Shpendi Topollaj: T’i japim mësuesit dinjitetin e humbur

139
Sigal

Arsimi shqiptar sot, edhe pse i mbuluar me vellon e bukur të reformës, po kalon ditët e tij më të zeza. Kjo është ana më dëshpëruese e realitetit tonë, pasi sjell humbjen e shpresës se do të bëhet më mirë. Aktualisht marrin vlerë fjalët e autorit të librit “Teacher in America”, Jacques Martin Barzunit se “Mësimdhënia nuk është një art i humbur, por respektimi i saj është një traditë e humbur”. Mësimdhënia është atribut i mësuesve, të cilët japonezi Guy Kaëasaki i quan heronjtë e shoqërisë tonë, por atyre ua kanë përdhosur aq shumë autoritetin para nxënësve, sa ata jo vetëm po kthehen në formalë, por edhe po bëhen viktima të dhunës, sikurse e tregoi rasti i Lezhës, ku nxënësi i shkollës së mesme e bëri mësuesen për spital, duke e goditur me tërbim me karrige.

Dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ministria dhe qeveria heshtin. Tani ka mbetur që edhe ata studentët e Fakultetit të Mjekësisë që janë në protestë për të drejtat e tyre, të marrin nga një karrige dhe t`ja fusin kokës së zonjës ministre, që nuk i përfill dhe nuk denjon as t`i presë e të bisedojë me ta. Ndofta atëherë do t`i vinë mend atyre që ta kuptojnë se ku është katandisur shkolla jonë! Të ngresh dorën kundër mësuesit dhe mësueses është një turp që s`e mban dheu, por kjo ngjarje nuk mbetet këtu. Ky gjest moralisht dhe penalisht i dënueshëm, shkon më tej; nxjerr zbuluar situatën ku ndodhet arsimi ynë dhe sa poshtë ka rënë autoriteti i mësuesve. E kam përmendur edhe një herë tjetër vlerësimin që i bënte figurës së mësuesit Aleksandri i madh i Maqedonisë, i cili kishte si edukator vetë Aristotelin. Kur e pyetën për rolin e babait (Filipit të Dytë) dhe mësuesit ai u përgjigj: Babai më ka zbritur nga qielli në tokë, kurse mësuesi më ka ngritur nga toka në qiell. Mësuesit tanë si të para ashtu dhe të pas çlirimit janë dashur e respektuar si shenjtorë. Personalisht edhe tani që jam në moshë të thyer, çdo libër që botoj, në faqe të parë ia kushtoj atyre.

Pa folur se kam shkruar pa fund artikuj plot mirënjohje për ta dhe i nderoj ata që janë në jetë, po ashtu si kur isha nxënës i tyre. Kështu sillen ndaj tyre të gjithë ata të brezit tonë. Mund të ndodhte që edhe mësuesit tanë, kur bënim çapkënllëqe të moshës ose venim në klasë pa u përgatitur, të na qortonin apo edhe ta ngrinin zërin. Kurrë nuk ua merrnim këtë për të keq. Ne e dinim se ata, shqetësimin e kishin që ne të bëheshim sa më të mirë si me sjellje ashtu edhe me mbarëvajtjen në mësime. Ata na donin me gjithë shpirt dhe ishin të drejtë me të gjithë, ndaj  dhe ne i konsideronim njëlloj si prindërit tanë. Kurse sot, për fat të keq, situata paraqitet tjetërsoj. Komandën në klasë e kanë marrë nxënësit. Ata flasin me mësuesit si t`u vijë për mbarë. Shpesh mësuesit duhet të japin llogari para tyre, dhe duhet të bëjnë kujdes se mos e ngrenë zërin edhe pse ata hynë e dalin në klasë sipas qejfit, apo turbullojnë gjithë orën e mësimit. Edhe mësuesit prej mishi e gjaku janë, edhe ata mund të lëndohen në sedrën e tyre dhe ndofta mund të dalin me ndonjë fjalë nga vetja. Kurse nxënësit tani janë të “armatosur” me celularë më të sofistikuar se të mësuesve dhe fare lehtë mund ta filmojnë atë dhe ta dërgojnë për gallatë tek emisionet televizive. Kjo ngjau edhe sot me datë 26 te emisioni në News 24 kushtuar asaj historisë së Lezhës, ku drejtuesja e emisionit e orientonte fajësinë te mësuesja që ishte shtruar te spitali i Traumës për operim.

Ajo gati – gati e përligjte dhe e quante normale reagimin e nxënësit, pasi ajo i paskej përmendur babanë që ai e kishte humbur para katër a pesë vitesh. Pastaj e ilustron emisionin me dy video që paraqisnin pamje ku mësuesja bisedonte me një nxënës dhe një nxënëse dhe këtë skenë donte ta jepte si dhunë nga ana e mësueses. U thirr për të dëshmuar edhe një nxënëse, e cila pa ju dridhur qerpiku deklaroi se po të ishte ajo do të reagonte akoma më ashpër ndaj mësueses. Normale që nuk ke se ç`pret nga nxënëse që shkojnë në shkollë më të tualetosura sesa vetë mësueset, me buzët dy gisht me të kuq, qerpikët dhe flokët e lyer dhe minifunde deri në…Ç`po bëhet kështu me fëmijët dhe nipat e mbesat tona? Ku vajti ajo thjeshtësia që e ka brenda saj edhe bukurinë dhe freskinë e moshës? Po kolegët dhe koleget e asaj mësueseje, qoftë dhe në shkallë kombëtare, pse heshtin dhe nuk ngrenë zërin për ta treguar pa drojë atë që po ndodh në shkollat tona. Nga kush tremben ata? Apo dyshojnë se mos ua marrin për të madhe po të thonë të vërtetën se ku po çalon kjo reformë, e cila trumbetohet si fitore e radhës. Asnjë reformë nuk vlen pa autoritetin dhe dinjitetin e mësuesve, për të cilën, natyrisht, që duhen edhe cilësitë morale, aftësitë profesionale, kultura dhe takti pedagogjik i vetë atyre. Ata duhen lënë të qetë në punën fisnike që shoqëria u ka ngarkuar, ku shkrijnë dijet dhe shpirtin e tyre për përparimin e nxënësve. Se askush më shumë se ata mund të dojë që nxënësit të bëhen qytetarë sa më të mirë, njerëz të ditur që ta duan atdheun e tyre dhe t`i shërbejnë me devocion atij. Është një problem i madh ky dhe të mos harrojmë porosinë e Senekës “Non scolae, sed vitae discimus”, pra “Nuk mësojmë për shkollën, por për jetën”. Është e domosdoshme të kthehemi te tradita e shëndoshë që kemi pasur në këtë drejtim!