Xheladin ÇELMETA/Një sportist shqiptar, “sherif” i Santa Barbaras

627
Sigal

Jeta dhe karriera në Kaliforni e ish kampionit shqiptar të çiklizmit Selim Çelmeta, përtej “ëndrrës amerikane” 

Kur për herë të parë në jetën e tij pedaloi me biçikletë, Selim Çelmeta ishte adoleshent. Dhe gjykonte, aq sa mund të gjykojë një person i asaj moshe. Por ndërkohë, brenda vetes ai do të zbulonte forcën e energjive që zotëronte, si dhe talentin e tij në sportin e bukur të çiklizmit. Atëherë Selimi kishte një ëndërr: Të bëhej i dobishëm për veten, për familjen dhe për Shqipërinë. Kjo ishte një ndjesi permanente tek ai. Por, ndodhte shpesh, që shpirti i tij altruist, ja “përmbyste” krejt skemën. Dhe së brendshmi, gjykonte: “Më e rëndësishmja është të bëhem i dobishëm për Shqipërinë…”.  Ai donte t’i jepte Shqipërisë më të mirën e mundshme. Dhe vërtetë, vitet do të dëshmonin se Selimi u bë një çiklist i dëgjuar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Ai arriti të shpallej deri nënkampion Europe në sportin e çiklizmit. Emri i tij hyri në historinë e çiklizmit shqiptar “përmes një talenti shpërthyes, si një meteor” do shprehej një gazetë e kohës. “Një pjesë e ëndrrës, pra, u realizua”, mendonte ai. Gjithsesi, tranzicioni i vështirë i viteve të para të demokracisë, dukej se po ndalonte lëvizjen e “rrotës” së biçikletës shqiptare. Çiklizmi i “Dinamos”, skuadra në të cilën ai aderonte prej vitesh, po përjetonte pas ‘90-ës, një krizë të dukshme. Edhe në këto kushte, Selim Çelmeta do të dinte të kapërcente trillet e kohës, gjithë dilema e probleme të aspektit social e financiar…

-Një emër në historinë e çiklizmit shqiptar

Pikërisht në vitin 1995, (rekordi i fundit i tij) në pjesëmarrjen ekipore me “Vllazninë”, Selimi dhe kolegët me të cilët garoi, do të shpallej fitues i rrethit çiklistik të Shqipërisë, 1 vit para ikjes për në ShBA. Kish vendosur edhe dy rekorde kombëtare më parë. Sipas studiuesit sportiv, Bedri Alimehmeti në një shkrim të tijin, botuar në gazetën “Koha jonë”, më 15 maj 2008, “Dinamo”-ja e atëhershme po sfidonte skuadrat e tjera vendase me një shpërthim të ri: Ky ishte Selim Çelmeta; një talent i jashtëzakonshëm…”. Kur lexon “Historikun e çiklizmit shqiptar”, konstaton se ky do të ishte rekordi i fundit që shënohej nga Çelmeta (në përbërje ekipore). Pas kësaj, dukej se ai nuk mund të pajtohej me gjendjen e qetësisë, me gjendjen e rehatisë pa kuptim. Ishte gjithnjë në kërkim të sfidës. Deri në atë kohë, ai e kish ngjitur çiklizmin shqiptar në nivele të reja të  rekordeve kombëtare. Konkretisht: Në vitin 1989, ai u shpall rekordmen i rrethit çiklistik shqiptar, duke garuar në skuadrën e “Vllaznisë”, dhe përsëri një vit më pas, në vitin 1990, Selim Çelmeta vijon të mbajë rekordin kombëtar, duke e rikonfirmuar atë në garat për ekipin e “Partizanit”. Shto këtu edhe fitoren në ’95-ën në përbërje të “Vllaznisë”, emri i tij do të skalitej një herë e mirë në historinë e çiklizmit shqiptar. Madje, ai do të cilësohej nga mediet si “një nga ikonat e çiklizmit”. I ati i Selimit, Hamit Çelmeta thotë se “qëkur ishte fëmijë, e kishte shumë qejf biçikletën. I thoja: “Po pse mundohesh kaq shumë, mor bir? E ç’do fitosh nga biçikleta…”. Të them të drejtën, nuk e besoja se do arrinte atë sukses që pati…”. Qe një histori intensive: U fut me të rinjtë e “Dinamos”, disa vite para ndërrimit të sistemit në Shqipëri dhe klubi i dha një biçikletë të vjetër, por që ai e mirëmbante. Selimi jo vetëm që bënte gara në terrene shumë të vështira; si Qafë Kërraba, rruga e Dajtit, e Krujës, etj, por edhe vinte përditë me biçikletë në shtëpinë e tij të atëhershme, në Pezë. Ishte një stërmundim i madh, i dyfishtë. Por kjo gjë nuk e zmbrapsi. Donte të bëhej me çdo kush çiklist. Çiklist, me gjithë kuptimin e fjalës. Këtë synim i kishte vënë vetes dhe nuk tërhiqej, kurrsesi…

