Prof. Dr. Lush Susaj: Lidhja e korrupsionit me grevëthyesit e protestës studentore dhe universitare

210
Sigal

Grevëthyesit që organizohen në kuadrin e tarafit korruptiv dhe nepotikë, dhe si gjithmonë në errësirë dhe brenda natës, janë një pakicë e djallëzuar e stafeve akademike. Janë të përkëdhelur dhe të mirëpaguar nga strukturat e shtetit të korruptuar që shantazhojnë dhe kërcënojnë studentët dhe pedagogët. Në krahasim me kolegët e tyre të meritës dhe të burrërisë intelektuale, ata marrin shpërblime dhe paga mbi 5 herë më të lartë, në krahasim me 95 % të punonjësve në universitete. Një pjesë e indoktrinuar deri në palcë, për kërcënimet me nota ngelëse ndaj studentëve, duhet të zgjohen e të kërkojnë falje publike, pasi një ditë  do të mbajnë përgjegjësi, si qytetare, por edhe ligjore…


Për fatin tonë të mirë, në momentet më të vështira të Shqipërisë, rinia studentore e painfektuar nga dogma dhe çorba e komunizmit, është ajo pjesa që ka ditur të reagojë me forcë kundër rregjimeve varfëruese, shtypëse, denigruese e mashtruese. Rinia studentore ka qenë dhe është pararoja dhe forca e zgjimit të shoqërisë dhe stafeve akademike. Propaganda dehuminizuese e diktaturave të korupsionit e shpërfytyron njeriun dhe familjen, deri në atë masë sa e ndan edhe prindin nga fëmija, por edhe pedagogun nga studenti.

  • Protesta e pedagogëve dhe pedagogët grevëthyes e mohues të vetvetes

Protesta e punonjësve të universiteteve publike, është një nga ngjarjet kulmore të kësaj periudhe, e cila buron nga korrupsioni, nepotizmi, keqmenaxhimi dhe gjendja e rëndë, që është krijuar në universitetet publike të vendit, e në të gjithë sistemin arsimor të Shqipërisë. Përkundrejt reagimit të pjesës më elitare e më të shëndoshë të shoqërisë, si kudo në sistemet moniste, na shfaqet edhe fenomeni i njohur i grevëthyerjes përmes shantazhit, kërcënimeve, korrupsionit dhe marifeteve të tjera me takime dhe konferenca, që njoftohen, sajohen dhe organizohen në kuadrin e tarafit korruptiv dhe nepotik, e si gjithmonë në errësirë dhe brenda natës. Sikurse dihet nga të gjithë, grevëthyesit janë një pakicë e djallëzuar e stafeve akademike. Janë një pakicë e përkëdhelur dhe e mirëpaguar nga strukturat e shtetit të korruptuar, që krahasuar me kolegët e tyre të meritës dhe të burrërisë intelektuale, marrin shpërblime dhe paga mbi 5 herë më të lartë, e në këtë mënyrë bëhen fare të pandjeshëm ndaj varfërisë dhe problemeve me të cilat përballën mbi 95 % e punonjësve të universiteteve. Kështu që në protestë kanë dalë pjesa më e madhe e pedagogëve, ata që paguhen me 5-7 euro/orë mësimi, e që çdo të shtune e të diele, ju duhet që të udhëtojnë me autobuz drejt Kosovës ku japin mësim në fundjavë, e ku paguhen me nga 25 euro/orë mësimi, plus edhe drekën falas që e ofrojnë dhe paguajnë universitetet më të reja të rajonit dhe botës, sikurse janë Universiteti i Prizrenit, i Pejës, etj. Nëse doni që të kuptoni edhe një “qiqërr tjetër” sikurse i quan kryeministri kërkesat tona, po ju tregoj se si një profesor në Kosovë merr një pagë mujore fikse prej 1560 euro/muaj, ndërsa në universitetetet tona merr vetëm 800 euro/muaj. Pedagogu në Kosovë, përveç pagës ka edhe dhjetëra benefite e mundësi të tjera punësimi, supërvizioni dhe ekspertize. Ndërsa në Shqipëri (me përjashtim të një grushti të vogël njerëzish me lidhje nepotike e korruptive pranë institucioneve shtetërore dhe qeverisë), pjesa më e madhe me mbi 98% e pedagogëve, nuk kan asnjë mundësi tjetër fitimi përveç pages. Sepse sikurse dihet ekspertizat, studimet, supërvizionet, madje edhe paratë për teknologjitë dhe studimet shkencore, prej shumë kohësh po i marrin shoqatat e korrupsionit të partisë dhe militantët, të cilët dinë vetëm të firmosin dhe të kopsitin dosjet e fiktivitetit dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë, është korrupsioni ai që e ka lënë ekonominë tonë kombëtare pa sy dhe pa tru, pa teknologji dhe pa standarte bashkëkohore. Dhe këtë fakt, më mirë se askush tjetër e dinë pedagogët e fushave specifike të prodhimit, të cilët janë menjanuar reformat dhe kontributet, sepse politikanët dhe funksionarët e korruptuar e dinë shumë mirë faktin që prej tyre nuk mund të marrin firma e as përfitime korrupsioni. Që do të thotë që grevëthyerja si dukuri dhe si profesion, lind, ushqehet dhe jeton atje ku ka korrupsion, mashtrues dhe kakistokratë.

