Prof. Dr. Selman Sheme: Traktati i Lozanës dhe spastrimi etnik i Çamërisë

91

Traktati i Lozanës dhe intesifikimi i spastrimit etnik të popullsisë në trevat Jug-shqiptare në Greqi.(1923-1926)

(Me rastin e 100 vjetorit të nënshkrimit të Konventës së Lozanës)

Sigal

 

Në verën e vitit 1922, pas disfatës greke në luftë me Turqinë, dështoi projekti grek i Megali-Ides për aneksimin e Azisë së Vogël dhe sundimin e Greqisë në ish territoret e Perandorisë Bizantine. Për rrjedhojë në vitet 1921-1922 filloi një periudhë e re tensioni politik në Greqi, që u shoqërua me aksione agresive ushtarake kundër shqiptarëve etnikë.

Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombëve më 30 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në një nga nenet e tij përcaktohej shkëmbimi i popullsisë së etnisë turke në Greqi me atë greke në Turqi. U vendos që të ngrihej një komision i Lidhjes së Kombeve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit, së bashku me disa nënkomisione.

Demagogjia greke në “Lidhjen e Kombeve” dhe masat qeveritare për shpërnguljen me dhunë të popullsisë shqiptare.

Komisioni Mikst, i ngarkuar nga Lidhja e Kombeve për zbatimin e shkëmbimit vendosi:“të përjashtohej popullsia shqiptare e besimit mysliman të Çamërisë”. Këtë fakt e kishin pranuar edhe qeveritarët e Athinës. Përfaqësuesi grek në Lidhjen Kombëtare Kaklamanos deklaroi se: “Qeveria greke nuk ka për qëllim të shkëmbejë myslimanët me origjinë shqiptare; se shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar mirë, në EPIR. Në qoftë se ata janë të një besimi me Turqit, nuk janë kurrsesi të një kombësie. Po ashtu Kryeministri i Greqisë E. Venizellos në një letër që i ka dërguar sekretarit të Lidhjes së Kombëve shkruan:

“I kam telefonuar Qeverisë sime për t’i tërhequr vëmëndjen për gjendjen e shtetasve grek mysliman të racës Shqiptare, të cilët nuk duhet të njësohen me turqit përsa i përket ekzekutimit të Konventës së këmbimit të popullsive. Unë jam i bindur se Qeveria greke e ka fort mirë parasysh këtë gjendje”.

Autoritetet greke në kundërshtim me deklaratat e tyre, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara ndërmorën masa të gjithanshme për pastrimin etnik të popullsisë shqiptare duke i etiketuar si turq.

Masat qeveritare ndaj shqiptarëve myslimanë, që padrejtësisht iu nënshtruan “andallaisë” (shkëmbimit) u zbatua me egërsi të madhe. Çeta audartesh dhe kriminelësh profesionistë grekë masakruan popullsinë, e grabiten dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi:

Pas Rënies së Janinës ( 6 mars 1913) dhe pushtimit të Çamërisë, me “andallain” (shkëmbimin) filloi etapa e dytë e madhe e spastrimit etnik që ju bë popullsisë Çame.

Përfaqësuesit e Çamërisë në mbrojtje të identitetit shqiptar

Në takime me komisionin e Lidhjes së Kombëve përfaqësuesit e Çamërisë mbrojnë me vendosmëri identitetin e tyre shqiptar. Ata deklarojnë në mënyrë kategorike se janë shqiptarë dhe nuk i lidh asgjë me Turqinë, duke shprehur me këmbëngulje e vendosmëri kundër shkëmbimit dhe dhunës.

Musa Demi, përfaqësuesi i Filatit, të Gumenicës dhe Margellicit në letrën që i drejton Kryetarit të Komisionit Mikst në Athinë më 13 maj 1924 shkruan: ….

“ Myslimanët e Çamërisë përfshirë këtu dhe Paramithinë, janë shqiptarë të njohur si të tillë gjithmonë nga të gjithë historianët e sidomos nga ata të fundit të shekullit të XVIII-te dhe të fillimit të shekullit XIX-te. Këta historianë dhe udhëtarë janë anglezë, francezë, dhe grekë, mjafton të përmendim Leake, Pouquvile, Gervinus, Finle, Arvantinos etj.. Të gjithë kanë thënë: “ Çamët, ashtu edhe Suliotët, janë shqiptarë nga raca, gjuha dhe zakonet. Edhe sot gjendet në fshatin Guardhiq një lagje e quajtur KOPOLATE, të gjithë myslimanë, që janë kushërinjë të heroit të famshëm Suliot, Xhavella.

