Xhevat Mustafa: Me protesta 1 herë në muaj, Rama- qeveria e shtyn me vite…! 

Shembujt fare të freskët nga vende të tjerë, të afërt e të largët, dëshmojnë se qeveritë e korruptuara e të padeshiruara rrëzohen apo arkivohen me protesta masive popullore shumë ditëshe, shumë javëshe, shumë muajshe…!

PD ka vendosur më 10 janar 2026 që protesta e saj dhe e opozitës së rrëgjuar ndjeshëm këto 12 vjet, do të zhvillohet më 24 janar…! Domethënë, 2 javë më vonë se dita e këtij vendimi, kohë e bollshme, justifikuar me frazën dalëboje “për ta shfrytëzuar për përgatitjen sa më të mirë”!?

Ose, 3 javë pas operacionit ekselent dhe spektakolar të forcave speciale “Delta” të SHBA- së, me urdhër personal të Presidentit Donald Trump! Edhe 4 ditë më vonë se dita kur kryeministri Rama do të pyetet nga prokurorë amerikanë që merren me dosjen “Charles McGonigal-Shqipëri”! Gjithsesi, për ta përgatitur “dasmën”, dy javë apo 14 ditë janë shumë, në këtë kohë masiviteti të përdorimit të internetit dhe të celularëve, tabletëve, kompjuterëve si dhe të zhgënjimit dhe zemërimit masiv në popull ndaj Rama- qeverisë…!

Sigal

Prej kohësh është bërë e kuptueshme apo e qartë se Rama- qeveria nuk rrëzohet duke e reklamuar si trimëri të madhe e si dhunë gjuajtjen me vezë e domate nga xhamat e kabineteve apo kur dalin dhe shkojnë nga veturat! Apo, duke ua bërë dritaret dhe muret e kabineteve, veturat qeveritare…, me bojëra…e baltë. As duke i sharë dhe mallkuar…, pa u kursyer edhe nëna, baballarë, gra, parti, Enver e Ramiz, Xhorxh Soros, Yuri Kim, Grenell, Charles McGonigal…, aleatë në botë e në Shqipëri, sharje që atyre u shkaktojnë më tepër humor e buzëqeshje…!? Fatmirësisht, popuj dhe opozita nga vende të tjera, edhe ballkanike…, kanë dhënë leksione e përvoja, deri në fillim dhjetor 2025, se si rrëzohet një qeveri e dështuar, e korruptuar, e padeshiruar…! Për më tepër e më mirë, mesazhet prej tyre nuk kanë nevojë për t’u përkthyer në shqip! Pra, gjithçka është në mendjet, vullnetet, duart e atyre liderëve të PD- opozitës, të DEMOKRATËVE, OPOZITARËVE…, që e duan me sinqeritet të plotë rrëzimin e shpejtë e jo për në “kalendat greke” të Rama- qeveri- oligarkisë! Protestave një herë në muaj dhe në ditë me mot të mirë dhe temperatura rreth 20 gradë, më shumë si sfilata oratorie dhe si konkurse hartimesh; fjalimeve dhe thirrjeve me doza patetizmi, radikalizmi fjalaresk, demagogjie…, “u kanë dalë deri mbi petat e sipërme myk e krimba” si dhe era e një pazari, më me shumë gjasa gojor se sa me shkrim, me firma kryetarësh…! Kjo opozitë, në copa që nuk dëshirojnë apo që kanë urdhër dhe marrin “honorare” që të mos bashkohen më; për më keq, kur disa prej tyre nuk mund t’i fshehin me gjethet e gjithë fiqve të Shqipërisë flirtet biznesore dhe politike me Edi Ramën dhe pushtetarë të lartë e oligarkë të tij, ka dhënë e vazhdon të japë me bollëk fakte apo arsye të dyshohet dhe mendohet, me bindje në perforcim, se mendon më shumë për ruajtjen e statuquosë apo ndarjes politike në parlament dhe në këshillat bashkiake se sa për protesta me frymë të fortë radikalizmi dhe karakter më agresiv! Afërsisht si ato, më 1997, 21 janar 2011…,të Rama- partisë, duke mos e kopjuar plotësisht me përfshirjen në skenar edhe të numrit të viktimave, mes protestuesve! Domethënë, është koha e bile, ora për protesta të vërteta, me ditë, javë e muaj, deri sa Rama me tufën e tij të mos kenë rrugëdalje tjetër, veçse dorëheqjes individuale dhe ekipore dhe lënies të fateve të tyre në duart e SPAK e të GJKKO- së ose vendeve që mund t’u ofrojnë strehim politik! Protestat e këtyre 10 viteve të fundit u kanë prishur qetësi dhe u kanë hapur më tepër punë policëve dhe pastruesve të Tiranës se sa bashkëpunëtorëve politikë dhe qeveritarë si dhe ortakëve të Edi Ramës…!? Shembujt fare të freskët nga vende të tjerë, të afërt e të largët, dëshmojnë se qeveritë e korruptuara e të padëshiruara rrëzohen apo arkivohen me protesta masive popullore shumë ditëshe, shumë javëshe, shumë muajshe…!

Nëse Berisha me shokë e shoqe në PD- në e tij si dhe partiçkat e tjera me zemra apo maska opozitarizmi, dëshirojnë me sinqeritetin maksimal rrëzimin e Rama- qeverisë dhe të ortakëve të saj të brendshëm e të jashtëm, pa vënien si “kusht të panegociushëm” zëvendësimin e Edi Ramës me “kukullat” kryesore vetëm me Sali Berishën(de facto akoma non grata) dhe me disa nga “kukullat” e tij “të vjetëruara”, kjo dëshirë e detyrë u është lehtësuar fort nga veprimet e ditëve të para të janarit 2026, të qeverisë së SHBA, personalisht të Presidentit Donald Trump! Nëse presin që ai t’ua kryej këtë mision me forca speciale “Delta”, si me Maduron në Venezuelë e tua dhurojë pushtetin me një tabaka të florinjtë, kështu japin boll arsye e fakte të kuptohet se mungesën e dëshirës së vërtetë apo të sinqertë e fshehin keq apo trashë me përkujdesjen për të shmangur dëmet dhe viktimat nga veprimet e dhunshme…! Pra, SHBA dhe koha janë bërë edhe për PD- në dhe atë që ka mbetur si opozitë, aleatë të fuqishëm! Mos shfrytëzimi me sukses, për më keq, humbja e këtyre aleatëve, që nuk kërkojnë asnjë dollar, do të thotë në SHQIP: mungesë dëshire nga PD dhe partijëzat që e quajnë veten opozitare, për të shpëtuar vendin dhe shumicën e shqiptarëve nga Rama- qeveri- oligarkia…!? Edhe ortakllëk i pafshefshëm dhe jo vetëm politik, me atë!

Edhe pse nga rreth 2500 analizat, komentet, opinionet e botuar në gazetat kryesore në Shqipëri e Kosovë, me përjashtim të ZP, mund të kuptohet se përgjithësisht jam treguar “astrolog” i saktë për zhvillimet në Shqipëri në këta 35 vjet, uroj me sinqeritet të plotë që të jem 1.000% i gabuar me këtë opinion dhe koha t’u japë të drejtë Berishës me shokë e shoqe si dhe adhuruesve dhe mbështetësve të tyre të flaktë! Por, me vepra të dukshme e të përjetueshme e jo pandehma…!