Vangjush Saro: Kosovë, çka po bën?

23
Sigal

Njëzet tentativa për të vënë në punë Parlamentin e Kosovës kanë dështuar (!) Si mund të mendojnë tani evropianët, amerikanët? Si mund ta përflasë këtë ngërç Serbia? Kur duam, ne i konfuzojmë vetë gjërat; edhe pse jo gjithnjë punët vijnë mbrapsht për fajin tonë. Por fakti është se perëndimorët po kërkojnë dialog me Serbinë, ndërkohë që politikanët kosovarë nuk arrijnë të dialogojnë me njëri-tjetrin. E dimë shumë mirë çfarë thurret e çfarë luhet në kurriz të saj, por prapë, Kosova ka përgjegjësitë e veta në këtë tranzicion të zgjatur. (A thua ka imituar shtetin amë?)

Ani. Është e qartë që fati shpesh nuk është me Kosovën, gjer edhe te detajet dhe emrat, përderisa fqinji i tyre zemërak zgjodhi të drejtohej nga një vazhdues i Millosheviçit. Se mund të sillte fati një tjetër profil, që t’u thoshte të vetëve: “U kemi rënë në qafë; i kemi fqinj, le të ndërtojmë një marrëdhënie më të mirë.” Me kë e ke? Z. Vuçiç, një autokrat si shumë kolegë të tij nëpër Evropë e nëpër botë, shtyp çdo protestë të të vetëve dhe sulmon çdo përpjekje të shtetit të ri Kosovar, duke luajtur si mundet me Rusinë dhe me Evropën. Në fakt, kështu ka bërë gjithnjë Serbia; në shekuj…

Gjithsesi, më së pari punën e kemi me veten tonë; sado që s’mund të bëjmë indiferentin për një fat që del e fshihet mes “reve”, si dielli në një ditë të pakthjellët. Çuditërisht, rrethanat janë sërish kundër Kosovës. Kështu, mes të tjerave, nuk bëhet e qartë përse po mbahen kaq gjatë në Hagë Hashim Thaçi dhe disa drejtues të tjerë të UÇK-së. (Paskan bërë “krimet” e dynjasë…) Në fakt, kriminelët që dëbuan kosovarët nga trojet e tyre, që bënë vrasje e përdhunime të përbindshme, nuk janë objekt i Hagës. Kosova po bën gabime, por të tjerët rreth saj janë duke bërë faje. E megjithatë, prapë ne pësojmë.

E vërteta është që kemi ardhur nga një histori e mbushur me mosbesim. Në shekuj, ka ndodhur ngushtimi i pareshtur i trojeve, për shkak se këta na ranë për fqinjë. Në Veri, janë ata që janë; dhe që kanë mbetur si në kohët e hershme. Në Jug gjenden të tjerë, disi më dinakë në epërsinë ndaj nesh. Për ata që s’e dinë, në vitet e paqëndrueshme 2014 – 2020, kur shkonin e vinin Komisionet e Evropës dhe caktoheshin kufijtë, në Veri dhe në Jug, fqinjët tanë grabisnin e dhunonin çfarë të mundnin. Kam lexuar në një nga librat e Edit Durham se si në prani të ndërkombëtarëve, grekët shtynin kufijtë përgjatë natës.

Sado që shumë njerëz hidhen përpjetë po përmende ndonjë vlerë të së shkuarës – edhe pse vetë nuk kanë qullosur asgjë, asnjëherë – unë do të thërras në ndihmë poemën e njohur (dhe të anatemuar pa të drejtë) të Ismail Kadaresë “Përse mendohen këto male”, ku ai shkruante se si shekujt e kishin zhveshur Shqipërinë; kupto: ia kishin marrë një pjesë të trojeve të saj. Dhe më tej: “Atdheut nga ethet dhe uria i erreshin sytë/ dhe shkonte të maste kufijtë nëpër natë./ Me metër? Me jard?/ Jo, me pushkën e gjatë.”

Kështu ka qenë. Megjithatë, historia, edhe pse ndonjëherë e shohim vetëm me armiqësi dhe vetëm si armike, na ka dhënë mësime që mund t’i interpretojmë duke anuar nga e nesërmja. Ka momente që të kthejnë pas pa e kuptuar. Çfarë duhet të bëjmë? Një pjesë e së vërtetës, për tash, është fiksuar te termi i frikshëm dhe i pabesë “asocacionet”; që do të thotë pak a shumë të krijosh kushte për “bosnjakëzimin” e Kosovës. Bota po e shikon se ç’po ndodh në atë shtet me tre qeveri; mos duhet të shkojë nëpër këtë përvojë të hidhur edhe Kosova?

Në rrugën e vet pas vitit 1999, ky shtet modest ka bërë përpjekje për t’u afruar me Perëndimin. Por drejtuesit e partive politike atje, ndonjëherë edhe analistë e politikanë në dheun amë, përpiqen t’i (mbi)vlerësojnë arritjet. Realisht, në shumë episode, Kosova ka pësuar atë që bëjmë rëndom ne shqiptarët; luftën mes vedi. Mendoj se duhet të tregohemi të ashpër me ata që nuk e kuptojnë këtë, çka na hap rrugë për të insistuar në reforma e bashkëpunim më frytdhënës. (“Të besosh në progresin, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka)

Megjithatë, ja tek jemi: problemi kryesor është gjetja e një zgjidhjeje; sot, tani. Tërkuzja e vendimit për kryeparlamentar kaloi çdo kufi. Kjo punë u bë komedi (në fakt është një dramë e rëndë) dhe shumëkush nuk e pëlqen; perdja do mbyllur. Nuk ka asnjë justifikim për këtë sjellje prej fëmijësh tekanjozë të politikanëve të Kosovës… Kokëfortësia dhe prirja separatiste e të zgjedhurve – veti të njohura për racën tonë – duket se nuk “pinë ujë” në kohët moderne. Nëse duam të ndryshojmë e të bartemi në Perëndim, duhet përshtatur sjellja dhe duhen gjetur zgjedhjet. (“Në një botë kaq të padrejtë, t’i japim edhe një herë kuptim lumturisë, popujve të helmuar nga mjerimi i shekullit.” A. Kamy)

Ndonjëherë, duke parë edhe zhvillimet në Shqipëri, kur vite me radhë flitet për vjedhje votash, për banda e për konflikte politike të pazgjidhshme, më duket sikur… Shqiptarinë e kanë marrë sysh (!) Por pastaj them me vete: mos ndoshta është më me vend të themi se e kanë marrë më qafë. (Në radhë të parë, të vetët.) Mbase thjesht kemi nevojë për një mentalitet tjetër, që nuk vjen dot me “deus ex machina”. Do presim, por duke u përpjekur të bëhemi më të mirë, më bashkëpunues.