Në fakt ajo çka dallon një racë nga një tjetër, që i bën Çamët të jenë shqiptarë, janë gjuha e tyre, gjuha shqipe e folur në familje, zakonet e tyre, që ndryshojnë kryekëput nga ato të turqve, doket dhe zakonet shtëpiake, ato që lidhen me martesën, me varrimet, me lindjen e një fëmije, me vallet, me këngët…

Kostumi i Çamëve është krejtësisht i veçantë, madje vjen prej kohës së pellazgëve dhe është e përbashkët për të gjithë shqiptarët, si për të tjerët ashtu edhe për Çamët.

Ne do t’ju ishim jashtëzakonisht mirënjohës po të merrej, sa më shpejt që të jetë e mundur, një vendim në favorin tonë, duke na deklaruar jashtë këmbimit, si dhe të merreshin masa që kufizimet e vendosura për elementin shqiptar mysliman të hiqeshin e, për pasojë, ne të jemi të lirë të disponojmë pasuritë tona, njerëzit tanë, duke gëzuar të drejtat tona qytetare, me qëllim që të rikthehemi në një gjendje normale, gjë që ne dëshirojmë qysh prej pesëmbëdhjetë muajsh.”

Në këtë letër patrioti Musa Demi me kulturën e një intelektuali erudit, i bëri prezent Kryetarit të Komisionit Miks tiparet e identitetit etnokulturor të popullit Çame, si gjuhën, racën, doket, zakonet e tjerë, që janë krejt të ndryshme nga tiparet etnokulturë të popullit turk. Duke konfirmuar origjinën pellazgjike të popullit shqiptar të Çamërisë Musa Demi në mënyrë konçize përjashton edhe pikëpamjet e historiografike greke për prezencën e qytetërimit helen në Çamëri. Ai ishte një ithtar i fuqishëm i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Çamëri, të cilat në mënyrë permanente kanë qënë dhe janë të dhunuara nga nacionalisët grek.

Një tjetër intelektual Çam, që ngriti zërin e protestës për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve të Çamërisë për në Turqi ishte Ali Dino, një nga pinjollët e shquar të dinastisë së Dinejve, ish deputet në parlamentin grek. Në një letër drejtuar kryetarit të komisionit mikst, Karl Marius Ëiddingut, në Athinë me 7 qershor 1924, Ali Dino, duke analizuar kriteret shkencore për të vërtetuar kombësinë e banorëve të Çamërisë i shkruan: “… sipas të gjitha veprave të së drejtës ndërkombetare, kriteret për të njohur kombësinë e një populli janë: Raca, feja, ndërgjegja kombëtare, gjuha, doket dhe zakonet ose, i quajtur ndryshe, qytetërimi…

Le të analizojmë çdo njërën nga këto kritere, përsa u përket banorëve të Çamërisë, për të mundësuar tregimin e radhës së rëndësisë sipas së cilës ato duhet të merren parasysh dhe të mënjanohen disa prej tyre, nëse kjo është e nevojshme, për të patur një bazë ekspertize objektive, jashtë çdo sentimentalizmi e ca më pak interesi.

RACA – Të gjitha veprat shkencore asnjanëse, që u morën me Çamët, pohojnë prerazi se ato janë Shqiptar dhe i njësojnë me Suliotët.

Këto vepra janë shkruar nga studiuesit: Leake, Pouqueville, Hanges Smart, Ibrahim Manzour, Hobhouse, Ami Boué, Bopp, e tjerë.

Sipas antropologëve shumica më e madhe e banorëve të Epirit janë MBIBRAKICEFALË (kokëgjerë) ashtu si gjithë shqiptarët dhe dallojnë tërësisht nga turqit dhe grekët që janë DOLICEFALË (kokëgjatë). Vepra që merret posaçërisht dhe imtësisht me këtë çështje, “Popujt e Ballkanit” e profesorit E. Pitard e dëshmon këtë.

FEJA – Çamët, si të gjithë shqiptarët, para pesë shekujsh, ishin të krishter. Kjo dëshmohet nga historia dhe nuk të habit fakti që në `Çamëri, myslimanët kanë të afërm të krishterë….

Me pushtimin turk, Çamët, si shumica e shqiptarëve përqafon fenë muhamedane, por kjo nuk e ndryshoi racën e tyre.

