Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Shqipëria dhe Kosova: As të ndara, as të bashkuara

736
Sigal

Gazeta Telegraf/


Prof. Dr. Lisen
Bashkurti

Ka filluar një
furtunë në gotë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Duket sikur po tronditen marrëdhëniet
midis tyre. Shkëndija nisi nga lart-poshtë. U përfshinë liderët më të lartë të
të dy shteteve…Kryeministra, Presidentë, Kryetarë Kuvendi e Ministra të Jashtëm.
Mbas këtij establishmenti të lidershipit politiko-diplomatik të dy shteteve shpërtheu
“kori i ahengxhijve” opinionistë nga të dy anët e kufirit
shqip-shqip. Kjo “korale ahengxhijsh” e kishte paralajmëruar këtë tallava me disa debate pa argumente e pa
fakte rreth “identitetit kombëtar e shtetëror”, “kombëtares dhe
përfaqësueses në futboll”. Për t’i dhënë gjatë tërë kohës një “shije
gjuhësore” debatit palët shkruajnë e shprehen në “gegërishte dhe toskërishte”.
Ndërkohë të dy shtetet lëngojnë seriozisht. Shteti Shqiptar nuk po del dot nga
kaosi tranzitiv drejt shtetit të së drejtës. Shteti i Kosovës vuan nga dilemat
e shtet-formimit. Të dy bashkë janë ende larg sundimit të shtetit ligjor, të
drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë, ekonomisë së tregut të lirë. Të dy
shtetet, sic shprehej akademiku i ndritur Esat Stavaleci, i bashkon PAAFTËSIA.
Ndërkohë të dy popujt po lodhen nga varfëria ekonomike, padrejtësitë sociale,
papunësia, plagët e arsimit dhe të shëndetësisë, rrënimit të mjedisit. Prandaj hemorragji
qindramijëshe po karakterizojnë jetën socio-ekonomike të vendeve. Mbas
emigracionit nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut shqiptarët nga dy anët e
kufirit shqip-shqip janë të dytët që largohen nga vendet e tyre. Por nëse arabët
e afrikano-veriorët largohen nga tragjeditë e Asadit dhe ISIS, shqiptarët
largohen nga mortaja e qeverisjeve korruptive e të inkriminuara të tyre.
Agjendat qytetare dhe agjendat politike janë larg njera-tjetrës. Me fjalë të
tjera, populli shqiptar në të dy shtetet, Shqipëri e Kosovë është i bashkuar
nga hallet dhe dertet dhe është i ndarë nga lidershipet e gërryera nga
protagonizmat, egoizmat, narcizizmat dhe grupet e interesit politik, ekonomik
dhe gjeopolitik. Ndërkohë që populli është i bashkuar dhe lidershipet duken të
ndara midis dy vendeve, diplomacitë respektive, me shefat e tyre as më shumë
dhe as më pak sesa thjesht mediokre nuk bëjnë asgjë për të vendosur urat e
informim-komunikimit dhe të negocimit permanent midis dy shteteve, midis liderëve
dhe establishmenteve diplomatike, midis politikave publike dhe diplomacisë
publike. Ka një dallim midis diplomacive të të dy shteteve, Shqipërisë dhe
Kosovës. Diplomacia e Tiranës vuan nga sindroma daun, pra veprimi i dobët dhe i
pakët, i nënshtruar tërësisht ndaj politikës ditore dhe vetëkënaqësisë së të
qenit në NATO e kandidat në BE. Diplomacia e Kosovës vuan nga sindroma e
mediokritetit, kokëfortësisë, vetëkënaqësisë dhe euforisë së të qenit të
pavarur e të mbështetur nga partnerët e mëdhenj Perëndimorë. Të dy palët gabojnë
rëndë. Paradoksi më i madh qëndron në faktin se të dy shtetet shqiptare kanë
GJASHTË MINISTRI TË PUNËVE TË JASHTME…më shumë se cdo shtet tjetër në botë.
Madje më shumë se cdo vend në historinë e njerëzimit. Ndërkohë që niveli i
informim-komunikimit dhe negocimit permanent është tej mase i varfër dhe i pakët.
Kjo është për të qarë dhe për të qeshur. Vende të vogla të diplomacisë së
madhe. Vende të diplomacisë së madhe të punëve të vogla. Kjo situatë midis dy
shteteve shqiptare pasqyron një asimetri të dukshme: një popull shqiptare të
bashkuar më shumë se kurrë më parë nga poshtë dhe një lidership të ndarë pa
kurrëfare strategjie të përbashkët afatgjatë midis tyre nga lart. As retorikat
publike, as intervistat me teza skematike dhe as selfijet nëpër kafe nuk i
mbulojnë ndarjet e tyre. Lavdi Zotit që armiqtë tanë të vjetër dhe konkurrentët
tanë të rinj në Jug, Veri dhe Lindje janë më të dobët se kurrë se përndryshe
historia do përsëritej sërish tragjikisht kundër Kombit Shqiptar. Por më gjerë
situatat gjeopolitike duken mjaft të ndezura. Zjarret e krizave e luftrave janë
rreth e rreth Ballkanit. Tymi i tyre po vërtitet edhe mbi këtë Rajon. Fantazmat
e Car Pjetrit të Madh e të Stalinit si dhe ëndrrat e Ruzveltit, Churchillit,
Monesë e Shumanit po bashkëjetojnë në kokat e nxehta të disa liderëve ballkanikë.
Rreziku është edhe pranë, edhe larg. Varet si do i qasen ardhmërisë lidershipet
Ballkanike. Por edhe si do venë Fuqitë e Mëdha në rendin e paqartë botëror. Për
dy shtetet shqiptare nuk ka shkaqe për të krijuar “furtuna në gotë”.
Për dy shoqëritë shqiptare  nuk ka nevojë
për opinionistë “ahengxhinj” që rendin për KLIKIME e KOMERC.  Pra, Shqipëria e Kosova nuk janë as të ndara
për të trazuar ndërgjegjen e shëndoshë, mendjet e kthjellta dhe shpirtrat e
pastër shqiptare kudo në botë. Por nuk janë as të bashkuara për të krijuar
makth të rëndë të parakohshëm e të panevojshëm tek armiqtë e konkurrentët
Ballkanikë apo Euro-Aziatikë.  Shqiptarët
janë në një proces konsolidimi dhe afirmimi të identitetit të tyre kombëtar dhe
të fuqizimit dhe afrimit të pandalshëm të identiteteve të tyre shtetërore…Koha
është me shqiptarët. A janë lidershipet shqiptare të vetëdijshëm dhe të aftë për
të kuptuar kohën dhe për të ecur në përputhje me të?!