Prof. Dr. Qemal Lame: Krimet politike me rritje rekord në Gjermani

45
Sigal

Shteti dhe shoqëria gjermane janë të shqetësuar dhe kanë reaguar në kohë e me rreptësi ndaj kriminalitetit në tërësi dhe në veçanti veprave penale të motivuara politikisht. Kriminaliteti me motive politike e fetare ka shënuar rritje,- thuhet në bilancin vjetor për vitin 2023 të bërë publik nga Ministria e Brendshme dhe Enti Federal i Kriminalistikës. Arsyeja e kësaj gjendjeje argumentohet me gjendjen e krijuar edhe në Gjermani ku ndjehen pasojat e sulmit terrorist të Hamasit radikal-islamik ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe të luftës që pasoi në territorin e Gazës.

Gjendja në Lindjen e Mesme ka influencuar në të gjitha nivelet me veprime të radikalizuara në Gjermani, me rritjen e qendrimeve antisemitiste, protestave në rrugë dhe rritjen e kriminalitetit me motive politike. Potenciali i përshkallëzimit është i madh.

Presidenti i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, tërhoqi vëmëndjen për gjendjen e kësaj kategorie të veprave penale, që kanë krijuar shqetësime dhe ndikojnë negativisht në jetën shoqërore dhe funksionimin e demokracisë. Krimi i motivuar politik është pothuajse dyfishuar brenda dhjetë viteve dhe po vazhdon të rritet,- tha ai të martën, më 21 maj 2024, kur prezantoi raportin përkatës të autoritetit të tij. Dhe në fakt, konstatimi kryesor është se numri i krimeve të motivuara politikisht u rrit vitin e kaluar dhe tani ka arritur një maksimum historik.

Krime të motivuara politikisht

Për herë të parë numri i të gjitha veprave penale me motive politike të regjistruara arrin në mbi 60.000, një rritje me rreth 1100 akte më shumë se në vitin 2022 dhe dyfish më shumë se vite më përpara. “Ata, që mbjellin indinjatë dhe urrejtje në shoqërinë tonë, janë bërë edhe më të zhurmshëm. Urrejtja në rrjet ka shpërthyer edhe më tej”, -thotë ministrja socialdemokrate Nancy Faeser.

Shumica e rasteve të regjistruara kanë të bëjnë me kundërvajtje propagandistike. Në statistikën aktuale këto raste përbëjnë rreth një të tretën. Ndër to bie në sy kryesisht përdorimi i simboleve të organizatave antikushtetuese, si kryqi i thyer i nacionalsocialistëve. Por edhe nxitja e urrejtjes në popull, fyerjet dhe dëme materiale bëjnë pjesë në statistikë me kuota nga 13 deri në 15 përqind.

Rreziku më i madh vazhdon të mbetet ekstremizmi i djathtë. Gati gjysma e të gjitha akteve penale vjen nga radhët e këtij grupi. “Në asnjë sektor tjetër numri i viktimave nuk është kaq i lartë sa në rastin e ekstremizmit të djathtë”,- thekson ministrja e Brendshme Faeser. Për të shqetësim të madh përbëjnë sulmet ndaj zyrtarëve të shtetit dhe politikanëve. Prej dhunës ndaj tyre janë të prekura të gjitha partitë.

Në fokus janë gjithnjë e më shumë edhe ekstremizmi i majtë dhe islamizmi. Sikurse theksoi ministrja Nancy Faeser, këto janë veprime, që drejtohen kundër shoqërisë sonë të hapur dhe të lirë. “Janë vepra, që drejtohen kundër dinjitetit të njeriut dhe kundër demokracisë sonë.” Organet e rendit dhe të sigurisë do të veprojnë me të gjitha instrumentat ligjore në dispozicion për të parandaluar dhunën dhe veprimet ekstreme.

Krimet e majta, të cilat përbëjnë një përqindje më të vogël, u rritën me 11 për qind. Numri i akteve të grupuara nën “ideologji fetare” është trefishuar.

Prej javësh, përfaqësues të të gjitha partive ankohen për veprimet e paligjshme që kanë ndikuar në brutalizimin e shoqërisë gjermane. Shifrat zyrtare e mbështesin këtë fenomen në rritje. Në fushën e “ideologjisë fetare” kishte 76 për qind më shumë akte dhune të motivuara politikisht. Pothuajse 9 për qind më shumë për “të djathtën” dhe “të majtën”. Aktet e dhunshme të nxitura nga “ideologjia e huaj” u rritën me 32 për qind. Vetëm rreth gjysma e të gjitha krimeve të motivuara politikisht u zbuluan në vitin 2023. Janë zbardhur dy nga tre aktet e dhunës.

