Prof. Dr. Ago Nezha/ Karburanti, kryefjala e fermerit

636
Sigal

Jeta dhe veprimtaria e çdo sendi dhe fenomeni, nis nga ushqimi. Ishte ky motivi që Shoqata AVALB, mblodhi këto ditë në praninë e pesë shoqatave homologe dhe të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me pjesëmarrje pluraliste, në ballafaqim mbarë kombëtar me më shumë se 300 mekanizator dhe fermer, përfaqësues nga gjithë rajonet e vendit. Ky takim ngjante më shumë si një manifestim kërkesash të përfaqësuesve të mekanizatorëve dhe fermerëve, si dhe një  bashkëbisedim interesash për shkëmbim mendimesh, se si do dal nga kolapsi bujqësia Shqiptare, si dega prioritare e ekonomisë kombëtare.  Mënyra se si u kompozua dhe u zhvillua ky takim, nga Kryetari i Shoqatës AVALB,  Agim Rrapi, ishte një kuvend demokratik, për t’i bërë skanerin gjendjes së kolapsit të bujqësisë në periudhën postkomuniste. Fjalën i pari e mori i zoti i shtëpisë, Lamçe Bega, pronari i qendrës mekanike të Tërbufit në Lushnjë, që e kishte stacionin në standarde bashkëkohore. Gatishmëria dhe gjendja efiçente e mjeteve në zonën e Tërbufit, që ka pjellorinë më  intensive, krahasuar me të gjitha zonat bujqësore të Shqipërisë, nuk e përligj as efektivitetin e punimeve dhe as prodhim tarinë e kulturave bujqësore, gjatë këtyre viteve. Agro-mekanizatorët dhe fermerët që morën fjalën në këtë takim, shtruan me shqetësim, çmimin e lartë të karburanteve si kryefjalën  e gjithë të këqijave që i vijnë bujqësisë në zinxhirin e problemeve, për ta çuar në një prapambetje katastrofike. Po të bësh krahasimin me bujqësinë e rajonit, qoftë në jug apo në veri të Shqipërisë, këtë prapambetje 23 vjeçare, nuk e përligjin as kushtet natyrore e as ato tokësore, përveçse politikat e mbrapshta të qeverisjes. Bilancet e prodhimeve bujqësore, eksport-import, janë ekstremisht të disfavorshme për efektivitetin ekonomisë kombëtare. Të gjitha disekuilibrat për këto rezultate i sjell çmimi i lartë i karburanteve, që pengon kryerjen e mekanizuar të punimeve bujqësore. Agro-mekanizatorët e zonës së Tërbufit, dikur ambari i Shqipërisë, sollën shqetësimin se toka në kuotën e 6000 ha, po rikënetëzohet, po devitalizohet dhe abandonohet, si rezultat i mungesës së kullimit dhe vaditjes. Për të kryer  operacione parapërgatitore, siç është nevoja për të hapur kanalet kullues dhe vaditës, duhen traktor dhe ekskavator që punojnë me një koefiçent të lartë çmimi në karburante. Por me këtë çmim të lartë që ka aktualisht karburanti, 2$(dollarë)për litër, nuk ka leverdi për fermerin që të kryhej punime mekanike në  të  gjitha operacionet që kërkon përgatitja e tokës dhe kultivimi i bimës. Kjo situatë kritike, shtron problemin që të përgjysmohet çmimi i karburanteve, për ta bërë të interesuar fermerin për të kryer punime me mekanikën bujqësore. Po të hedhësh një vështrim, jo vetëm në  zonat kodrinore e malore, por edhe ato fushore, do vëresh se mjetet e punës në bujqësi, janë kuajt, gomarët, apo forca e krahut. Ky primitivizëm, nuk është një atavizëm i së kaluarës, por një pamundësi e gjendjes ekonomike për të përballuar punimet me mjete mekanike, për koston e lartë të punimeve dhe shërbimeve bujqësore. Ka ardhur momenti, për të thënë se është tejkaluar koha për të menduar se pa zhvilluar bujqësinë, nuk mund të zhdukësh varfërinë dhe të zhvillosh Shqipërinë. Ajo politik dhe qeveri, që  nuk e kupton këtë aksiomë, detyrimisht është e dështuar në implementimin e programit të saj. Ishte kjo arsyeja që nga Parlamenti Shqiptar, kishte tre deputetë të subjekteve të ndryshme politike, që treguan vëmendje të veçantë në bashkëbisedimin me mekanizatorët dhe fermerët, që përfaqësonin rajonet nga Saranda