-Sfidat e radhës

Çiklisti i ri nuk i lë për asnjë moment jashtë vëmendjes studimet. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Pezë, ai futet në testim “kandidat për student” në Akademinë e Rendit Publik, ku fiton të drejtën e studimit. Pas studimeve, me vlerësimin “shumë mirë”, ai titullohet “oficer” dhe emërohet në Gardën e Republikës. Ky institucion u bë vendi ku ai do të nxiste e zhvillonte edhe më shumë talentin prej çiklisti. E gjithë karriera e tij në çiklizëm e ka nisjen dhe “ngjitjen” pikërisht në këtë repart-elitar. Këtu, ai bëhet pjesëtar i ekipit të “Dinamos”. Gjatë kësaj kohe çiklisti Çelmeta do të garonte; si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj, si në Itali, Austri, Turqi, Francë, etj.

-Udhëtimi drejt ëndrrës

Ishte 28 vjeç kur shkoi në ShBA nw vitin 1996. Deri në këto momente, kishte qenë oficer i Gardës së Republikës së Shqipërisë. Kështu, pak kohë pasi Selim Çelmeta ishte sistemuar në shtetin e Kalifornisë, gazeta amerikane “ Ventura county” në një nga numrat e saj shkroi se si një grup shqiptarësh, gjithë ëndrra e energji, kishin ardhur në ShBA, në vendin simbol të demokracisë, me synim që… “të preknin ëndrrën”. Dhe kishin plane të mëdha. Artikulli i cilësonte shqiptarët e sapoardhur si “guximtarët e kohës”. Ata vinin nga Shqipëria, plot gjashtë vjet pas shembjes së komunizmit. Gazeta shkruante se “Shqipëria ishte ende një vend me bunkerë të shumtë, i sapo dalë nga një diktaturë e egër…”. Selimi ishte i qartë në synimet e tij. Këmbëngulës, sfidues, sikurse dhe ishte, ai në fillim studioi në “Akademinë e Zjarrfikësve”, Kaliforni, ku u dallua për rezultate të larta. Të jesh efektiv zjarrfikës në ShBA është diçka jo e lehtë. Dihet tashmë heroizmi i zjarrfikësve amerikanë ditën kur u kryen sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 te Kullat Binjake, në Manhattan… Selimi shërbeu fillimisht, pikërisht në këtë profesion delikat. Por edhe me kaq nuk u mjaftua. Ai provoi testin në një tjetër akademi me emër në Kaliforni: “Akademia e Sherifëve”. Kështu, më 20 mars 2008, ai ishte një nga 12 të diplomuarit e “Akademisë së Sherifëve” në departamentin e Santa Barbaras. Kryesherifi Bill Broun, që është dhe komandanti i departamentit të Santa Barbaras organizoi një “party” me pjesëmarrje të gjerë me këtë rast. Kishte edhe disa familjarë të sherifëve të rinj. Vëllai i Selimit, Shkëlqimi, i cili edhe ai ka qenë emigrant në Kaliforni, thotë se atë ditë zoti Broun kishte respektuar në mënyrë të veçantë Selimin, duke ftuar në koktej edhe babanë e tij, Hamitin.