GJUHA – Të gjithë banorët e Çamërisë flasin shqip. Nëse hasen disa burra nja 10% që e dinë, dhe shumë pasaktësisht, turqishten ose greqishten, kjo ka ardhur nga nevoja që kanë pasur këta Çamë për të mundësuar komunikimin me autoritetet ose edhe me oficerët gjatë shërbimit ushtarak, për të ditur që të shqiptojnë disa fjalë të këtyre dy gjuhëve. Përkundrazi, e pohoj në mënyrë më të prerë që gratë dhe fëmijët (përveç atyre të qytetit të Paramithisë, që njohin greqishten) flasin dhe njohin vetëm shqipen e asnjë fjalë turqisht ose greqisht.

DOKET DHE ZAKONET – Ekzistenca e klasave shoqërore te Çamët, martesat e tyre, trashëgimia, zija, gjakmarrja, vallet, veshjet e ushqimi, nuk ndryshojnë fare nga ato të shqiptarëve dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të turqve.

Si konkluzion Ali Dino i sygjeron kryetarit të komisionit Mikst që në përcaktimin e përkatësive etnike të Çamërisë të merren në konsideratë komponentët e njohur të identitetit etnik, si raca, gjuha, doket e zakonet e tyre, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme (kontrollueshme).

Përballë rrezikut të dëbimit nga tokat e veta në Greqi, popullsia myslimane shqiptare reagoi duke dërguar peticione pranë qeverisë greke, në të cilat shprehte përkatësinë e saj shqiptare dhe dëshirën për të qëndruar në tokat dhe pronat e veta.

Një peticion i nënshkruar nga 130 banorë nga Filati u dërgua në korrik të vitit 1923 në Athinë, në të cilën deklarohesh se nuk donin të iknin nga vendi i tyre si turq. Po kështu, 173 banorë nga Paramithia kishin shkuar në Athinë për të takuar komisionin Mikst.

Në mars 1924 Mit’hat Frashëri, Ministri fuqiplotë i Shqipërise në Athinë (1923-1926) njoftonte Tiranën zyrtare se deri në këtë kohë kishin ardhur në Athinë gjashtë përfaqësi nga Çamëria për t’u interesuar për problemin e tyre. Me dhjetra telegrame të tyre ishin dërguar në emër të popullit të Filatit, Mergelliçit, Paramithisë e tjerë.

Një përfaqësi kishte ardhur nga Selaniku në Athinë, ku kishte ndenjur katër muaj me rradhë për t’u interesuar për fatin e tyre, “në emër të shqiptarëve të Maqedonisë”.

Komisioni i Lidhjes së Kombeve pasi konstatoi kombësinë shqiptare dhe vullnetin e popullit ndaloi shkëmbimin, por qeveritarët e Athinës nuk hoqën dorë nga përpjekja për dëbimin e popullit shqiptar. Banda të mëdha komitësh qarkullonin fshatrave të Çamërisë dhe terrorizonin popullin. Autoritetet greke konfiskuan pronat e shqiptarëve, të tërë fshatrave duke e konsideruar popullsinë e tyre si popullsi turke.

Më 31 tetor 1923, 22 përfaqësues të krahinave të ndryshme të Çamërisë (Margelliçit, Filatit, Paramithisë, Gumenicës) i kërkonin qeverisë shqiptare të ndërhynte pranë qeverise turke për të mos pranuar në Turqi shqiptarë të Çamërisë.

Në këtë situatë të pasiguruar për jetën, masave shtrënguese dhe poshtëruese të marra nga qeveria, rekrutimit dhe përvetësimit me forcë të pasurive dhe të ardhurave, filloi shpërngulja e dhunshme dhe boshatisja e trevave të tëra me popullsi shqiptare si trevat e Konicës, Fallorinës, Kosturit, Janinës, Prevezës e tjerë.

Vendosja e refugjatëve grek të Azisë së Vogël në vendbanimet shqiptare

Jeta e popullsisë shqiptare të Çamërisë u vështirësua edhe më shumë me vendosjen në vendbanimet shqiptare të refugjatëve grek nga Azia e Vogël. Që në tetor – nëntor të vitit 1922 rreth 12.500 refugjatë nga rrethet e Izmirit (Turqi) me vendim të qeverisë greke u vendosën në Gumenicë, në Paramithi, në Kastri, në Kardhiq, në Varfanj, në Arpice, e tjerë. Në Margelliç ishin vendosur 3500 muhaxhir grekë, në Pargë 3000, në Gumenicë 1800, në Filat 1700 e tjerë.

