Sali ONUZI/ 100 vjet më parë – Ballkani “fuçi baruti”

698
Sigal

* kolonel R

 Ballkani nuk është më një “fuçi baruti”. Pas marrëveshjes së Dejtonit 1995, Konferencës së Rambujesë 1999, marrëveshjes së Kumanovës, 1999, Marrëveshjes së Ohrit 2001dhe marrëveshjes midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel më 2013, Ballkani politik duket të jetë stabilizuar dhe të ketë hyrë në një epokë të re Atlantike dhe Europiane.

Por një shekull më parë, Ballkani ishte një “fuçi baruti”. Më 1912-1913 ishin zhvilluar dy luftëra Ballkanike, që shërbyen si parathënie dhe eksperiment i Luftës së Madhe. Dhe me 28 qershor 1914, 100 vjet me parë, në Sarajevë të Bosnjës, një terrorist serb boshnjak, i “Dorës së zezë”, i përgatitur qëllimisht, vrau Arkidukën Franc Ferdinandin, pasardhësin e fronit perandorak të Austro-Hungarisë dhe te shoqen Sofia. Një muaj më pas, më 28 korrik, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Menjëherë aleancat e krijuara që herët, Gjermani Austro-Hungari dhe Antanta (Angli, Francë dhe Rusi) filluan Luftën e Madhe, atë që më pas u quajt Lufta e Parë Botërore, luftë që nuk ishte parë në historinë e botës, kasaphanë e vërtetë (10 milionë ushtarë të vrarë, mbi 20 milionë njerëz të plagosur, mbi 70 milionë të mobilizuar, pjesëmarrës në luftime)

 Në fakt, lufta kishte kohë që po përgatitej. Nacionalizmi ekstrem, militarizimi i shfrenuar, lufta për tregje dhe koloni ishin faktorët negativë që ia kishin gërryer nëntokën asaj që ishte quajtur “bela epoka”, 1815-1914. Por fuçia e barutit që i dha flakë Europës dhe Botës, shpërtheu në Ballkan. Edhe pse kishte strateg të shquar, si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Austriak, Konrad, që e shihte saktë rrezikun e luftës europiane, bota u shtang nga përshpejtimi që morën ngjarjet, nga mënyra si u kalua kaq pa përgjegjësi nga paqja në luftë. Kjo është përshkruar si një habi nga shumë historianë, publicistë dhe shkrimtarë. Mes tyre dhe nga shkrimtari i famshëm, hebreu Stefan Cvajg, i cili i pati bërë thirrje Botës të nxirrte mësime nga Lufta e Parë Botërore… Dhe, kur kjo u përsërit më 1939 me Luftën e Dytë Botërore, Cvajgu bashkë me të shoqen, të dëshpëruar e të zhgënjyer i dhanë fund jetës me vetëvrasje më 1942, në Brazil, ku kishin shkuar.

 Bota ka 70 vjet që e ka lënë pas Luftën e Dytë Botërore dhe më 6 qershor përkujtoi me madhështi 70-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi të Francës. Po historia është për të nxjerrë mësime, siç thoshin romakët. Terrorizmi i sotëm është sofistikuar dhe modernizuar me teknologjitë e kohës sonë. Nuk është më një Gavrillo Principe me një pistoletë në dorë, që hapi zjarr në Sarajevë, 100 vjet më parë. Masakrat e tmerrshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe ato në Kosovë, e sot në Lindjen e mesme, etj., janë tregues real se luftërat nuk janë bërë aspak më “njerëzore” dhe se nacionalizmi dhe ekstremizmi fetar janë një rrezik real.

 Duket si një trill i historisë, gati e pabesueshme, por njëri nga 6 anëtarët e grupi kriminal që organizoi dhe ekzekutoi vrasjen e shekullit në Sarajevë, ishte Vasa Cubrilovic (1897-1990), atëherë student serbo-boshnjak nacionalist e më pas politikan e “shkencëtar” që kishte botuar më 1937 “Shpërngulja e shqiptarëve”, të cilin e vunë në program e në zbatim të gjithë qeveritë serbe e jugosllave, deri sa arriti kulmin nën Sllobadan Milloshevicin.