në Shkodër, duke përfshirë gjithë zonën e ulët bregdetare. Në atë prezantim të problemeve dhe shqetësimeve për efektivitetin e mekanikës bujqësore, për  të rritur rendimentet dhe prodhimin, merrnin pjesë tre ish Ministra të Bujqësisë, përfaqësues të Partisë Socialiste Agron Duka,  të Partisë Demokratike Hasan Halili dhe të asaj Social Demokrate Profesor Haxhi Aliko. Apeli dhe mesazhi që përcollën ata në këtë takim ishte reduktimi i çmimit të karburanteve. Deputeti Agron Duka, theksoi faktin se, për të bërë një revolucion në bujqësi kërkohet një politik e veçantë, jo vetëm e qëndrimit të ekzekutivit, por edhe e legjislativit, ku të përfshihet pozita dhe opozita, ndryshe nuk mund të bëhet një hop cilësor. Ky vlerësim, njëherazi dhe shqetësim unik, u përkrah edhe nga deputeti Ylli Ziçishti i Partisë Socialiste, ku theksoi faktin, se pa një fshat të begatë, nuk ka shtet të fortë dhe Petrit Vasali, i LSI-së që nënvizoi nevojën se, nuk duhet të ketë konflikt mendimesh për interesa politike që vijnë në kundërshtim me zhvillimin e ekonomisë. Kjo frymë mirëkuptimi, i përfaqësuesve Parlamentar, të subjekteve të ndryshme politike, tregon se për interesa kombëtare, politika duhet ti kapërcej pragjet partiake. Ky reflektim dhe komunikim i hapur  i deputetëve, përfaqësues të subjekteve politike pozitë-opozitë, duke mbajtur një qëndrim unik dhe duke u ngritur mbi interesat partiake, ishte një shenjë e mirë për emancipimin e politikës konfliktuale, që është mbjell në  këto 23 vjet, të ashtuquajturës demokraci në Shqipëri.

Edhe Shoqatat homologe që morën pjesë në këtë bashkëbisedim, si Shoqata e Kursim-kreditit, e përfaqësuar nga Drejtoresha Zana Konini, e cila ka struktura në 16 rrethe të vendit dhe ka një histori suksesi në kreditimin e fermerëve në zonat rurale, ishte solidare, që problemi i karburantit të jetë atribut i shoqërisë civile, për të marrë një zgjidhje sa më efektive. Këtë qëndrim mbajtën dhe përfaqësuesit e katër shoqatave të tjera, si ajo e fermerëve e kryesuar nga Hasan Halili, e serrave nga Mehmet Loci dhe KEA nga Shkëlqim Agolli. Në këtë hulli ishte edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Drejtori i Politikave të Zhvillimit Fari Isai, që vuri theksin te roli determinant i shoqatave, në administrimin e karburanteve. Duke marrë parasysh që aktualisht Shqipëria, krahasuar me rajonin dhe me gjerë ka një kosto shumë më të lartë të produkteve bujqësore, agro-përpunuese, të agro-industrisë, për rrjedhojë ka edhe nivelet shumë më të ulëta të përpunimit të lëndëve të para të prodhuara në vend. Kjo shtron nevojën që të rritet shkalla e investimeve në bujqësi. Rezulton se peshën specifike më të madhe në koston variabël të punimeve bujqësore, të serrave me ngrohje etj, e zë karburanti dhe lënda djegëse.  Gjendja e mekanikës bujqësore është kritike, mbasi nga 8683 traktor që figurojnë të regjistruar, vetëm 5308 prej tyre janë në gjendje pune dhe këta janë shumë të vjetër. Nevojat optimale për të pasur një bujqësi të zhvilluar në Shqipëri, janë për rreth 14.000 traktor. Në të njëjtën situatë kritike është dhe mungesa e numrit dhe llojshmëria e agregateve. Shqipëria ka një mesatare prej 1,5 deri  në dy agregate për çdo traktor. Vendet e rajonit e kanë mesataren 5 deri në 7 agregate , ndërsa vendet e perëndimit e kanë mbi 7 agregate për çdo traktor. Gjendja aktuale që pasqyruam për parkun e mekanikës bujqësore, ka reflektuar këto pasoja. Vetëm 54% e fermerëve në Shqipëri e kanë mundësinë të përdorin mekanikën bujqësore , ndërsa  46%  e tyre përdorin kafshët dhe krahët e punës, për mungesë të aftësisë financiare. Prodhimet që janë marrë në tokat e punuara me kafshë dhe