Kosova, më 28.12.2025, votoi me qetësi, dinjitet dhe me rregulla të qarta demokratike. Shqiptarët dëshmuan se mbrojnë me përkushtim interesat kombëtare. Ky është motivi, qëllimi dhe rezultati kokret i fitores në zgjedhje, mbështetjes ndaj programeve të grupimeve politike dhe besimit ndaj liderve të tyre.
Zgjedhësit vendosën për mbrojtjen e interesave kombëtare
Populli i njeh dhe i mbështet ata që punojnë me përkushtim dhe nuk janë të korruptuar, nuk kanë krijuar pasuri të dyshimta, nuk mburren dhe nuk kërkojnë privilegje e votë me kontributin në të kaluarën e vlerësuar por aktualisht nuk kanë mbështetjen e nevojshme. Partitë kishin në program interesat kombëtare. Por besimin e morën politikanët që dëshmojnë mbrojtjen e këtyre interesave. Nuk arritën pritshmëritë politikanët që kanë bërë lëshime sidomos me marëveshjet ndërkombëtare në favor të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, etj. Me këto vlerësime, Vetëvendosja e kryesuar nga Albin Kurti i fitoi zgjedhjet me meritë dhe ashtu si pritej nga shumica e shqiptarëve.
Pjesëmarrja masive, në përqindje më të lartë se në zgjedhjet e kaluara, ishte një nga treguesit e fitores. Në mënyrë të veçantë, pati ndikim të fuqishëm interesimi kombëtar i bashkatdhetarëve që erdhën nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuan me postë apo fizikisht në ambasadat e konsullatat e Kosovës.
U votua me përgjegjësi, modesti, pa shpenzime në dëm të shtetit apo qytetarëve, pa reklama mediatike me vlera të larta, pa u tronditur nga ndonjë ekstremizëm i militantëve politikë apo individëve nacionalistë që luftojnë kundër pavarësisë e sovranitetit.
Rezultati i zgjedhjeve, ndryshoi raportet midis partive politike. Partitë politike i pranuan rezultatet, u shprehën për bashkëpunim, nuk u bënë akuza për përdorimin e shtetit, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar në procesin zgjedhor dhe jetën politike. Albin Kurti dhe LVV shpallën fitoren duke shprehur gadishmërine e tyre për të bashkëpunuar me opozitën për sfidat që e presin Kosovën, kryesisht për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe zgjedhjen e presidentit. Lumir Abdixhiku e LDK pranuan humbjen duke u përkulur para vullnetit popullor. Pati edhe të meta e kundërvënie të hapta. Gjerësisht pranohet se shumica e studiove televizive dhe disa përfaqësues të bisneseve që cilësohen si oligarkia e re, ishin haptazi kundër Albin Kurtit dhe LVV.
Forcimi i shtetit dhe demokracisë
Kosova votoi për lirinë, sovranitetin, integritetin teritorial duke ngritur më lart kulturën e admirueshme demokratike në forcimin e shtetit, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe garantimin e të drejtave e lirive të gjithë shtetasve, përfshirë edhe të nacionalieteve në numër më të vogël që kanë rol e vend të privilegjuar në Kushtetutë dhe i gëzojnë realisht në gjithë veprimatrinë shtetërore e shoqërore e jetën e përditëshme të çdo shtetasi.
Kosova tregoi se vazhdon me përgjegjësi rrugën e reformimit e forcimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Partnerët dhe media ndërkombëtare vlerësuan daljen nga bojkoti
BE-ja, SHBA, etj., reaguan më në kohë, vlerësuan zgjedhjet, inukrajuan dhe presin vendime të shpejta. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, thanë se “Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fuqishëm ndaj parimeve demokratike, pas një bllokade politike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025”.
BE vazhdon vëzhgimin edhe pas zgjedhjeve për ta ndjekur vazhdimin e procesit paszgjedhor. Dy zyrtaret e larta të BE-së, Kallas dhe Kos, bëjnë të ditur se BE-ja tashmë ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës. “Asistenca financiare prej 216 milionë eurosh është liruar tashmë pas transferimit të qetë të pushtetit lokal pas zgjedhjeve të fundit. Ne po ashtu synojmë lirimin e 205 milionë eurosh tjera në pjesën e hershme të vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.
