Vangjush Saro: Edhe Qeros, edhe fodull…

726
Opinioni publik shqiptar përcolli me habi e dëshpërim vizitën e shumëpritur dhe takimet e negociatorëve evropianë David McAllister dhe Knut Flenckestein, politikanë shumë të njohur, përfaqësues të të dy krahëve në Parlamentin Evropian; kjo vizitë ishte një zhgënjim i madh, por jo edhe aq, po të mendosh se ka kohë që luhet me absurdin. Kështu që të shkon mendja vetiu, se ndoshta ky qëndrim është njëlloj mendjemadhësie e pakurueshme, si ta them, diçka që populli e karakterizon me fjalët “Edhe Qeros, edhe fodull”. Po bëj disa qasje, në atë çka Bota e Perëndimi kanë thënë e thonë për ne këto kohë. Një nga deklaratat e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç: “Që kur nisi bojkoti i opozitës, ne shprehëm keqardhje, sepse besojmë se debati politik nuk duhet të mbahet jashtë, por brenda Parlamentit.” Eurodeputeti i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, Dan Cristian Preda: “Nuk është e pranueshme për një parti politike që të praktikojë bojkotin.” Sigurisht, shumëkujt nuk i pëlqen kjo mënyrë të foluri. Nuk i vjen pas qerres, sepse këshillon të kthehen në Parlament. Vazhdojmë, atëherë disi larg e larg; (sepse kjo histori ka filluar që nga koha me partizanë e ballistë). Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt: “Në çdo vend me një të shkuar traumatike ka diskutime – herë në nivele më të ulëta, herë në nivele të larta – dhe ky diskutim mund dhe duhet të çojë në një narrativë të re.” Narrativë e re. Si ju duket? Pak e vështirë për t’u rrokur nga mendje të vogla e të mjera. Po mirë. I hedhim një sy Rezolutës së Partive Popullore, Mbledhja e Maltës. S’ju vjen për mbarë as ai dokument. Kujtojmë marrëdhëniet me disa nga ambasadorët e SHBA-ve, si Mariza Lino (që desh ia futët me top e me antitank); z. Uidhers, të cilit nuk i latë gjë pa thënë; dhe prapë, atë që përfaqëson sot shtetin e madh e partnerin e madh, z. Donald Lu. Të këqinj të gjithë, hë? Përderisa nuk kanë shkuar pas tragës suaj, doemos. Kështu mund të thuhet edhe për zyrtarët e lartë të BE-së, Hahn, Mogherini, Kukan etj. Shohim disa pasazhe nga konferenca për shtyp e kryediplomatit gjerman, disa ditë më parë? “Askush në Evropë nuk po e kupton siç duhet… Parlamentarët bojkotojnë Parlamentin. Në vendin tim, kjo është absurde. Në vend të kësaj, ata mblidhen në çadër, duke realizuar një opozitë kundrejt Parlamentit. Ne s’mundemi dhe s’duam ta pranojmë dhe është absurd, sepse për pak javë keni zgjedhje në Shqipëri dhe rasti më normal do të ishte që, nëse deputetët nuk janë të kënaqur me qeverinë, ta anatemojnë këtë në fushatë.” Dhe më tutje: “Kush bojkoton Parlamentin për të penguar reformat, i bën dëm vendit të tij. Që opozita nuk e do qeverinë, kjo është normale, por në këtë pikë është e pakuptueshme. Ky nuk është vendimi ynë. Kjo është vendimmarrja e shqiptarëve. Ata i zgjedhin partitë. Sabotimi i shtetit ligjor, për ne nuk është në interesin e shqiptarëve.” Çfarë mbetet për t’u thënë? Në fakt, të gjithë këta zotërinj që u cituan dhe u përmendën më lart, si dhe shumë të tjerë që nuk u përmendën, gjithaq të anatemuar, për çudi, jetojnë në vende të zhvilluara, pa tranzicione të stërzgjatura; dhe për më tepër, përfaqësojnë shtete që nuk prodhojnë kriza kohë e pa kohë. Epo, të gjitha këta pra, e kanë gabim? Kurse ne, të zgjuarit e krizëpaskrize, përfshirë edhe budallaçkat bukuroshe që shfaqen pareshtur në ekranin miza-miza të politikës, ne e kemi mirë, tani dhe në kohëra. Anipse jemi vrima e fundit e kavallit. Dhe kemi jetuar e jetojmë në sisteme të prapambetura e në një sherrnajë që na rraskapiti të gjithëve. 

Po sikur të shtonim diçka edhe nga një politikan i sotëm. Ilir Meta: “Askush nuk duhet të presë njëkohësisht që LSI-ja të rreshtohet me cilindo që kërkon ta çojë këtë krizë në ekstrem, sepse kjo nuk i shërben vendit, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë duhet të punojmë për të rritur pikat e takimit në këto orë dhe në këto ditë.” Nuk është gjë edhe kjo. E di, po u cenua ekstremizmi, ju bëheni keq. Ju e adhuroni ekstremizmin. Të dëgjojmë ndonjë nga këto gratë politikane, që kanë treguar durim dhe njëlloj përgjegjësie për detyrën e ngarkuar, p. sh. Majlinda Bregun? Jo. Nuk doni. Po ndonjë intelektual si Moikom Zeqo, që di më shumë se të gjithë ngatërrestarët e tjerë, të marrë së bashku? Nuk ju pëlqejnë as fjalët e tij… Epo, nuk besoj se bëj gabim të përfundoj që kjo sjellje është një mendjemadhësi e hershme, e cila kohë pas kohe ngre krye dhe bëhet histerike; vjen nga vite të errëta (për shembull, nga vitet 1913 – 1914); vjen nga sisteme të mbrapshta (p.sh. monizmi i interpretuar në mënyrë të skajshme si stalinizëm dhe si izolim total e psikopatesk); vjen nga hajvanëritë e vitit 1997, të vitit 1998… “Kush na zbriti nga tragjedia në operetë?” Pyeste njëherë e një kohë Konica. Ai që është i njohur edhe për thënie të tjera, që shqiptarët – edhe pjesa e etur për sherr – i dinë shumë mirë, por nuk duan t’i kuptojnë e nuk duan të venë mend… I krijon një sërë mundësish, që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve te ndryshimet në qeveri. Jo! O qeveri teknike, o s’ka! Po si kështu? Kuvend jo, zgjedhje jo, tryezë bisedimesh jo, propozime nga partnerët, jo… Po ku jemi ne, o zotërinj, në savanet e fisit Tu-ru-ru apo në ndonjë provincë të humbur të ish-Perandorisë Osmane? Mirë, mirë. Do të kalojë dhe kjo. Të shpresojmë pa eksese! Për më tej, durim; sa të vijnë (e të ndërrohen) ca breza.
Sigal