Prof. Dr. Ago Nezha / Pse jemi të rrezikuar nga sëmundjet

326

Në jetën e përditshme, kontaktojmë shumë njerëz, dëgjojmë shumë biseda e opinione, se vitet e fundit janë përhapur në përmasa të mëdha sëmundjet vdekjeprurëse, që prekin, jo vetëm moshat delikate ekstreme, fëmijët dhe të moshuarit, por edhe moshat e reja. Ky shqetësim mbarë popullor, është rrjedhojë e disa faktorëve ekologjik, social dhe ekonomik, që veprojnë në korrelacion, në një terren të përbashkët konkret. Në këtë sfond, ka shumë dukuri që po bëhen shqetësuese, me pasoja të rënda për jetën. Në statistikat që jep shërbimi shëndetësor, zbulohen mjaft raste të përhapjes së kancerit të gjirit te femrat dhe kancerit të mushkërive te meshkujt, infarktet në zemër si dhe steriliteti, që prek moshat e reja 30-40 vjeçare. Kjo situatë, duhet të përjetohet me shqetësimin e duhur, jo vetëm nga institucionet e shëndetësisë që janë kuruese, por në radhë të parë, nga institucionet shtetërore dhe shoqërore që duhet të jenë preventivuese. Prishja e ekuilibrit të natyrës, duke shkatërruar mjediset e gjelbra, duke djegur pyjet dhe ndërhyrë në shtratin e lumenjve për të marrë lëndët inerte, përdorimi pa kriter i preparateve kimike në bimë, përdorimi i simulantëve te bimët dhe te kafshët, ka rritur potencialisht rrezikun për jetën. Ndotja e mjedisit, si dhe mënyra e të ushqyerit me produkte të kontaminuara me helme, janë dy faktorë determinantë që dëmtojnë shëndetin te njeriu. Por, një ndikim anësor ka edhe kultura personale e higjienës si dhe tradita, që ende nuk janë në parametra bashkëkohore. Janë disi tronditëse, rastet e prekjes nga sëmundjet e zëmrës te të rinjtë, që arrijnë një numër të madh që kanë kaluar ishemi cerebrale dhe infarkt miokardi. Tendenca që vërehet në ditët e sotme, është se rastet vijnë duke u rritur në mënyrë galopante. Mjedisi tejet i ndotur dhe ushqimet të kontaminuara nga preparatet kimike, kanë bërë që të rritet së tepërmi shkalla e infeksionit edhe në moshat e reja. Ne hamë, por s’dimë me se ushqehemi. Siguria ushqimore në Shqipëri, është jashtë kontrollit korrekt. Ka shumë mallra që qarkullojnë në treg edhe pse janë të skaduar. Analizat në laboratorët ushqimorë, nuk janë në standardet teknike që kërkohen. Produktet ushqimore, veçanërisht perimet e frutat, ku përdoren stimulantë për pjekje intensive për të dalë sa më herët në treg, por edhe buka që ngjyroset, mishi apo nënproduktet e qumështit, janë të pagarantuara nga pikëpamja cilësore. Një pjesë e konsiderueshme e produkteve ushqimore, vijnë nga Serbia dhe Ukraina. Urrejtja racore, sot, shfaqet në rrugë të sofistikuara, duke i eliminuar kundërshtarët me anën e ushqimeve të helmatisura që konsumojnë qytetarët, çdo ditë në tavolinat e tyre. Është mese e domosdoshme të vendosim ura komunikimi me Kosovën dhe të hartojmë politika të përbashkëta zhvillimi të bujqësisë, në mënyrë të planifikuar, ku të kooperojmë me prodhime të ndryshme, që kanë një konverier gjithëvjetor. Privilegjet natyrore të vendit tonë, me një mozaik  klime, duke filluar nga ajo subtropikale te kontinentale, ku rriten agrumet dhe ulliri, molla dhe gështenja, nga veriu i Kosovës deri në jug të Shqipërisë, na lejojnë që të shkëmbejmë produkte të ndryshme bujqësore në të gjitha stinët dhe për të gjitha kulturat. Edukimi qytetar, e veçanërisht i rinisë me kulturë profesionale, për tu mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga ndotja e mjedisit dhe ushqimet e helmuara, le shumë për të dëshiruar. Ka një vakum të madh të punës propagandistike nga të gjithë institucionet, qofshin ato arsimore, kulturore,mjedisore, si dhe të medias së shkruar dhe asaj elektronike. Media është e mbushur me rubrikën e zezë, por kurrë nuk preokupohet për të parandaluar rreziqet e sëmundjeve. Ka ardhur koha, të vlerësohet jo si rastësi apo lëndë me zgjedhje shkenca e Mjedisit, por si domosdoshmëri, sepse problemet e mjedisit, janë imperativi i kohës jo vetëm tek neve, por në gjithë botën e qytetëruar. Kjo situatë kritike, ku konvergojnë dukshëm problemet mjedisore dhe ato të ushqyerit, kërkojnë jo vetëm vëmendjen e veçantë të strukturave të shtetit, por të gjithë shoqërisë, ku të ketë një fushatë sensibilizuese të mbarë opinionit shoqëror, për t’i bërë barrikadë dy të këqijave vrastare, që prodhojnë fatkeqësi jetësore.