Pothuajëse në të njëjtën kohë, është protestuar për pagat edhe në Kosovë, e ku sikurse dihet, nuk pati asnjë drejtues institucioni, e as ndonjë funksionarë shtetërorë që të shkonte për të thyer protestën studentore, e as protestën e stafeve akademike e mësimore. Përkundrejtë faktit që në Shqipëri, edhe pse mësuesit dhe profesorët paguhen me një pagë që është sa gjysma e pagës së Kosovës, protesta e tyre u sulmua natën midis datës 4 dhe 5 tetor, duke shantazhuar dhe pamundësuar pjesëmarrjen e një numëri edhe më të madh të profesorëve në protestën e shpallur dhe të njoftuar nga sindikata e tyre, rreth 20 ditë më parë. Në këtë mënyrë, politika e korrupsionit dhe përçarjes, njëlloj sikurse sulmoi dhe përçau studentët dhe lëvizjen studentore të viteve 2018-2019, sulmoi dhe po kërkon që me patjetër të përçajë edhe të stopojë edhe protestën e pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve publike.

Ekspertizat, studimet, supervizionet, madje edhe paratë për teknologjitë dhe studimet shkencore, prej shumë kohësh në vend që t’u ofrohen pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve po i marrin shoqatat e korrupsionit të partisë dhe militantët, të cilët dinë vetëm të firmosin dhe të kopsitin dosjet  e fiktivitetit dhe korrupsionit duke e lenë ekonominë tonë kombëtare pa sy, pa tru, pa teknologji dhe pa standarte bashkëkohore.

  • Është koha që të mos nderojnë më gjatë të kakistokratët dhe mashtruesit

Koha tregoj që duke harruar dhe duke mos ndëshkuar hapur e me emra përçarësit dhe grevëthyesit e protestës studentore të viteve 2018-2019, ndodhi që fenomeni të na përsëritet në forma edhe më të frikshme, sikurse është ajo që ndodhi më datën 5 tetor 2022, ku dora e zezë e partisë shtet, vetëm për të penguar pjesëmarrjen e profesorëve në protestë, shkelën ligjin mbi grevat dhe sindikatat (nenin 197 të kodit të punës), duke organizuar takime dhe pritje politikanësh në mjediset e universiteteve, e fiks në të nëjtën orë me protestën e pedagogëve që po mbahej në Sheshin Nënë Tereza. Gjithnjë me kujtohet Akademik Rexhep Qosja, ku në analizën e tij me titull: Pse Shqiptarët Nderojnë Gjysmëanalfabetët dhe Mashtruesit, ka shkruar se: “Robëria e gjatë shumëshekullore, nën Perandorinë Otomane e, mandej nën regjimet absolutist dhe tiranike të përbëra prej satrapësh që mendojnë se-politika është kurvë, pushteti është pasuri, atdheu është pronë, e kanë vrarë pavarësinë e mendimit dhe pavarësinë e nismës në shpirtin tonë!. Për këtë arsye ne e pranojmë ose në eufori, ose në heshtje edhe sjelljen më shpërfillëse të njerëzve të politikës; për këtë arsye ne vihemi në mënyrë të përkorë edhe në anën e regjimeve shtypëse, edhe në anën e regjimeve mashtruese; për këtë arsye ne nderojmë edhe gjysmëanalfabetin, edhe mashtruesin politik; për këtë arsye për të nesërmen politike ne më shumë punojmë duke e ëndërruar atë e duke e ndryshuar të tashmen. Harrojmë se ata që duan t’i ndërtojnë ëndrrat më parë duhet të zgjohen”. Për fatin tonë të mirë, në momentet më të vështira të Shqipërisë, rinia studentore e painfektuar nga dogma dhe çorba e komunizmit, është ajo pjesa që ka ditur të reagojë me force kundër rregjimeve varfëruese, shtypëse, denigruese e mashtruese. Rinia studentore ka qenë dhe është pararoja dhe forca e zgjimit të shoqërisë dhe stafeve akademike. Sikurse kemi parë dhe e kemi përjetuar, as shoqëria shqiptare dhe as stafet akademike, nuk u gjendën dhe nuk ishin në gjatësinë e valës e as në krahun e duhur të lëvizjes studentore dhe universitare. Studentët shqiptarë reaguan në vitin 1990, por edhe në vitet 2018-2019, duke treguar atë forcën dhe përmasat e ndryshimit që mund të sjellin për shtetin dhe shoqërinë e marrë peng nga diktatura, krimi dhe korrupsioni. Sikurse dihet, shumica e stafeve akademike nuk e mbështetën sinqerisht e menjëherë protestën studentore të viteve 2018-2019, e kështu shkaktuan një dëm të madh për shtetin dhe shoqërinë. E pranuar dhe thënë troç e pastër, studentët u lanë vetëm dhe pa asnjë mbështetje nga profesorët, por edhe nga vetë prindërit e tyre. Propaganda dehuminizuese e diktaturave të korrupsionit e shpërfytyron njeriun dhe familjen deri në atë masë sa e ndanë edhe prindin nga fëmija, por edhe pedagogun nga studenti. Parë në këtë këndvështrim, unë gjykoj që trupa akdemike e Shqipërisë ka kryer një mëkat shumë të rëndë, e që tani ka ardhur koha për ta kujtuar ngjarjen ashtu sikurse ka ndodhur, e që braktisja dhe grevëthyerja të mos përseritet më kurrë. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se është koha për të kërkuar një ndjesë të thellë e të sinqertë ndaj të gjithë studentëve, që qëndruan si luanë për mbi 40 ditë me radhë në protestën kundër korrupsionit dhe nepotizmit të universiteteve, e ku përveç kushteve të vështira të motit dhe demagogjisë së qeveritarëve, u përballën edhe me braktisjen dhe kërcënimet e një pjese të pedagogëve, të cilët me urdhër nga lart, i kërcënon studentët për të stopuar protestën ose do t’i ngelnin në klasë.

