Prof.Dr. Niko Pano& Prof.Dr. Alfred Frashëri/ Skavica, Drini i Zi, Shkodra dhe përmbytjet

768
Liqeni i Shkodrës, lumi Buna dhe lumi Drin siç dihet formojnë së bashku një tërësi të vetme ujore, që për veçoritë, përmasat dhe shkallën e ujshmërisë, përfaqësojnë një ekosistem hidrografik të rëndësishëm. Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës e këtij ekosistemi është 19582 km2 , ose gjysma e territorit të Shqipërisë. Ky pellg shtrihet në territoret shtetërore: të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Kosovës. Rrjeti hidrografik i këtij territori, krahas karakterit ndërkufitar, shquhet edhe për një potencial të lartë hidrik. Nëpërmjet deltës së lumit Buna shkarkohet në det një volum mesatar vjetor prej 21.4 km3 ujë, që i përgjigjet një prurje të lartë prej 679 m3/s e cila e rendit Bunën të bashkuar me Drinin në vendin e tretë të bilancit ujor të pellgut të Mesdheut, pas lumenjve të njohur Ron dhe Po. Krahas potencialit të lartë ujor, sistemi hidrografik: “Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Lumi Drin” përfaqëson ndërkohë ekosistemin më të pasur e më të rrallë të Ballkanit dhe më gjerë. Ky ekosistem që shpesh herë emërtohet edhe si një nga “Aeroportet” më të mëdha të shpendëve te ujit ne Evropë, ka një biodiversitet të admirueshëm të përbërë nga 280 lloje shpendësh, 60 lloje peshqish, 17 lloje amfibësh, 33 lloje reptilësh, 40 lloje molusqesh, 37 lloje gjitarësh dhe 122 lloj bimësh. Këto shifra dëshmojnë për një potencial të lartë dhe të padiskutueshë m ekologjik të këtij sistemi. Vlerat mjedisore natyrore të kësaj zone, shtohen dukshëm po të merren parasysh edhe lidhjet hidrike të njëpasnjëshme të vetë liqenit të Shkodrës me lumin Buna e detin Adriatik, lidhje të cilat, vihen re, nëpërmjet deltës madhështore te Bunës në detin Adriatik, si dhe sistemit të gjerë të ligatinave në zonat përreth. Në këtë ekosistem gjigant natyror, biodiversiteti është i lartë dhe rajoni konsiderohet si rezervë biogjenetike e rëndësisë Evropiane. Liqeni i Shkodrës rreshtohet në ligatinat e rëndësishme ndërkombëtare për nga numri i shpendëve të ujit dhe habitatit, duke plotësuar kështu kushtet e Konventës Ramsar. Liqeni i Shkodrës tërheq zogj migrator dhe u ofron kondita të mira natyrore për banim dhe kolonizim. Avifauna tregon një numër të madh speciesh, 90% e specieve të zogjve lëvizin brenda vendit dhe jashtë tij, duke lidhur rajonin me vendet fqinjë, Azinë dhe Afrikën. Numri i shpendëve të ujit që dimërojnë në liqenin e Shkodrës është rreth 150000 në 350000.

“Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Lumi Drin”
Në këto kushte, sistemi hidrografik: “Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Lumi Drin” përfaqëson pa dyshimin më të vogël potencialin më të fuqishëm natyror si për zhvillimin e tanishëm ekonomiko- kulturor të qytetit të Shkodrës e të zonave përreth, ashtu edhe për atë të perspektivës së afërt e të largët. Natyra e ka privilegjuar Shkodrën. Por krahas potencialit të lartë hidro-biologjik, ky sistem hidrografik shquhet edhe për parregullsia të theksuara të karakterit hidraulik, që dëmtojnë vlerat e veçanta natyrore të këtij ekosistemi të rëndësishëm ndërkombëtar, duke intensifikuar procesin e Eutrafizimit. Derdhja e ujërave të lumit Drin në shtratin e Bunës në daljen e saj të menjëhershme nga liqeni i Shkodrës, jo vetëm pengon shkarkimin e lirshëm të ujërave të tepërta të liqenit, por në disa raste formon edhe rrjedhje në drejtim të kundërt. Në këto kushte, në Bunë, takohet rryma e penguar, ose si emërtohet edhe ndryshe, rrymë me presion të ndryshueshëm. Kjo gjendje është më e theksuar në rastin e plotave të mëdha, kur Drini sjell ujëra të shumta. Ky pengim, si dhe fakti tjetër i rëndësishëm që shtrati i lumit Buna, pas derdhjes së Drinit, nuk ka aftësi të transportojë sasira të mëdha ujërash, duke shkaktuar oscilacione të fuqishme në amplitudën e liqenit të Shkodrës, që kanë për pasojë përmbytjen e zonave të gjera përreth, si në Shqipëri ashtu edhe në Malin e Zi.
