Shtatë shahistët e Parlamentit shqiptar

704
Nga Çelik Petriti
Shahistët, kanë dalë nga shtresa elitare shoqërore, si nga Jurispundenca, Mjekësia, Profesorati, Ushtria. Siç ndodh shpesh që në biseda të përditshme midis shokësh e miqsh, dashje pa dashje, do të hyjë edhe politika, sidomos përfaqësimi skandaloz në instanca jetike vendimmarrëse e rrugëdhënëse si Parlamenti, Gjyqësori, Ekzekutivi etj, në një të tillë mes miqsh, fjala do të vinte te Parlamenti i parë pluralist mbas rënies së Diktaturës, ai i vitit 1991, me mazhorancë Të Majtën, kur ne, të lodhur e të neveritur nga “Lei Fen” – ët merhumë të Kuvendeve Popullore të Diktaturës, jo rrallë qeshnim e argëtoheshim me diskutimet apo replikat, sa primitive, po aq edhe naive të ndonjë deputeti që vinte nga radhët e kryetarëve të Kooperativave Bujqësore, apo të Vatrave të Kulturës, qofshin ata nga rrethe kryesore apo dytësore. Kjo, sepse në atë parlament atëherë do të kishte edhe shkrimtarë, profesorë, mjekë, juristë, inxhinierë etj, të cilët, edhe pse hipokritë e të kamufluar sipas orientimeve katoviciste, të bënin për vete me intelektualitetin e tyre të pamohueshëm.

Dhe, në këto e sipër, emblema e Shahut Shqiptar, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Ylvi Pustina, do të thoshte:

-Të gjithë e dimë se tradicionalisht në të gjithë Botën, por edhe te ne, shahistët, me përjashtime të rralla, kanë dalë nga shtresa elitare shoqërore, si nga Jurisprudenca, Mjekësia, Profesorati, Ushtria etj dhe, si të tillë, ata e intelektualizonin mjedisin ku jetonin e punonin. Por nuk besoj ta dini se në atë parlament të parë prej të cilit kemi përjetuar edhe të qeshura, kishte jo pak, por shtatë shahistë të niveleve të larta, të Krahut të Majtë, apo Të Djathtë, që kishin marrë pjesë në kampionatin kombëtar (ndonjë edhe në takime ndërkombëtare).

Dhe filloi e i numëroi që nga më i vjetri, Çun Jonuzi, për të vazhduar me Vasil Melon, Tomorr Malasin, Aleksandër Meksin, Teodor Laçon, Safet Zhulalin e deri te më i riu, atëherë ende në karrierë, mjeshtri Vasil Gjika.

-Kësisoj, a ka fakt më kuptimplotë nga ky për të kuptuar se në ç’“derexhe”, në çfarë humnere regresi kemi rënë në këtë periudhë prej më shumë se një çerek shekulli, kur nuk na mbushet më mendja, se mund të ketë ndonjë parlamentar, apo funksionar të lartë pa rekorde kriminale, apo pa ndotje të tjera personaliteti?! – u hodh e tha një i tretë.
Sigal