Servet TARTARI/Integrimin në Europë e pengon politika

547
Sigal

Është folur shumë për integrimin e Shqipërisë në Evropë, në median elektronike dhe atë të shkruar, janë mbajtur shumë tryeza me intelektualë të ndryshëm, analistë e kritikë “specialistë politikanë” të të gjitha ngjyrave. Tregojnë vështirësitë ekonomike, sociale e sidomos të sigurisë në vend, apo për atë që është thembra e “Akilit”, korrupsionin. E të gjitha këto qëndrojnë.

Por, unë do të theksoja se është politika dhe politikanët që zënë ekranet e televizioneve dhe qahen për ditë, madje edhe shajnë sa majtas dhe djathtas. Por unë nuk e dija ku kanë ngrënë deri dje, e sidomos para demokracisë, këta intelektualë, analistë, kritikë apo politikanë e partiakë? Nejse, punët e tyre…

E pikërisht këta “politikanë” bëjnë çorbë e sjellin katrahura, që edhe vetë ata nuk e marrin vesh se çfarë thonë e ku do zënë vend.

Sipas meje, ajo që është më kryesorja, pengesa për t’u futur në strukturat evropiane, janë partitë, sidomos dy partitë e mëdha, siç theksohet vazhdimisht. Duke përfshirë këtu edhe partinë e integrimit, më të fundit, por jo e fundit. E theksova jo e fundit, sepse mendohet dhe besoj se do të aprovohet, që çdo fis, madje çdo familje të ketë partinë e vet. Dhe kështu fitojnë të gjitha partitë. Se vetë votojnë e vetë i fitojnë, kështu bëhen të gjithë deputetë. Ne qeverisim, bota punon!..

Kuptohet se kur do të futemi në Evropë. Thonë, aty nga viti 2014? Po me këto inate e kërcënime me njëri-tjetrin, deri në burgosje apo edhe vrasje, kush e ka, apo do të marrë pushtetin, vështirë të futemi në Europë, vetëm po na mori për zverku.

Përditë kërcëllijnë dhëmbët, krerët e partive. Le pastaj anëtarët e partive sidomos simpatizantët që rrinë gati sa të marrin urdhër e ti vënë edhe njëherë zjarrin Shqipërisë, edhe asaj ekonomie që ka mbetur e deri në përgjysmimin e popullsisë.

E kështu “lumthi kush të rrojë e të gëzojë”.

Këta që do të mbeten do t’i marrë Europa. Kjo i përket nga fundi i këtij shekulli. Larg qoftë po të bjerë ndonjë “kometë” e të zhduket ky planet me këta njerëz që sa vijnë e bëhen prush, tani në prag zgjedhjesh, udhëheqësit e dy partive më të mëdha, “kush do t’ia hajë kokën njëri-tjetrit”! Lumthi populli për kë do të votojë.

Sa kohë që do hahen me njëra-tjetrën këto dy parti, aq kohë na duhet të vemi në Bashkimin Europian. Në vend që të ulin gjakrat, të bisedojnë si bijë e bija të këtij populli e të këtij kombi. Të merren vesh e të japin alternativa për më mirë e për mbarëvajtjen e Shqipërisë, të këtij populli të shumë vuajtur.

Pavarësisht se kush e ka, dhe kush do ta marri pushtetin. Dhe mbas kësaj, të gjithë të japin kontributin për ndërtimin e ekonomisë dhe zbutjen, apo largqoftë zbutjen e varfërisë ekstreme. Të gjithë të japin kontributin për thithjen e sa më shumë investitorëve, të gjithë intelektualët, pavarësisht se cilës parti i përkasin.

Të gjitha partitë kanë e duhet të mbajnë përgjegjësi, për thithjen e sa më shumë investitorëve, jo  vetëm nga të gjitha partitë, por nga të gjithë intelektualët, pavarësisht se cilës parti i përkasin, apo formacioni politik.

Por më parë duhet të rregullojmë vetveten. Pasurinë që ka vendi jonë, po të punohej për shfrytëzimin e tyre, ato mbitokësore dhe nëntokësore, zhvillimit të bujqësisë, apo zhvillimi i turizmit malor, që nga Valbona e deri në Çajup, si dhe perla 7 Liqeneve të Lurës, e pa tjetër turizmi bregdetar nga Lezha e deri në Ksamil, do të shpinte në një zhvillim ekonomik dhe me të ardhura për çdo familje, që do t’ia kalonim çdo shteti në Botë, me një popullsi kaq të vogël, sa jemi ne, sa gjysma e Athinës. Po pse nuk punohet në këtë drejtim?!…

Të gjithë politikanët dhe partitë luftojnë vetëm për pushtet, për të mos e lëshuar kurrë, me deputet që ishin të rinj e tani me thinja, të dobët e tani me barkë, që s’kanë të ngopur. Me këta deputet e pushtetarë të përhershëm, Shqipërinë dhe popullin shqiptar e kanë çuar shumë mbrapa, në të gjitha drejtimet. Le ta marrë kush të dojë pushtetin, por a do të ndryshojë Shqipëria?!… Le të shpresojmë, se shpresa vdes e fundit…

Këto nuk janë hamendje e as emocione, por është një e vërtetë historike, ku me zënie, grindje e kërcënime ndaj njëri-tjetrit, vështirë, për të mos thënë e pamundur që të na pranojnë në Bashkimin Europian. Kur ne s’duam, njëri-tjetrin, kur çdo ditë, prodhojmë urrejtje e mbjellim përçarje në të gjithë popullin, si mund të hyjmë në Bashkimin Europian. Një familje që s’ka harmoni të shpie në divorc. Dhe këtë e provokojnë partitë, për karrierë e përfitime. Prandaj o burra luftë kush të marrë pushtetin “se i digjet barku” për këtë popull.

Të ziut popull, për çdo zgjedhje i premtojnë lumturi, e populli në radhë për të votuar. I mjeri popull “pret me gisht në gojë”.

Unë mendoj se demokracia qëndron tek populli dhe jo tek partitë, apo politikanët ekstrem. Më parë të kërkohet liria, që të ndërtohet shteti. Edhe vetë populli duhet të ndihmojë shtetin, duke zbatuar rregullat dhe ligjet e tij.

E ndryshuam sistemin, për një shoqëri më të mirë, për të qenë më të lire, me dinjitet e personalitet, të cilat rrjedhin nga traditat e shkëlqyera të popullit shqiptar, të respektit, dashurisë e bujarisë, të mikpritjes, të trashëguara nëpër shekuj, nga të parët tanë, të bashkim-vëllazërimit, dhe duhet t’i ruajmë si gjënë më të shtrenjtë për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Jo siç është vepruar deri tani me një politikë të harbuar, duke nxitur urrejtje e ndasi, duke u bërë gazi i botës. E përse? Për një karrige, për një karrierë, për të fituar të ardhura, jo me djersë, por me mashtrime e shfrytëzim të detyrës, që të ka votuar e besuar populli.

Shpresojmë e dëshirojmë që partitë të zhvillojnë një fushatë të ndershme e me kulturë. Të pranojnë aq sa marrin nga populli .

Në një shkrim, i ndjeri, Pjetër Arbnori do të theksonte: “Nëse dikush humbet në zgjedhje,- gabimi do gjetur tek lojtarët”.

Të ulen gjakrat e tensionet dhe kush fiton në mënyrë të ndershme, le ta gëzoj pushtetin, duke i dhënë dorën njëri tjetrit, ashtu siç ka ndodhur e ndodhë në Amerikë.

Shpresojmë, të ndodh kështu. Ndryshe në Evropë, ky brez vështirë se pranohet.