Telegraf, në mbrojtje të lirisë, paqes dhe kombit sovran

334
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Gëzuar Vitin e Ri 2022 ! Ky është urimi që Gazeta “Telegraf” , ka kënaqësinë dhe privilegjin t’ua urojë të gjithë lexuesve të saj në Shqipëri nëpërmjet modelit print ,por edhe kudo në botë me sistemin online. Të dashur vëllezër dhe motra, nëna, baballarë, gjyshër, nipër dhe mbesa, miq kudo jeni! Të dashur bashkëatdhetar kudo jetoni dhe punoni! Të nderuar emigrantë shqiptarë, që jeni larguar prej papunësisë, mbijetesës, apo për një jetë më të mirë për familjet tuaja : Qoftë ky një vit i bekuar për Ju dhe familjet tuaja të ngushta dhe atë më të gjerë, të shoqërisë, miqve dhe mbarë Kombit. Qoftë ky një vit plot jetë të lumtur, shëndet dhe begati, por edhe qetësi dhe vëllazërim për një bashkëpunim më të thellë për zgjidhjen e problemeve të vendit me maturi, drejtësi dhe dashuri. Syçelur dhe mëndjemprehtë ndaj atyre që nuk na duan ose dëshirojnë të na shohin keq e më keq , të huaj dhe të brendshëm në bashkëpunim me ta. Mirënjohje pa fund për të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë së sotme dhe atyre që na mbështetën që nga dita e parë e themelimit dhe Pavarësisë Kombëtare. Mbetemi me shpresën për një vit të mbarë për të gjithë, por në veçanti për familjet e prekura nga tërmetet e Prillit në qarkun e Korçës dhe të Shtator -Nëntorit 2020, në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, që ende janë të pasistemuar dhe banojnë në çadra apo shtëpi më qira. Lutemi për të gjitha jetët e humbura dhe vuajtjet e familjarëve të tyre , që ende kanë mbetur pa banesa. Lutemi dhe shpresojmë që të ketë një zgjidhje për fermerët në zonat e përmbytura në Lezhë, Myzeqe, Berat, Vlorë dhe në zonat e tjera fushore. Shpresojmë që ky vit t’i japë fund edhe flamës Covid-19 , që ka marrë me qindra mijëra jetë njerëzish në këto 2 vite në Shqipëri dhe miliona të tjerë kudo në botë. Kjo pandemi na largoi me njëri – tjetri brenda vendit, por edhe me njerëzit tanë të shpërndarë kudo në botë. Së fundmi, Zoti mos na lëntë pa miq strategjik, por mbi gjithçka të jemi të bashkuar si popull, pa dallime fetare, krahinore , ngjyre dhe race . Në të kundërt politikanët e huaj dhe qeveritarët vendas do tallen dhe luajnë teatër me ne si popull. Mjafton të shikoni pasuritë e tyre, por edhe pagat e koneve të salloneve mediatike, dhe do ta kuptoni babëzinë dhe pafytyrësinë e këtyre shërbëtorëve… Kemi 31 vite që pas rrëzimit të sistemit Diktatorial -Komunist që nuk po krijojmë dot shtetin e ri të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë së vërtetë. Pushteti vazhdon të jetë një instrument në duart e kryetarit të partisë që vjen në pushtet dhe që zgjedh të gjitha institucionet e tjera Kushtetuese dhe ato të pavarura. Ndaj për të balancuar pushtetet dhe populli të ketë një avokat të tij, duhet që të ekzistojë realisht e Drejta e Referendumit dhe zgjedhjes së Kreut të Shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.  Si gjithmonë, Ju falenderojë nga zemra duke ju rikujtuar se: “Me Telegraf, dita nis ndryshe”…