krah pune, kanë  arritur një rendiment 25% më të vogël dhe janë destinuar për konsum vetjak. Në këtë kategori familjesh, nuk ka mundësi për të akumuluar burime financiare që nevojiten për investime dhe  blerje për rinovimin e parkut të mekanikës bujqësore. Rrjedhimisht,shkalla e varfërisë, në këto shtresa familje fermerësh, nuk ka shanse të zvogëlohet, por të përkeqësohet. Reforma për ndryshimin e skemës së furnizimit me karburante për fermerët, do krijoi më shumë vende pune dhe fonde financiare për rinovimin dhe shtimin e traktorëve dhe mjeteve bujqësore. Fermat, apo siç mund ti emërtojmë më saktë minifermat në Shqipëri, kanë një sipërfaqe 05deri në 1,2 ha. Përqendrimi i fermave në këto 23 vjet nuk arriti të bëhet dhe perspektiva  është e errët për vetë mentalitetin primitiv që kanë fermerët. Ky parcelizim që kemi sot, rrit normën e harxhimit të karburanteve në masën 8 deri në 12 %. është provuar se edhe cilësia e keqe e karburantit rrit konsumin për njësi të sipërfaqes 7deri n 15 %. Shqipëria karakterizohet nga toka të rënda me koefiçent të lartë vështirësie në punime. Nga përllogaritjet e bëra, rezulton se ky faktor influencon nga 20 deri në 40 % t rritjes së harxhimit të karburantit për njësi punimi. Po tu shtohet këtyre punimeve dhe gjendja jo e mirë teknike e mjeteve bujqësore dhe agregateve , pamundësia e qendrave të agro-serviseve për riparime me cilësi, largësia e furnizimit të mjeteve me karburant, etj, situata rëndohet më shumë. Këto rrethana e bëjnë që harxhimi i karburanteve për njësi punimi është shumë herë më i lartë se krahasuar me vendet e tjera të rajonit. T gjitha vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, i kanë furnizuar dhe i furnizojnë fermerët me karburant me çmime të reduktuara, ndërsa Shqipëria, jo. Në Shqipëri, vetëm 54% e familjeve fermerë përdorin traktorin ose pajisje të mekanizuara për punimin e tokës. Pjesa tjetër e lënë djerr, ose e punojnë me krah ose kafshë pune. Mjafton të kujtojmë se Shqipëria ka 1,24 traktor për 100 ha, ndërsa Maqedonia ka 6 traktor për 100 ha, Greqia ka 6,6 traktor për 100 ha, Italia 13,2 traktor për 100 ha, Gjermania 10,8 traktor për 100 ha dhe BE-ja ka 8,1 traktor për 100 ha. Shqipëria përdor 1,5 makineri të ndryshme bujqësore për çdo traktor, vendet e rajonit përdorin mesatarisht 5 deri në 7, ndërsa BE-ja 13 makineri bujqësore për çdo traktor. Një tregues tjetër është edhe niveli i përdorimit të fuqisë e shprehur n KF/ha. Rusia e ka koefiçentin 2,7 kf/ha, Anglia 3,4 kf/ha, Japonia që e ka të copëzuar tokën arë në parcela të vogla, e ka koefiçentin  13 kf/ha, ndërsa në Shqipëri koefiçenti arrin në 0.53 kf/ha. Një tjetër tregues i nivelit të standardeve të një vendi është edhe njësia matëse për K/banor. SHBA, ka 074 k/banor, BE-ja e ka 0,37 k/banor, vendet në zhvillim 0.02 k/banor, ndërsa Shqipëria e ka 0.08 k/banor. Të gjitha vendet e përmendura më lartë, për të arritur treguesit e mësipërm 100 ha tok të punuar, kanë përdorur e vazhdojnë të përdorin skema që reduktojnë çmimin e karburantit. Shqipëria është i vetmi vend, që ende akoma nuk po arrin të bëjë reformën e duhur dhe të domosdoshme në këtë sektor prioritar të ekonomisë. Për të nxjerrë vendin nga kolapsi që është futur në harkun kohor të këtyre 23 vjetëve, Qeveria aktuale, duhet të bëjë investime kapitale për të ulur koston e prodhimit për njësinë e sipërfaqes, duke përgjysmuar çmimin e shitjes së karburanteve. Këto synime shtroi edhe organizatori i takimit të Lushnjës, Kryetari i AVALBIT, Agim Rrapi, që në filozofinë e tij, zgjidhjen e këtij problemi e sheh si një mundësi që mund ta realizojë me sukses, vetëm shoqëria civile nëpërmjet shoqatave.