Pse nuk mund të bëhet shkencë në vendin tonë?

706
Hajro LIMAJ 

Shtetet si Amerika, Kina, Gjermania, Franca, Rusia, Korea e Jugut apo Anglia njihen për nivelet e larta që kanë në shkencë dhe në teknologji. Mirëpo cilat janë ndryshimet e Amerikës nga shtetet e tjera? Universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës janë atje dhe, më e rëndësishmja është se, janë pikërisht ato vende që harxhojnë më shumë para në fushën e kërkimeve dhe zhvillimeve. Pothuajse 43 % të shpenzimeve të kërkim-zhvillimeve që bëhen në fushën e kompjuterave, elektronikës dhe njohurive të thella i bën Amerika. Dalja nga Amerika e gjigantëve të botës si IBM, Microsoft, Oracle, Cisco, HP, Apple, EMC, Alphabet (Google), Intel, Amazon nuk është thjesht një rastësi.

Xheneti i diplomave false
Diploma false të doktorëve, inxhinierëve, mësuesve, juristëve, farmacistëve dhe të fakulteteve të tjera nuk janë 3 apo 500, janë me dhjetëra mijëra për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Sipas burimeve të SHIK-ut kohët e fundit në administratën shtetërore janë të punësuar 830 kuadro me diploma false. Po ka shumë më tepër politikanë, deputetë, biznesmenë e në çdo nivel tjetër. Ministria e Arsimit duhet të kalojë në provime shtetërore të gjithë të diplomuarit, siç po bën në disa degë. Le të kalojnë në provim të gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët, noterët, sekretarët me juridik dhe rezultati do të jetë i qartë. Diplomat dhe provimet që shiten me para po rishfaqen dhe këto shpesh kthehen në organizata, por edhe më keq akoma. Një pjesë e rëndësishme e diplomave që kanë ardhur nga jashtë janë false, sidomos nga Maqedonia. Shumë prej tyre kanë bërë njësimin e diplomave në MAS, ka nga ata që vazhdojnë pa e bërë fare këtë njësim. Po përse vallë? Edhe pse shumë universitete u mbyllën pikërisht për këtë punë, sot ka ende nga ata që bëjnë karrierë ose vazhdojnë doktoraturat. Sa prej tyre kanë marrë gradat shkencore dhe janë emëruar në poste e detyra të rëndësishme, kur ata jo vetëm janë xhahil për veten, por janë pengesa kryesore për një administratë kualitative apo për universitete kualitative. Në qoftë se dëshirojmë të mos kemi të diplomuar më doktorë, mësues, inxhinierë dhe profesione të tjera me diploma false, të blera ka ardhur koha që kjo punë të merret seriozisht. Në shumë vende në faqen e internetit të çdo institucioni arsimor gjendet lista e të gjithë të diplomuarve për çdo vit. Sapo lind ndonjë shqetësim shkohet në vend, shikohet dhe mësohet e vërteta. Edhe tek ne mund të shkohet në këtë rrugë, ose mund të gjenden rrugë akoma më të besuara. Mjafton që ne të mendojmë dhe punojmë. Por, nuk ka mundësi të punohet kur institucionet janë pushtuar nga mediokriteti, të pa arsimuarit, të pa kualifikuarit dhe nga grykës që marrin detyrat vetëm për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në rrugë të kundërligjshme. Akademia e Shkencave është në gjendje kome, ministria e Arsimit nuk ka në drejtim asnjë shkencëtar që të të reflektojë mbi realitetet dhe t’i paraprijë punës studimore dhe shkencore në të gjitha nivelet e arsimit. Sekretari i Përgjithshëm, nga i cili varen direkt drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Arsimit Para Universitar ka ardhur nga policia gjyqësore dhe nuk e lidh asgjë me arsimin dhe shkencën. Po puna shkencore në universitete publike ku është? Çfarë studimesh kanë bërë në fushat e zhvillimeve të pritshme të vendit, në teknologji, informatikë, industri ushqimore, në mjedis, në hidrokarbure etj. Asgjë me vlerë, sepse edhe në universitete mbizotëron pasurimi me të gjitha rrugët e mundshme dhe jo puna shkencore, sepse atë nuk e mbështet financiarisht as ministria, as Akademia, as qeveria dhe askush. Në një vend që nuk mbështetet truri, dija, shkenca ka vetëm dështime dhe prapambetje… Ky është shkaku i këtij kaosi politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë. Vendi nuk ndërtohet me xhahilë, mediokër dhe të pa aftë që natën bëjnë planet vetëm se si do të vjedhin e ç’të bëjnë për t’u pasuruar nëpërmjet detyrave politike apo shtetërore. Intelektualet e vërtetë, studiuesit e vërtetë nuk gjejnë vend në vendet kryesore të pushteteve, prandaj braktisin vendin. Shkojnë doktorët, informaticienët, inxhinierët në Gjermani, Kanada, Amerikë. Kush pyet? A ka mundësi të mos ngelet asnjë në Shqipëri, thonë në heshtje grabitqarët e zyrave shtetërore. Pa u përmbysur ky sistem klanesh, grupazhesh, mediokrish dhe hajdutësh që është ngritur në sistem, vendi nuk mund të rregullohet kurrë.
Sigal