Thoma Goga: Pensionistët janë katandisur si gjeli i lagur dhe gënjehem me dy gjela për Vitin e Ri

– Mos harroni se edhe “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” është ligj, si gjithë ligjet e tjerë kush e cënon dënohet.

– Bizneset e kanë detyrim që çdo muaj deklarojnë punësimet, pagat, sigurimet dhe nëse një hallkë e këtij zinxhiri nuk funksionon, atëherë vepron shteti, nëpërmjet Ministrisë së Financës.

Sigal

– Nëse shteti nuk ka funksionuar me kontrolle tek bizneset, atëherë shteti është gjunjëzuar para abuzuesve.

– Kështu i bie që “autori” i “gropës së zezë” është vetë shteti, i cili e ditka se ka abuzues me dëm të madh ekonomik e social dhe bën sehir.

– Këtu del hapur, se shteti prej vitesh i ka “përkëdhelur” bezneset, kur mund t’i mbërthente, t’i ndalonte dhe procedonte çdo muaj.

Shpeshherë më ka bërë përshtypje paraqitja gjuhësore e ligjeve në sistemin tonë të drejtësisë. Ato janë të mbushur me gabime gjuhësore, me paqartësi juridike, të mbingarkuara me fjalë parazitare si “mund” dhe “duhet”, etj. Këto i japin mundësinë palëve të “dredhojnë” në gjykimin e një çështjeje. Kam lexuar “Kodin Penal”, ku shumë nene të tij, kanë defekte jo vetëm nga ana drejtshkrimore, por edhe nga ana e logjikës juridike. Mosvendosja e “presjes” për të ndarë fjalitë “ftilluese”, “sqaruese”, “shtuese”, “kundërshtuese”, etj. e bëjnë një nen, apo një paragraf, shumë konfuzë. Po sjell disa “grimca” origjinale, për të ilustruar argumentin. Ato janë marrë pa ndryshime, në “ligjëratë të drejtë” nga “Kodi Penal”. I lexoni me kujdes: “Neni 2- “Mosdënimi pa ligj”. “Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale. Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të paparashikuar në ligj”. E pse duhej shkruar fraza e dytë e këtij neni, kur këtë kuptim ka edhe fraza e parë?!

Shikojeni edhe nenin tjetër:

“Neni -14 Faji”. “Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se vepra nuk është e kryer me faj. Quhet me faj personi që e kryen veprën me dashje ose me pakujdesi”. Edhe këtu krijohet një tymnajë, sepse kur faji bëhet me dashje merr pas epitetin “I rëndë”. Kurse në rastin e dytë, çdo faj që kryhet nga “pakujdesia”, mund të quhet edhe “gabim”. Prandaj shpesh faji mbetet “jetim”, siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore. Fjala “mund”, duke mos qenë detyruese, i hap shtegun pamundësisë. Pikërisht këtu u hapet “drita jeshile” gjyqtarëve, apo dhe avokatëve, që të gjejnë “gjuhën” e kompromisit, deri në pafajësinë e autorit të një krimi. Kurse në nenin që titullohet “Dhuna në familje” (Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 17; ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 33), lexoj paragrafin: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet”. Deri këtu kuptohet, se bëhet fjalë për “dhunues meshkuj”. Por në këtë nen është harruar fakti se ka edhe gra, që rrahin burrat, por nuk është parashikuar saktësisht në ligj.

