e shqiptarëve se pjesa më e madhe e “lumit” me rreth 8.25 miliardë dollarë si buxhet shtetëror për vitin 2025 do të derdhet në “kënetën” e oligarkëve e jo për rritjen e pagave, pensioneve, mirëqenies e të përkujdesjes shëndetësore, sociale, arsimore, kulturore… të shumicës së popullit!
Domethënë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke votuar me 75 vota pro buxhetin e shtetit për vitin 2025 e duke rrëzuar, apo kundërshtuar njëzëri, apo sup më sup amendamentet e opozitës, rikonfirmoi edhe më 3 dhjetor 2024, për të panumërtën herë, se prej 33 vitesh kjo parti ka vetëm në emër pjesëzën “social…”, sepse me vendime e veprime shpreh SHQIP se “nuk e njeh” dhe nuk e zbaton POLITIKËN SOCIALE as në standardet, apo nivelet minimale të shumicës së vendeve të BE-së, të Britanisë së Madhe, të SHBA-së, Kanadasë, Zelandës së Re, Singaporit, Australisë, Japonisë, Koresë së Jugut. Nuk kërkon vramendje të kuptohet se qëllimi, apo mesazhi i kundërshtimit me një mendje, zë e kartona i këtyre amendamenteve nga grupi parlamentar i Edi Ramës, afërsisht mund të formulohet kështu: ta mbajmë këtë popull sa më shumë e më gjatë në varfëri e me mendt dhe sytë nga Gjermania e Anglia, se kështu mbetet përjetësisht e jona Shqipëria! Edhe pas këtij akti flagrant e revoltues dhe mesazhi, fare SHQIP, paradoksalisht apo çmendurisht, populli “i majtë”, në shumicë mendjeshplarë nga Enveri, si gjatë 80 viteve, do të votojë symbyllur edhe në maj 2025 për të mos shpëtuar nga ferri!!!??? Në këto kushte, shumë ndërkombëtarë dhe shqiptaro-ndërkombëtarë në vendet e Perëndimit me POLITIKË SOCIALE FUNKSIONALE kanë të drejtë e plot arsye të formulojnë dhe shprehin edhe me zë pyetjen: cilët mendojnë e ndjejnë keqardhje më shumë për veten e si njerëz…? Këta shqiptarë, të cilëve “e majta” e tyre e zemrës prej 80 vjetësh, u ka nxi jetë e Shqipëri apo “tufat me kuaj e pela, me gomarë e gomarica”, që ushqehen me bar e tagji…???