-Të paharruarit, miqtë e vjetër…

Njeriu ka shumë “stacione” në jetë. Aq më shumë kur ajo është intensive, si në rastin e Selim Çelmetës. Dhe ai ka shumë miq. Miq të rinj, atje në Kaliforni të ShBA-së dhe miq të vjetër në Shqipëri. Atje, në kontenë e Santa Barbaras, për të, të gjithë janë miq shumë të mirë; si kryesherifi Bill Brovn, ashtu edhe kolegët e tjerë të “Akademisë së Sherifëve”, që së bashku me të u diplomuan në maj të vitit 2008, si Tory Scott Aguilar, Eric Alexandër, Gabriel Alvarez, Ruben A. Deleon, Kathy C.B. Gardner, Brayan Taylor Green, John Patrick Lane, Samuel Mlyniec, Guillermo Ramirez, Cristopher D. Veddle e Nicolas C. Vigle. Ndërkohë ai nuk mund të harrojë kurrë shokët e miqtë e vjetër në Shqipëri, në federatën shqiptare të çiklizmit; si Agim Paja, Dash Paja, Arben Pinari, Ibrahim Sykja dhe të famshmit Gani Murriqi, Ruzhdi Murriqi. Nuk mund të harrojë miqtë e vjetër të ekipit shkodran me të cilët garoi herën e fundit në 1995-ën, si; Leonard Kola, England Qereshniku, Briken Dibra, Gëzim Mlloja. Miq të tij janë edhe Sali Hima, Musa Katragjoni, Burhan Berisha, Mustafa Çela, Agron Tafilica, etj., që kanë lënë gjurmë në çiklizmin shqiptar. Ndjen respekt, por edhe dhimbje të pafund, për të madhin Agim Tafili, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë… Ndërkaq ka miq edhe gjithë pezakët, bashkëfshatarët e tij, që kur ishte i vogël e shihnin gjithë kërshëri: “E po ky Selimi… mbeti po me biçikletë… Po ç’i duhet ajo xhanëm?”. Do duhej të kalonte ca kohë, që ata të  krenoheshin me të, për gjithë rekordet që arriti. Do krenohej me të e gjithë Shqipëria.

-Shqipëria në zemër

Selimi, sapo gjen rastin merr udhën për në Shqipëri. “Të gjitha pushimet vjetore që ka, thotë i vëllai, Shkëlqimi, i  bën këtu në Shqipëri”. Radhën e fundit, ashtu si edhe herët e tjera, ai familjarisht erdhi në verë. Udhëtimi i parë që bëri së bashku me gruan, Olionën dhe dy fëmijët; djalin, Brendon dhe vajzën, Aleksandra, ishte drejt Pezës. Peza është vendlindja e tij. Aty ka bërë “inkursionet” e para me biçikletë. Familjarisht ka bërë vizita turistike nëpër Shqipëri si; në Llogara tek “Pisha Flamur”, në Skrapar, tek “gjurma e Abaz Aliut”, në Vlorë, ku edhe ka pushuar gjatë ditëve të verës, në Dajt, në Lezhë tek “Varri i Skënderbeut”, në Kalanë e Krujës, etj. Fëmijët e tij kanë lindur në ShBA, por Selimi u mban ndezur atyre edhe dashurinë për Shqipërinë… Iu flet papushim për Shqipërinë… Selimi nuk është “emigrant” në Kaliforni. Jo. Ai është një shtetas amerikan. Më saktë, është një shqiptaro-amerikan që shërben në strukturat më të specializuara policore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është “sherif” i Santa Barbaras. Si i tillë, i pëlqen të jetojë intensivisht dhe me dinjitet jetën, brenda kontureve sociale e të psikologjisë së komunitetit kalifornian. Shumë shqiptarë, ashtu siç shkuan nëpër vendet e Perëndimit duke realizuar ëndrrën që kishin, normalisht që do të shkonin edhe në Amerikë. Do të realizonin kështu “ëndrrën amerikane”. Selimi, sigurisht e realizoi këtë ëndërr dhe madje nuk u mjaftua me kaq. Ai synoi edhe “përtej ëndrrës”. Dhe ja arriti qëllimit. U bë “sherif”, një titull i lartë i hierarkisë policore amerikane, që jo gjithkush mund ta arrijë lehtë në akademitë e ShBA. Selim Çelmeta është tani 44 vjeç. Është emri i një sportisti kampion që i dha Shqipërisë pa kursim; kupa, çmime e medalje në garat e çiklizmit gjatë viteve 1990-1995. Tani, ai rreshtohet ndër ushtarakët më cilësorë të strukturave policore amerikane, dhe mban titullin “sherif”.  Shqipëria ende krenohet me emrin e tij, si një sportist i shquar, që vendosi rekorde kombëtare e ndërkombëtare.