Unë, “avokatja seksi”

700
Sigal

Gazeta Telegraf/


Arnida Çapi

 

Të jesh tërheqës seksualisht. Çdo specie evoluon në
drejtim të së bukurës dhe në drejtim të aftësimit intelektual. Dhe të gjithë
përpiqen për t’u dukur sa më mirë. Vishen bukur, punojnë për të qenë të
paraqitshëm, hanë shëndetshëm, bëjnë sport, palestër, frekuentojnë sallone
bukurie, blejnë dhe përdorin makijazh. Të gjithë përpiqen të duken bukur dhe të
jenë të pëlqyeshëm, përpiqen çdo ditë, por ama të tjerët, të njëjtën përpjekje
e quajnë të turpshme. Dhelprën me rrushtë
na i shpjegon psikanaliza, se sa e rrezikshme është xhelozia femërore dhe akoma
më e rrezikshme se ajo, është inferioriteti mashkullor përballë femrës që nuk e
arrin dot. Ndërsa Frojdi na ka shpjeguar se si ndrydhjet seksuale në moshë të
hershme apo eksperiencat e këqija jetësore seksuale, prodhojnë devijanca në
sjelljet e mëvonshme dhe vetë në karakter. Çfarë po ndodh me një pjesë të
mediave që prodhojnë lajme “seksi”. Kjo seksi, ajo seksi, avokatja seksi,
ministrja seksi, deputetja seksi, aktorja seksi, femra seksi, etj, tregon se ka
një babëzi për seks, pra defiçencë seksuale. Gjithçka kthehet në seks, shitet
me seks, sulmohet me seks. Pra, seksi si një nga instinktet bazike përbën akoma
lajm ekskluziv. Prodhon vëmendje, klikime? Vëmendja krijohet, orientohet,
ndryshohet. Të dashur njerëz, të jesh seksi nuk është turp. Të gjithë bëjnë seks.
Falë saj jemi lindur, sikurse të gjithë plotësojnë nevojat e tjera bazike që
mundësojnë mbijetesën e species. Disa edhe mund të mos bëjnë për arsye të
ndryshme, por kjo s’ka të bëjë me moralin. Seksi s’ka të bëjë me moralin.
Karakteri ka të bëjë me moralin. Të jesh i vërtetë me veten dhe t’i qëndrosh
besnikërisë së marrëveshjeve ka të bëjë me moralin. Prandaj, hiqeni nga mendja,
se po i thatë dikujt seksi e keni fyer apo keni fyer këdo që bashkëpunon me të.
Po pse jemi specie superiore, ne dhe falë kësaj edhe ju? Për shkak se kemi
lëvizur nga veprimet bazike te mëndja, të intelekti. Atëherë, flisni për
njeriun. Boll bëtë lajme për gjëra bazike. Jetoni në Tiranë dhe bëni media
fshatareske. Filloni të formoni opinione, të ngrini diskutime. Trajtojeni
individin si subjekt, pra me të drejta për shkak të intelektit, jo si objekt.
Vlerësojeni për atë që bën jo për atë që ka lindur apo që duket. Të jesh
tërheqës seksualisht apo të jesh e bukur e thoni sikur më keni fyer. Më keni
fyer moralin apo intelektin? Më keni fyer që jam femër? Pse nuk shkruani për
meshkujt që janë seksi? Dhe unë duhet të stepem prej jush, sepse më thoni seksi?
Çfarë keni thënë me “avokate seksi”? Keni thënë se dukem tërheqëse seksualisht.
Dhe keni thënë një gjë që s’ka lidhje me punën që bëj. Ç’lidhje ka ngjyra ime e
syve me punën time? Çfarë dini ju për mua? S’dini asgjë dhe shkruani pa ditur
asgjë. Nëse doni të dini më pyesni dhe do ju tregoj për atë që jam, jo për atë
që ju doni të shihni. Ja ku po ju flas pak për veten. Kam investuar në intelekt
dhe karrierë, jam diplomuar ekselence, kam marrë nga përvoja e njerëzve të
suksesshëm dhe kam krijuar një punë të suksesshme. Më pëlqen çdo gjë e bukur,
më pëlqen të kërkoj dhe ta gjej të bukurën kudo, brenda njeriut, në natyrë dhe
në çdo gjë që një mendje e palimituar mund të krijojë. Kujdesem për veten,
sepse jam detajiste dhe kam kërkesa të larta ndaj vetes për çfarë bëj. Po,
sipas disave jam seksi. Besoj se është vlerë e shtuar për mua si individ, por
që nuk ka lidhje me jetën time profesionale. Ju mund të vazhdoni të ‘korrni
grurin e fshatit tuaj’ për ata që ju ndjekin, por kurrë s’do jeni në gjendje të
drejtoni intelektin. Pushteti, të dashur gazetarë të medias, është përgjegjësi.
Dhe pushteti juaj i medias është përgjegjësi për të vërtetën dhe për të
kontribuar për shoqërinë tuaj me opinione të vërteta dhe modele pozitive. Kush
jam unë që ju them këto? Jam një individ që jam dhunuar nga injoranca dhe
dashakeqësia juaj, jam ajo që ju nuk njihni. Por, nëse truri juaj proceson me
gjykime pa njohur kjo është sëmundje e arsyes, nuk është as paragjykim. Në
dimensionin e kubit, katrori është i rrafshët e derisa nuk më njihni, unë mund
edhe t’ju injoroj, por e vlerësova të nevojshëm këtë gjykim, jo thjesht si
përgjigje për rastin, që tashmë është bërë sjellje e vazhdueshme nga ana juaj,
por si qëndrim ndaj një kauze, për të drejtat e individit e të femrës
shqiptare.