Sejmen GJOKOLI* / Flamuri Kombëtar ka vetëm një parti-Kombin Shqiptar!

589
Sigal

Dy ditë më parë, nëpër rrugë dhe pallate të qytetit të Vlorës, një grup të rinjsh, të ndjekur nga kamera televizionesh, shpërndanë  flamuj kombëtar nën okeljon e 100 – vjetorit të Pavarësisë.

Shumë qytetarë, përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve, pranuan ta marrin këtë flamur, sa në respekt të tij po aq dhe të kësaj ngjarje të madhe kombëtare. Theksojmë se në momentin e shpërndarjes, asnjë shenjë dalluese dhe asnjë fjalë paraprake identifikuese e këtyre të rinjve me ndonjë parti politike, vetëm një grup të rinjsh dhe asgjë më tepër. E vlerësova aktin dhe, për momentin, më erdhi mirë që në krah të subjektit që ka aktivizuar Bashkia e qytetit e që ka nisur të dekorojë qytetin cep më cep pashë dhe këta shpërndarës flamujsh. Kujtova gjithashtu thirrjen e drejtuar nga kryetari i Bashkisë së qytetit për përfshirjen në nismën “Një ballkon, një Flamur” qysh në çeljen e veprimtarive të 100 – vjetorit, pikërisht në 24 Janar, aty në Sheshin e Flamurit e pranë vend-varrimit të Ismail Qemalit. Po kjo mënyrë sjellje nga gjesti i të rinjve e u zhbë, u venit  e u kthye në keqardhje vetëm ca orë më pas kur, në kronikat televizive të mediave  afër qeverisë, ky akt normal nga qytetarët u trajtua si një iniciativë e PD të Vlorës, madje u trumbetua se qytetarët i marrin me shumë dëshirë këta flamuj vetëm se i shpërndan kjo parti. Natyrshëm u ndje reagimi i  shumë qytetarëve të prekur dhe të indinjuar nga ky akt i përdorur pabesisht. Të censuruar në studiot e montazhit u ndjenë keq dhe  denoncuan veprimin e u distancuan prerë nga ky akt, sa diversionit aq edhe manipulator.  Jo pak e konsideruan këtë mënyrë të vepruari një  skenar përçarës dhe antikombëtar, i cili kërkon që gjënë më të shenjtë të shqiptarëve, Flamurin Kombëtar ta kthejë në flamur partie. Përdorja e aktit të respektit ndaj Flamurit Kombëtar, keqpërdorja e mirësjelljes  së qytetarëve  për të pritur apo marrë dhënien e një flamuri qoftë edhe në mënyrë simbolike, dhe vendosja e gjithë kësaj në një kontekst të inskenuar politikë dhe partiak apo edhe censurimi i fjalëve në intervista përbën veç të tjerave edhe një shkelje të hapur dhe flagrante të të drejtave të njeriut në media. Kjo , më së paku, përbën një akt sa të turpshëm aq dhe përçarës, duke cenuar rëndë e në mënyrë tinëzare, ndjenjat dhe dashurinë e qytetarëve ndaj simbolit kombëtar. Të dhurosh këto ditë në qytetin e Vlorës, qoftë edhe në mënyra të organizuara e sidomos në përbërje të shoqërisë civile Flamurin, si simbol kombëtar,  s’ka asnjë të keqe, por ta  përdorësh atë në media  për interesat partiake, duke e komentuar dhe trajtuar atë si dashuri për flamurin e partisë në pushtet , kjo është fyese për ç’do kënd. Vlora nga partia në pushtet ka pritur e pret investime e donacione për ta bërë qytetin sa më të denjë për të festuar sa më me madhështi 100- Vjetorin e Pavarësisë e jo lojën me “patriotizmin” e flamurit. Loja  dhe “dhembshuria”  me Flamurin Kombëtar nuk e mbulon dot indiferentizmin, mos-vlerësimin, dhe zhbërjen që tentohet ti bëhet kësaj ngjarje të madhe kombëtare.

Flamuri ynë kombëtar ka vetëm një parti: Kombin Shqiptar.

Le të bëjmë të gjithë, kudo që jemi, më të mirën e mundshme që kjo ngjarje e madhe ti shërbejë bashkimit dhe vëllazërimit kombëtar dhe të përcillet me sa më shumë madhështi e dinjitet nga çdo shqiptar, kudo që është, pa dallim feje, krahine e bindje partiake. Vlora e para duhet ta përcjellë  këtë mesazh.

*N/Kryetar i Përgjithshëm i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”