Rritje prej 7000 për qind.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 është një pikë kthese në formën e konfrontimeve në rrugët gjermane. Në vitin 2022 kishte vetëm 61 krime në lidhje me Izraelin dhe Palestinën. Një vit më vonë kishte 4,369, kjo është një rritje prej 7,000 për qind. 97 për qind e krimeve në lidhje me Izraelin dhe Palestinën kanë ndodhur pas 7 tetorit. Dhuna ka ndodhur në pesë për qind të të gjitha rasteve.

Veprat penale kanë ndodhur kryesisht nga motivimi dhe nën ndikimin e nxitjen e “ideologjisë së huaj” dhe “ideologjisë fetare”. Por ka edhe rritje të ndjeshme të veprave penale që i përkasin kategorive “të djathta” dhe “të majta”. Pothuajse gjysma e të gjitha veprave penale kanë ndodhur nën ndikimin e situatave politike të krijuara në qëndrimet ndaj marrëdhënieve të tensionuara të Izraelit dhe Palestinës, luftës dhe pasojave katastrofike. Këto klasifikohen nga autoritetet si antisemite. Në përgjithësi, numri i krimeve antisemite u dyfishua vitin e kaluar. Gjysma e krimeve antisemite u kryen pas 7 tetorit. Gjysma e krimeve antisemite kanë shkakun nën fenomenin e “të djathtës”, por ajo që vihet re është rritja e jashtzakonshme e “ideologjisë së huaj” dhe “ideologjisë fetare”, me një rritje katërmbëdhjetëfish. Ministrja e Brendshme Federale Nancy Faeser (SPD) foli të martën për “urrejtjen e neveritshme ndaj hebrenjve” në Gjermani.

Rritja e akteve me “cilësi terrorizmi”

Nëse lexohen dhe interpretohen me objektivitet statistikat e paraqitura të martën në tërësi, ajo që vihet re veçanërisht është rritja e veprave penale të kryera në bazë të ideologjisë fetare. Ata janë trefishuar në një vit. Autoritetet theksojnë se ky fenomen përfshin edhe shumicën e akteve që kanë një “natyrë terroriste”. Numri i këtyre veprave është rritur, nga 74 në 94 krime.

Vitin e kaluar pati shumë diskutime rreth aktivistëve të klimës, të cilët u grumbulluan dhe deri u shtrinë në rrugë, duke bllokuar trafikun ose duke penguar punonjësit e shpëtimit. Numri i këtyre veprave penale pothuajse u dyfishua nga viti 2022 në 2023. Shumica dërrmuese e veprimeve të aktivistëve klasifikohen si të motivuara nga krahu i majtë. Përqindja e akteve të dhunshme ishte 13 për qind, të kryera nga aktivistët ose që shkaktuan lëndime fizike ose rezistuan duke këndërshtuar me dhunë ndaj forcave rendit.

Paralelisht me disa ngjarje të dhunshme e në Berlin, në Frankfurt u zhvillua edhe dita e parë e gjyqit kundër grupit rreth Princit Reuss, i cili thuhet se kishte planifikuar të rrëzonte rendin shtetëror. Ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser, tha se nuk kishte asnjë arsye për siguri që krimet që përfshijnë qytetarët dhe mbështetësve të ish qeverisë së Rajhut ranë me 30 për qind vitin e kaluar.

Numri i veprave penale ka rënë ndjeshëm edhe në dy tema të tjera: lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe pandemia e koronës.

Shteti i së drejtës me institucionet e rendit e të drejtësisë godasin me forcë e në kohë kriminalitetin, veprat e rënda dhe grupimet kriminale të brendshme dhe ato me lidhje ndërkombëtare. Në fokus janë gjithnjë e më shumë edhe ekstremizmi i majtë dhe islamizmi. Këto janë veprime, që drejtohen kundër shoqërisë gjermanr të hapur dhe të lirë, kundër dinjitetit të njeriut dhe kundër demokracisë. Organet e rendit dhe të sigurisë veprojnë me të gjitha instrumentat ligjore në dispozicion për të parandaluar dhunën dhe veprimet ekstreme.

Partitë politike dhe opinioni publik reagojnë dhe dënojnë krimet duke mbështetur policinë, prokurorinë e gjykatën. Institucionet shtetërore dhe shoqëria i kushtojnë vëmëndje ndërgjegjësimit për mbrojtjen e rendit dhe marrjes së masave për zbatimin e ligjit pa lëshime ndaj cilido, si dhe parandalimin në kohë të veprave peanle.