Ky është një lajm i mirë dhe inkrajues për Qeverinë e institucionet e tjera të larta. Dilet nga izolimi dhe forcohen pozitat ndërkombëtare që ndikojnë në njohje të reja.
Çertifikimi i rezultateve përfundimtare, do të krijojë kushtet ligjore për krijimin e Kuvenit e të Qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Me përparësi janë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, pët të cilat është e nevojshme bashkëpuni me partitë opozitare. Plani i Rritjes i BE-së është vlerë që lidhen me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që në total arrin vlerën e 6 miliardë eurove, nga të cilat Kosovës do ti jepen shuma në vlerë 880 milionë euro. Po kështu do të përfitohet edhe nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë. Pra mbi 1 miliardë do të vihen në përdorim për zhvillimin ekonomik e social në dobi të popullit.
Dialogu me Serbinë e vetmja rrugë drejt integrimeve evropiane
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të kenë mbështetje më të gjerë popullore për të mbrojtur interesat kombëtare në bisedimet për marrëveshjen me Serbinë. Në Veriun e Kosovës zbatohet ligji si në gjithë teritorin. Këto dy vitet e fundit nuk ndihen presionet për marrëveshje me çdo kusht, asociacionin serb me pushtet teritorial, deri edhe me lëshime teritoriale në dobi të Serbisë. Distancimet dhe mosbesimet që tregon Presidenti serb Vuçiç ndaj politikës amerikane dhe asaj evropiane, kanë ndikuar që të kuptohet më mirë politika e Beogradit ndaj Prishtinës.
Presidenti Vuçiç dhe gjithë politikanët e mbarë opinoni publik serb, të lexojnë e interpretojnë drejtë e të nxjerrin mësime nga Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili më 18 dhjetor 2025, firmosi Aktin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026 të miratuar nga Kongresi dhe Senati. Me këtë akt tregohet vëmëndja për sigurinë në rajon, mbështetjen e Kosovës. Në mënyrë të qartë mbrohet sovraniteti e integriteti teritorial. Me forcë goditen ëndërrat shoviniste për rikthimin apo për coptimin e territorit të Kosovës, që Serbia të aneksonte veriun e saj. Njëkohësisht kuptohen edhe veprimtaria e rrezikshme e fondacionit Sorros në ndihmë të Serbisë.
Mësime për përmirësimin e zgjedhjeve edhe në Shqipëri
1.Kosova shpall rezultatet zgjedhore brenda 3 orëve, ndërsa Shqipëria i merr disa ditë. Kjo evidenton dukshëm ngadalësinë e procesit maratonë të numërimit të votave në vendin tonë. Numërimi i votave në qendrat e votimit është një hap i rëndësishëm që do të rrisi cilësinë e procesit zgjedhor dhe do të rrisi besimin për zgjedhjet nga vetë shtetasit që morën pjesë në votime.
2.Ka interes edhe sistemi zgjedhor proporcional kombëtar, në krahasim me me sistemin tonë zgjedhor të fragmentuar në qarqe dhe me deputetë të zgjedhur përmes dy kategorive.
- Pa kontroll të vërtetë mbi paranë e shpenzuar nga kandidatët dhe partitë politike nuk mund të ketë garë të barabartë.
- Demokracitë funksionojnë më mirë dhe mbijetojnë më gjatë aty ku Kushtetuta dhe ligji përforcohen nga norma demokratike të pashkruara dhe kërkohet zbatimi i tyre me rreptësi.
Pranimi me ndërgjegje i rezultatit të zgjedhjeve. Partia fituese të tregojë gatishmëri për bashkëpunim me partitë në opozitë për të krijuar në kohë institucionet e reja kushtetuese. Organizimin i zgjedhjeve dhe garantimi i veprimtarisë normale të shtetit e të shoqërisë përsosen me mësimet që nxirren nga zgjedhjet e mëparëshme.
Me reforma të thella të mëtejshme, do të jetë bëjmë kapërcimet epokale për t’u bashkuar me familjen e Evropës së bashkuar.






