 Në krye të organizatës serbe “Dora e zezë”, që organizoi krimin e Sarajevës, qëndronte koloneli në pension Dragutin Dimitrijeviç, ish-Shef i Kundërzbulimit të Ushtrisë Serbe. Mbretëria Serbe e shihte perandorinë Austro-Hungareze si armike numër një të saj, sidomos në çështjen shqiptare. Perandoria Austro-Hungareze kishte ngulur këmbë dhe nuk kishte lejuar daljen e Serbisë në brigjet e detit Adriatik. Ajo ishte bërë përkrahësja më e madhe në Europë e Pavarësisë së Shqipërisë. Arkiduka Franz Ferdinandi personalisht kishte luajtur një rol të rëndësishëm. Nuk ka diskutim që edhe ky qëndrim i tij ishte vënë në motivet e krimit të Sarajevës. “Dora e zezë”, që shtiu ndaj Arkidukës Franz Ferdinand, vazhdoi të shkrehte këmbëzën e vdekjes kundër shqiptarëve, edhe për 85 vjet të tjera, duke u shndërruar në një terrorizëm shtetëror që solli tragjedi të mëdha në Ballkan, për ndalimin e të cilit u desh të futej në luftë edhe NATO, në të vetmen luftë që ajo ka bërë gjatë historisë së saj.

 Më 1912-n, Ismail Bej Vlora u prit në Vjenë dhe në një bisedë sekrete me ministrin e Jashtëm Kontin Berchtold, u inkurajua dhe mori siguri për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Por vetë Perandoria Austro-Hungareze kishte shqetësime, nuk ishte ende aq e sigurt. Asaj i duhej, në rast lufte me Serbinë dhe Rusinë, mbështetja e plotë e Gjermanisë, perandori i së cilës, pak kohë më parë, ishte shprehur se nuk mund të hynte në luftë për të ndalur Serbinë të dilte në Adriatik. Prandaj, nga Vjena u nis për të biseduar në Berlin numri dy i Perandorisë A-H, Arkiduka Franz Ferdinand. Ky, siç shprehej vetë “ia prezantoi fill e për pe pikëpamjen” e politikës së Vjenës perandorit gjerman dhe siguroi mbështetjen totale të Gjermanisë. Në telegramin, që Franz Ferdinandi niste nga Hanoveri, më 22 nëntor 1912 për Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruante: “Perandori Wilhelm më deklaroi se do të na përkrahë në të gjitha. Siguri e plotë nga çdo anë… Ne duhet të jemi të sigurt në përkrahjen e tij. (“Shqipëria në dokumentet austro-hungareze”, viti 1912, vëllimi VI.) Po atë ditë, më 22 nëntor, edhe ambasadori gjerman nga Berlini njoftonte Ministrinë e Jashtme në Vjenë me një telegram “tepër konfidencial” për bisedimet sekrete të Arkidukës se “Perandori siguroi se e llogarit, edhe një luftë botërore për të ruajtur prestigjin e Austro-Hungarisë…”( po aty f. 286).

 Vetëm pas këtij takimi dhe kësaj përgjigjeje perandorake gjermane, perandoria Austro-Hungareze do të ishte e sigurt dhe e vendosur në kërkesat e saj ultimative dhe nuk do të nguronte të mobilizonte rreth 1milion ushtarë për të detyruar Mbretërinë Serbe të tërhiqte trupat e saj pushtuese nga kufiri i Shqipërisë më 25 tetor 1913. Besohet se Mbretëria Serbe ta ketë zbuluar rolin e Franz Ferdinandit në këtë garanci dhe sigurinë gjermane të Austro-Hungarisë. Është fakt që shteti Austro-Hungarez bëri përgjegjës Serbinë për vrasjen kriminale.

 Perandoria Austro-Hungareze, pa dyshim, projektonte dhe mbronte interesat e saj gjeostrategjike në Ballkan. Ato përkonin me Pavarësinë e Shqipërisë, prandaj u paraqit si mbrojtëse e çështjes shqiptare. Po kjo nuk ia ul vlerat historike dhe nuk mund t’i bëjë indiferentë shqiptarët ndaj këtij fakti. Ky është rasti kur gjeopolitika dhe drejtësia e shqiptarëve janë në një linjë, siç do të përsëritej fort e në një optikë të re, kjo në fund të shekullit të XX-të në Çlirimin e Kosovës.

 Franz Ferdinandi, ky politikan mik i shqiptarëve, që kishte zhvilluar këto bisedime sigurie me Gjermaninë, meriton të kujtohet e respektohet në këtë 100 vjetor të rënies së tij. Ai ishte ndodhur më 21 nëntor 1912, në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe kishte bërë gjënë e duhur, atë që i kish ndihmuar shqiptarët në zhvillimet e tyre politike.