Familjet Çame u shtrënguan të strehojnë dhe ushqejnë për disa muaj refugjatët. Nga fundi i vitit 1924 pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve u vendosën në Maqedoni, ndërsa më shumë se 4000 të tjerë mbetën në shtëpitë e Çamëve duke u bërë zotër të shtëpive dhe arave të tyre. Autoritetet qeveritare greke i lanë dorë të lirë refugjatëve që të bastisin shtëpitë e Çamëve në mënyrë që të shtërngonte popullin, që të largohej nga Çamëria.

Ata filluan t’i shfrytëzojnë për llogari të tyre prodhimet bujqësore si valanidhin, ullinjtë, fiqtë, zarzavatet, pyjet, kullotat, ndërsa pronarët e tyre mbetën pa asnjë prodhim e të ardhura.

Politikën e ndjekur nga qeveria greke ndaj popullsisë shqiptare në Greqi, dëbimin e saj në Turqi dhe rrëmbimet e pasurive, e përshkruan (e prezanton) në mënyrë të sintetezës Mit’hat Frashëri në një relacion drejtuar Ministrit të Punëve të Mbrendshme të Shqipërisë me 8 shtator 1925.

“Politika helene për debimin e elementit mysliman nga Epiri dhe Maqedonia – shkruante Mit’hati- kish nisur ‘që të nesërmen e Luftës ballkanike’. Ajo kishte filluar të zbatohej “me anë të Çetave të hajdutëve dhe të sjelljeve të autoriteteve civile dhe militare”. Sipas tij, kjo politikë mori një ngjyrë të re, pas motit 1920, ku qeveria greke mori masa të forta dhe të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Lidhur me këto masa, ai shkruan:

  1. U përzunë me dru e me të rrahur prej gjindarmërisë greke 35.000 shqiptarë të Follorinës dhe të Kosturit.
  2. Në kundërshtim me deklaratën që bëri delegati grek në Lozanë z. Caclamanos, në janar 1922, u përzunë me pahir dhe dru.

A- Të tërë shqiptarët e Prevezës.

B- Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Konicës.

C- Të tërë Shqiptarët e Pargës.

D- Një shumicë e shqiptarëve të vetë Çamërisë.

  1. Shqiptarët mysliman në Epir ose Maqedoni s’kanë të drejtë as të shesin, as të japin me qira, as të marrin të hollat e pasurive të tyre.
  2. Asnjë shtëpi nuk ka mbetur e lirë, kudo kanë kallur me pahir refugjatë, duke hedhur rrugëve të zotët e shtëpive. Shumë shtëpi rrinë të zbrazura, refugjatët (grekë- S.Sh) qeveria greke i instalon në shtëpitë e shqiptarëve.
  3. Refugjatët me lejen e autoriteteve grabisin pasuritë, kopshtet e ullinjtë, fiqtë, vreshtat dhe drithërat e Shqiptarëve.
  4. Pasuria e grabitur gjer më sot… arrin në vlerën 2.700.000 napolona ar.
  5. Dyert e drejtësisë janë të mbyllura për shqiptarët dhe të rrahurit, të grabiturit, të burgosurit, janë buka e përditshme për ta. Qëllimi i këtyre sjelljëve është të shtrëngohen shqiptarët të largohen nga Greqia dhe të grabitet pasuria e tyre…
  6. Shqiptarët në Greqi s’kanë:
  7. Të drejtë për votim;
  8. S’kanë deputet;
  9. S’kanë të drejtë për shkolla;
  10. Xhamitë dhe Teqetë e bektashijve janë konfiskuar prej qeverisë.

Më 17 tetor 1925, Mit’hat Frashëri, i paautorizuar nga qeveria, i kishte deklaruar Kryeministrit grek Pangallos që “në qoftë se Greqia ka qëllim të përzërë Çamët ose t’i shtrëngojnë derisa të ikin, atëhere më mirë të marrin masa që tani, për të bërë edhe ne si Turqia, domethënë për të këmbyer grekofonët tanë me Çamët e Greqisë.

Shpërngulja e popullsisë shqiptare në Turqi dhe fillimi i asimilimit të vendbanimeve në Çamëri.

Në vitet 1920-1926, gjatë shpërnguljeve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi 35.000 shqiptarë, banorë të 24 vendbanimeve të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55.000 shqiptarë myslimanë të Epirit (Çamërisë), pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës.

Këta qytete, që deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombëtare, me largimin (shpërnguljen) e popullsisë shqiptare myslimanë për në Anadoll, filluan të asimilohen.

Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë u degdisën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për pasojë vdiqën në masë pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjeve dhe mjerimit në tokat e shkreta të Anadollit.

Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çeshme, Menisa e tjerë, u vendosën mbi 2000 familje Çame.

Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi. Popullsia e dëbuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, të Izmirit, të Bursës, të Kajserit, të Konjas, të Ankaras, të Samsunit, të Zonguldakut e tjerë.

 Pas 100 viteve popullsia Çame në Turqi ruan disa vlera etno kulturore e gjenetike shqiptare, lidhjet e komunikimit me të afërmit e tyre në Shqipëri dhe mosha e tretë ruan edhe gjuhën arkaike të shqipes, por asaj nuk i njihet kombësia shqiptare, pra ajo është asimiluar.

Si rezultat i shpërnguljes së dhunshme qytete dhe fshatra të tëra u boshatisën nga popullsia shqiptare. Kështu Gardhiqi nga 400 shtëpi që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80,

Dragomia nga 160 shtëpi në 18, Karbunari nga 300 shtëpi në 120, Parga nga 300 shtëpi në 40, ndërsa në disa fshatra si në Petrovicë nuk mbeti asnjë shtëpi.

Në shtëpitë e shqiptarëve mysliman u vendosën me dhunë refugjatët grek të Azisë së Vogël, ndërsa shtëpitë e banuara nga të krishterët dhe grekët nuk u prekën. Padrejtësia ishte e hapur, mizore dhe çnjerëzore. Nuk mbeti një shtëpi shqiptare e paokupuar prej refugjatëve.

Jo vetëm elementët mysliman, por edhe shqiptarët e krishterë, që mbetën në viset përtej kufirit u gjendën para trysnisë së shkombëtarizimit.

Atyre u ndalohej çdo shfaqje e shpirtit kombëtar, tradicional e shprehur në doke, zakone, në gjuhë e në kulturë. Në një gjendje të tillë, të papranueshme për ta, një pjesë u dyndën në shtetin amë ose ndonjë vend tjetër, ku do të ishin më të lirë për konfirmimin e vlerave të tyre kombëtare.

Në vitin 1926, pas shumë memorandumesh proteste nga shteti shqiptar dhe nga popullsia Çame, procesi i shpërnguljes së popullit shqiptar në Turqi u ndërpre. Në këtë kohë kryetari i shtetit Grek, arvanitasi Theodoros Pangallos mbajti një qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë: Ai deklaroi zyrtarisht përpara lidhjes së kombeve në Gjenevë se:

“Republika Greke njihte minoritetin shqiptar, që jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke.

Teza që ortodoksit shqiptarë janë grek, që është përhapur deri më sot është e gabuar dhe është hedhur poshtë nga të gjithë ne.

Pasi ajo mori tatëpjetën dhe arriti pikën, që nuk mbante më, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë “veriepirotë”, që mëshironin skajet më ekstreme të këtij mentaliteti të sëmurë”

Kur Pangallos ishte kryeministri i Greqisë u nënshkrua (me 25 qershor 1926) marrveshja për shkëmbimin e kriminelëve dhe vjedhësve nga të dy vëndet. Më 13 tetor 1926 u nënshkrua “Marrveshja Konsullore”, e cila kishte të bënte me kryerjen e veprimeve administrative, mbajtje pasurish, shitje, blerje, lindje, vdekje si dhe lirinë e tregtisë mes shqiptarëve dhe grekëve, punësimin e lirë pa taksa dhe viza doganore për shtetasit me banim 15 km larg vijës kufitare nga dy anët e kufirit.

Në këtë periudhë u shpall amnisti për të gjithë Çamët e dënuar ose të pandehur, u premtua përdorimi i gjuhës shqipe në disa shkolla të Greqisë e tjerë.

Kjo është periudha e vetme në historinë e shtetit Grek ku respektohen disa të drejta të minoritetit shqiptar në Greqi.

 

Përfundimi: Pas 100 viteve të veprimit të klauzolave të Konventës së Lozanës (viti 2023), krijon një situatë të re për shqiptarët e Çamërisë. Shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues, por edhe shteti turk duhet t’i drejtohen e t’i kërkojnë shtetit grek dëmshpërblimin me vlerë prej 2.700 000 napolona ar, për pasuritë e grabitura, si: shtëpi, toka, ullishte, vreshta etj. duke i kaluar ato në pronësi të refugjatëve grek të ardhur nga Azia eVogël.

Në këtë kuadër duhet të shqyrtohet edhe statusi i minoritetit etnik shqiptar prej rreth 100 000 banorësh shqiptar mysliman që u shpërngulën për në Turqi, por që ishin të kombësisë shqiptare.