Aftësia ujëheqëse e shtratit të lumit Buna
Aftësia ujëheqëse e shtratit të lumit Buna është vetëm 1800m3/s, kur ndërkohë prurjet natyrore të pa ndikuara të lumit Buna në dalje të liqenit të Shkodrës dhe të lumit Drin në derdhje të tij në Vaun e Dejës, me p=1% siguri janë respektivisht rreth 3500m3/s dhe rreth 6000m3/s. Gjatë plotave maksimale, jo vetëm prurjet janë të larta, por edhe volumi i ujërave të plotave maksimale që arrin respektivisht deri në 1200106m3 dhe kohë zgjatje totale të saj deri në 7-8 ditë, janë gjithashtu të larta. Si rrjedhojë gjatë periudhës së reshjeve intensive, derdhja e plotave maksimale të Drinit në shtratin e lumit Buna “bllokon” shkarkimin e lirshëm të ujërave të tepërta të liqenit të Shkodrës duke shkaktuar zmadhim të oscilacioneve të niveleve të ujërave, respektivisht, nga niveli minimal 4.39m.Abs deri në nivelin maksimal 9.97m.Abs. si rrjedhojë e këtyre oscilacioneve, edhe sipërfaqet edhe volumet korresponduese të këtij liqeni, variojnë po gjithashtu në kufij mjaft të gjerë, respektivisht për sipërfaqet e liqenit nga 390km2 deri në 550km2 dhe për volume të ujërave të tij 1.53109m3 ujë deri 4.4106m3 ujë. Këto oscilacione sjellin si pasojë përmbytjen e zonave të gjera përreth liqenit, si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi, si dhe degradimin e këtij objekti të rëndësishëm hidrografik në aspektin ekologjik Në këtë mënyrë liqeni i Shkodrës, pavarësisht moshës së re nga gjeneza, ai përjeton aktualisht faza të eutrafizimit, porsa i përket aspektit limniologjik. Zona e liqenit të Shkodrës, si një hapësirë natyrore ndërkombëtare është e përbashkët midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ndërmjet këtyre dy shteteve, prej kohe, ka funksionuar një komision i përbashkët hidroekonomik për rregullimin e liqenit të Shkodrës – Drinit dhe Bunës. Nga të dy qeveritë është nënshkruar marrëveshja për menaxhimin e mirëkuptimin për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Zhvillimit të liqenit të Shkodrës. Në këto kushte të dy vendet, kanë marrë angazhime të ruajnë burimet natyrore të liqenit të Shkodrës, në mënyrë të integruar, si dhe të vendosin për krijimin e një komisioni të përbashkët për menaxhimin e liqenit, si dhe të përmirësojë nivelin rregullues kombëtar dhe kapacitetet institucionale. Gjatë viteve të fundit qeveritë e të dy vendeve, kanë njohur impaktin e mundshëm që shkakton degradimin e mëtejshëm të resurseve natyrore bazë dhe kanë hartuar plane konkrete për zhvillimin dhe për ruajtjen e liqenit të Shkodrës dhe pellgut të tij ujëmbledhës. Është përgatitur një plan strategjik veprimi për liqenin e Shkodrës. Të dy vendet kanë nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje dhe konventa, lidhur me ujërat kufitare dhe mbrojtjen e mjedisit natyror. Kohët e fundit u organizua me sukses në Tiranë, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë: “E ardhmja e resurseve hidrike dhe energjetike, si dhe Mbrojtja e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna”, nga Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës – Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në këtë aktivitet të rëndësishëm shkencor ndërkombëtar, morën pjesë edhe përfaqësues nga Mali i Zi e Kosova. Ndër problemet e shumta shkencore të paraqitura u përfshinë edhe çështje të rëndësishme lidhur me platformën dhe kriteret e rregullimit të ekosistemit të Shkodrës. Platforma për rregullimin e regjimit hidroekologjik të liqenit të Shkodrës, do të mund të përfshinte këto komponentë kryesore: disiplinimin e rrjedhjes ujore të lumit Moraça që derdhet në liqenin e Shkodrës, rritjen e aftësive ujëheqëse të lumit Buna si dhe rregullimin e rrjedhjes ujore të lumit Drin. Lumi Moraça është afluenti kryesor i liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Qeveria e Malit të Zi ka projekte për shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Moraça. Mirëpo