Si thoni, t’i falim?!…

Dhe vazhdojmë më tej: “Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.” Ky paragraf e “ashpërson” dënimin, edhe pse bëhet fjalë për kërcënimin. Epiteti “serioz” dhe “plagosje e rëndë” kuptimisht nuk bashkohen në këtë paragraf, por veçohen me lidhësen përkatëse “ose…”. Kurse në paragrafin e mësipërm, ku bëhet fjalë për rrahjen, dënimi shkonte “gjer në dy vjet”. Kësaj i thonë se, ai që të rreh, “të do” më shumë…Prandaj dënohet më pak nga ai, që të kërcënon. Kështu “fiton” më shumë autori i “dajakut”. Po hidhemi te një nen, problematika e të cilit po “lakohet” shpesh, sidomos tani, kur bëhet fjalë për “reformën e pensioneve”. Është “Neni 145- Mashtrimi në sigurime”, ku thuhet: “Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Ja pra, se paska një nen në “Kodin Penal” me të cilin i kap “për gryke” abuzuesit, apo shkaktarët e “gropës së zezë” të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu ka një marrëveshje midis institucioneve tatimore, sigurimeve shoqërore dhe bankave, nën monitorimin e Ministrisë së Financave. Këto marrëveshje synojnë t’u presin rrugën abuzimeve, që bëjnë bizneset në mosderdhjen e sigurimeve për punëtorët e tyre. Bizneset e kanë detyrim që çdo muaj deklarojnë punësimet, pagat, sigurimet. Në qoftë se një hallkë e këtij zinxhiri nuk funksionon, atëherë vepron shteti, nëpërmjet Ministrisë së Financës. Nëse edhe kjo nuk ka funksionuar, atëherë shteti është gjunjëzuar para abuzuesve. Kështu i bie që “autori” i “gropës së zezë” është vetë shteti, i cili e ditka se ka abuzues me dëm të madh ekonomik e social dhe bën sehir. Këtu del hapur, se shteti prej vitesh i ka “përkëdhelur” bezneset, kur mund t’i mbërthente, t’i ndalonte dhe procedonte çdo muaj. Rezultati tashmë dihet: pensionistët janë katandisur si mos më keq. Vazhdojmë me një nen tjetër të “Kodit Penal”: “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit” (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 46) ku midis të tjerave thuhet: “Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare, muzikore, artistike ose shkencore, që i përket një tjetri, ose përdorimi i tyre pa pëlqim të autorit, kur kanë shkelur të drejtat vetjake e pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. Në këto 34 vjet, në dijeninë time, ka ndodhur vetëm një dënim ndaj një personi, që kishte riprodhuar një libër të I. Kadare. Po institucioni përkatës i mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, pse nuk i ndjek vjedhjet, kur janë deklaruar nga autorë të tjerë? Mendoj se ligji duhet të shigjetojë me sanksione të qarta edhe këtë institucion ligjzbatues, që paguhet me taksat e qytetarëve, ku përfshihen dhe autorët. Po kaq “anemik” është ligji edhe për disa organizma, që janë emërtuar si “mbikëqyrës”. Kështu në “Neni 164 – Shpërdorimi i kompetencave”, thuhet: ”Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Sa raste të tilla po denoncon shtypi dhe askush nuk e vë ujin në zjarr? Kjo ndodh se “këshillat mbikqyrës” kanë prapavijë politike, ose të afërt me të. A ka forcë vepruese ligji për organet e emërtesës? Kur s’vepron ligji, bëhet më i fortë “Maliqi”… E pra, solla ca “grimca” të vogla, por që në interpretim, gjykim, apo zbatim sjellin dëm jo të vogël. E nisa me “drejtshkrimin e ligjeve”, sepse m’u kujtua një anekdodë. Është ajo për një presje të shkruar jo në vendin e duhur, tek “fermani” i mbretit, që i shpëtoi jetën dikujt. Kjo ndodh edhe sot, sepse ata që i shkruajnë nuk kanë formimin e duhur gjuhësor. Ata “specialistë” të fushës i kalojnë sa për të kaluar radhën, kurse “ligjvënësit” ngrejnë dhe ulin kartonat, sa dëgjojnë “fjalët robotike”: Pro -Kundër – Abstenim – MIRATOHET”… Po të mos harrojnë këta dhe kushdo tjetër, se edhe “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” është ligj, si gjithë ligjet e tjerë. Vetëm se këtë ligj bazë të gjuhës e kanë formuluar “baballarët” e gjuhësisë dhe jo “agallarët” e drejtësisë.