Shpendi TOPOLLAJ / Dy fjalë lamtumire për Piladin tonë

615
Sigal

Kur bëhet fjalë për largimin nga jeta të një njeriu të rrallë si Agron Çobani, i cili me gjithë sjelljen dhe veprën e tij u bë personifikim e të mirës dhe virtytit, si në marrëdhëniet familjare, ashtu dhe me shokët e miqtë e tij të shumtë apo këdo që e njohu, e pa, e dëgjoi dhe e lexoi atë, nuk ia vlen të diskutosh në kishte të drejtë Lukiani kur e quante të pakuptimtë pikëllimin apo Homeri dhe Hesiodi që sajonin Fushat e Elizeut dhe mbretërinë e nëntokës, ku do prehej sipas vlerësimit, shpirti i të vdekurit. Të ndodhur sot në këto varreza për ne nuk ka ngushëllim, pasi jemi para një realiteti mjaft të trishtë: humbëm njeriun më të shtrenjtë, atë që përçonte te të gjithë optimizëm, shpresë dhe dritë dhe që me humorin e tij të pashterur, ngjiste me ata romakët e vjetër që kishin për moto sentencën Carpe diem!, pra Gëzoje ditën! Por ashtu siç ndodh rëndom kur vesi i kërkon revansh virtytit edhe jeta e këtij burri të ndershëm, të kulturuar e zemërmadh do provonte kalvarin e brengave jo të vogla shpirtërore. Mes paradokseve të asaj kohe absurde, kjo duket e parëndësishme, se fundja vështirë të mbeste pa u prekur një njeri dhe kuadër si ai, ca më shumë i ndodhur fare rastësisht në rrethana fatkeqe. Por ajo që të bën përshtypje dhe ia lartëson emrin këtij njeriu me karakter e vullnet të hekurt është qëndrimi dinjitoz, krenar dhe i papërkulur kudo që e çuan për të punuar. Që nga shtatori i vitit 1965 kur ai, djalosh fare i ri dhe i papërvojë, i veshur me një xhaketë kadife pa rigeta, lisho, ngjyrë blu saks, por që tani ishte zbardhëllyer dhe një palë pantallona doku, të cilat nga që i rrinin të shkurtra mundohej t`i ulte poshtë te beli, ngjiste ato katër – pesë këmbë shkallë me ndrojtje, frikë dhe pasiguri, ka kaluar një kohë e gjatë. Ne e dimë mirë se në ç`maja u ngjit ai më pas, deri Drejtor i Përgjithshëm i RTV – së falë dëshirës për punë, aftësive të spikatura profesionale, talentit prej drejtuesi dhe organizatori që dinte të fitonte me sinqeritetin e tij, gojën e ëmbël dhe sidomos me dashamirësinë që e karakterizonte, zemrat e cilitdo. Dhe mbi të gjitha, ai si pak kush, ruajti në tërë dimensionin e tij intelektual modestinë dhe thjeshtësinë e trashëguar qysh nga familja e tij atdhedashëse. Për analistët e sotëm dhe ata të së ardhmes, Agron Çobani do identifikohet si fytyra më domethënëse e tërë ecurisë dhe rritjes të Radios dhe Televizionit shqiptar që duhet pohuar se u bë njëkohësisht edhe shkolla prej nga dolën ata djem e vajza që kaq mirë shpalosin aftësitë e tyre në mediat pluraliste të një vendi  demokratik. Kur vështirësitë ishin të panumërta, mungesat teknike të dukshme, dhe censura shihte me gypin e sqarim – dyshimit edhe një fjalë të vetme, Agroni kishte arsye të mjaftueshme që të shqetësohej, të kalonte net pa gjumë dhe për pasojë t`i dobësohej zemra e tij bujare, duke ia rrezikuar seriozisht edhe jetën. Ai vetë ka pohuar pas gjithë atyre operacioneve se “Trupi im ngjan tani me një dyshek të qepur disa herë, i karfosur me sarkofag siç i thonë në Gjirokastër.” Stresi kishte bërë punën e vet. Por sëmundja dhe lodhja nuk ia shuan kurrë shkëlqimin e syve të tij të zjarrtë, që rrezatonin si gjithmonë çiltërsi, dashuri por edhe një hije ironie, se kjo botë ende nuk ishte bërë e përsosur siç e ëndërronte ai. Lexojeni edhe një herë o miq, librin e tij me kujtime “Ju flet Tirana…” Dhe do shihni sesa i vërtetë ishte ky njeri që nuk dinte të mburrej kurrë apo të merrte meritat e të tjerëve. E kush si ai pohon faktin se sido që hoqi e vuajti, nuk mund të shpallet disident, por deklaron se edhe unë e kam thënë ndonjë fjalë dhe kam bërë ndonjë shaka, por që të kem punuar për të përmbysur pushtetin popullor, jo nuk e marr përsipër këtë barrë. Agroni që me aparatin e radios apo me kamer i ra Atdheut kryq e tërthor, në radhë të parë, siç i përgjigjet gjatë një bisede miqësore ambasadorit grek që dyshon se mos është minoritar, deklaron me krenari se është puro shqiptar. Duke folur për fatin e keq dhe masat e rënda dhe të pamerituara që u morën ndaj vëllezërve të tij, Hasanit, Melsit dhe Astritit, të cilëve ai po u shkon pranë në këtë rrugë pa kthim, duke përshkruar karakterin e këtij të fundit, shkruan “Nëse ka pasur në Shqipëri, apo në Botë, dhe me siguri që ka njerëz të ndershëm, të mirë, të drejtë, që nuk i kanë bërë keq askujt, jam i bindur se midis tyre qëndron edhe Astriti.” Ne që i njohim, shtojmë se të tillë kanë qenë dhe mbeten të gjithë pjesëtarët e familjes Çobani, motrat Majnur e Halime dhe gruaja besnike e tij Luli, po ashtu fëmijët dhe nipat e mbesat e tyre. Por vetë Agroni shkonte përtej kësaj mirësie e ndershmërie, prandaj edhe pikëllimi për humbjen e tij është kaq i madh dhe neve nuk na mbetet tjetër veçse të sjellim ndër mend fjalët e Aleksandës Dumas se: “Duke mbytur dhembjen, të vdekurit nderohen më mirë, sesa të qash.” Ja përse nuk ka fare rëndësi hamendësimi se ku do vejë shpirti i këtij Piladi pas vdekjes. Sa qe i gjallë ai u shndërrua në sytë tanë në një shpirt dhe i tillë do endet mes nesh edhe tani që fizikisht ai do të na mungojë.