duke pasur parasysh faktin e rëndësishëm natyror, se territori i pellgut ujëmbledhës të këtij lumi është i ndërtuar kryesisht nga formacione gëlqerore, nuk supozohet mundësia e ndërtimit të veprave hidroenergjetike në këtë pellg, që do të mund të shërbenin për rregullimin e rrjedhjes maksimale. Buna është jo vetëm emisar i liqenit të Shkodrës, por edhe i rrjetit hidrografik të lumit Drin. Si rrjedhojë nëpërmjet shtratit të Bunës shkarkohen në detin Adriatik ujërat qe formohen në një pellg të gjerë i cili përfshin si pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës ashtu edhe atë të lumit Drin dhe të dy degëve të tij afluent: Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Siç dihet liqeni i Shkodrës është një liqen relativisht i cekët fushor i tipit krifto-depresion, me thellësi të vogla (rreth 7-9m). Në nivelin minimal ky liqen ndodhet vetëm 4m mbi nivelin e detit Adriatik, atje ku shkarkohen ujërat e lumit Buna së bashku me ato të Drinit. Duke patur parasysh gjatësinë e shtratit të lumit Buna prej rreth 43km, ky lum në të vërtetë përfaqëson një “kanal” të zakonshëm natyror, i cili në realitet, lidh liqenin e Shkodrës me detin Adriatik si ujërat e tepërta të liqenit të Shkodrës ashtu edhe rrjedhjen e plotë ujore të lumit Drin. Meqenëse aftësia ujëheqëse e lumit Buna është tepër e vogël (>1800m3/s) një nga masat që do të mund të ndërmerret është dhe rritja e aftësisë ujëheqëse, nëpërmjet thellimit dhe sistemimit të shtratit të rrjedhjes. Thellimi dhe sistemimi i rrjedhjes së shtratit të lumit Buna është një ndërmarrje mjaft e kushtueshme, që dhe për shkak të pjerrësisë së vogël do të rezultonte edhe jo shumë efikase. Ndërkohë ky thellim do të intensifikonte edhe depërtimin e valës baticore si dhe procesin e valëzimit në deltën e këtij lumi në detin Adriatik. Reduktimi i ndikimit të rrjedhjes maksimale të lumit Drin dhe të dy afluentëve të tij kryesorë: Drini i Bardhe e Drini i Zi, përfaqëson komponentin më të rëndësishëm të platformës së përgjithshme për rregullimin e regjimit limniologjik të liqenit të Shkodrës. Duke u nisur nga fakti, se, kaskada hidroenergjetike aktuale e lumit Drin e përbërë nga liqeni artificial i Fierzës, i Komanit dhe i Vaut të Dejës, ka hyrë prej kohe në funksionim, e vetmja alternativë, që ka mbetur për t’u zgjedhur është shfrytëzimi i mundësive që ofrojnë degët e Drinit. Drini i Zi, degë kryesore e lumit Drin, me sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 5885km2, formon një plotë maksimale, me p=1% siguri, me prurje 1850m3/s dhe volum 400106m3 ujë. Si rrjedhojë, nëpërmjet shfrytëzimit racinal të kapaciteteve hidroenergjetike të Drinit të Zi në Skavicë, mund të arrihet në rregullimin sa më të mirë të plotave maksimale të këtij lumi, duke reduktuar sa më mirë që të jetë e mundur, impakti i rrjedhjes së ujërave maksimale të lumit Drin, në liqenin e Shkodrës. Ky veprim përputhet plotësisht me idenë e rëndësishme, që plotat maksimale duhet të rregullohen atje ku ato edhe formohen, në pjesën e sipërme të rrjedhjes dhe jo atje ku ato derdhen, në zonën bregdetare, ku edhe shkaktojnë përmbytje. Kjo ide e rëndësishme që fatkeqësisht nuk është realizuar deri tani, ashtu siç duhet, në shfrytëzimin e lumenjve të tjerë të rëndësishëm të vendit tonë (Vjosa, Devolli etj.) duhet të aplikohet në Drinin e Zi, si e vetmja alternativë e mundshme dhe efikase për rregullimin e liqenit të Shkodrës. Duhet theksuar fakti i rëndësishëm, se një shfrytëzim i kësaj natyre, i resurseve hidroenergjetike të Drinit të Zi bën të mundur që impakti në rregullimin e liqenit të Shkodrës të ketë vlera jo më të vogla, sa dhe vetë përfitimi i energjisë elektrike nga ndërtimi i hidrocentraleve në këtë lum. Si rrjedhojë binomi: ekologji-energji është kriteri bazë për vlerësimin e efikasitetit të skemave hidroenergjetike të Drinit të Zi.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 22.01.2016
Sigal