Akademik Rexhep Qosja, në analizën e tij me titull: Pse Shqiptarët Nderojnë Gjysmëanalfabetët dhe Mashtruesit, mes të tjerave ka shkruar se: “Robëria e gjatë shumëshekullore, nën Perandorinë Otomane e, mandej nën regjimet absolutiste dhe tiranike të përbëra prej satrapësh që mendojnë se-politika është kurvë, pushteti është pasuri, atdheu është pronë, e kanë vrarë pavarësinë e mendimit dhe pavarësinë e nismës në shpirtin tonë”!…

  • Pedagogët dhe studentët me moral të pastër përballë, grevëthyesve që përfitojnë  projekte deri në 60 mijë euro në vit

Dukuria e grevëthyerjes u përsërit edhe më datën 5 tetor 2022, e ku përsëri me urdhër nga lartë, u kërkua stopimi i protestës së punonjësve të universiteteve publike të Shqipërisë, një tentativë që dështoj dhe që ka për të dështuar sa herë që të provohet. Kjo ndodh për shkak se pedagogët nuk po kërkojnë ‘qiqrra në hell’ dhe asgjë të ekzagjeruar e të parealizueshme, sikurse propagandohet nga ata që shkaktuan varfërinë dhe mjerimin e universiteteve. Përkundrazi po dëshmojnë me shëmbuj konkretë se situata është e tillë ku mësuesit dhe pedagogët e Shqipërisë, janë njerëzit më të keqpaguar në të gjitha sistemet arsimore të Ballkanit dhe më gjërë. Pedagogët e kuptojnë shumë mirë që kjo situatë ka për bazë vetëm korrupsionin dhe injorancën e thellë administrative, dukuri nga të cilat duhet që të shpëtojnë sa më parë universitetet dhe e gjithë shoqëria shqiptare. Unë besoj që rinia studentore, do ta pranojë ndjesën e sinqertë e me kokë të ulur të stafeve akademike, e do të bashkohet me protestën e pedagogëve, ku me patjetër që do të bëhet zëmra dhe forca udhëheqëse e kësaj beteje për shpëtimin real të universitetit dhe të shtetit shqiptar. Ndërsa nuk besoj që do të jetë e largët dita kur edhe grevëthyesit do të mund të kuptojnë e të kërkojnë falje publike për paudhësinë që bënë ndaj protestës studentore të vitit 2018 dhe ndaj protestës së pedagogëve të datës 5 tetor 2022, ku një pjesë e indoktrinuar deri në palcë, për kërcënimet me nota ngelëse ndaj studentëve. Në një ditë të shpejtë do të mbajnë përgjegjësi si qytetarë, por edhe ligjore. Sikurse e kemi bërë publike që në ditën e parë të hartimit të peticionit me 9 pika, në protestën e punonjësve të universiteteve janë thirrur të marrin pjesë pedagogët dhe punonjësit me moral të pastër, me faqe të bardhë e me duar të pastra. Janë të mirëpritur të gjithë ata që zakonisht paguhen me rreth 10000-13000 euro/vit, përkundrejtë grevëthyesve që sikurse doli edhe nga listat e publikuara, paguhen apo marrin 5-6 herë më shumë se 95 % e kolegëve të tyre. Shohim dhe kuptojmë që ata që bëhen shantazhues, grevëthyes e që nuk dalin dot në protestë janë ata që qëndrojnë shumë pranë ministrave e deputetëve, e që shpërblehen me projekte dhe pjesëmarrje në borde, e ku paga e tyre arrin në mbi 60000 ero/vit. Për këtë arsye, nga njëra anë askush nuk ka pritur, e as nuk do të presë pjesëmarrjen e këtij grupi në protestën e organizuar për pagat. Ndërsa nga ana tjetër kemi kërkuar dhe do të kërkojmë vetëm respektimin e ligjit të protestës nga ana e tyre.