Prof. Dr. Ago Nezha: Dr. Skënder Brataj, shkollë e shërbimit të urgjencës

– Gjatë verës Skënderi punonte në kooperativë duke ndihmuar prindërit për të siguruar lekët e librave

– I duhej të shkonte çdo ditë në këmbë nga Kanina në Vlorë, një sakrificë që përligj pasionin dhe ambicjen për t’u arsimuar

 

Në dallgët e trazuara të jetës

NOA

Jeta është një arenë cirku që vijnë rrotull personazhe me karakter të ndryshëm, që na lenë shije të veçanta në prezantimin e parë. Të gjithë njerëzit janë përgjegjës për fytyrat e tyre, shkruan Balzaku. Dr. Skënderi Brataj, që në takimin e parë vëren se rrezaton mënçuri, mirësi, modesti dhe altruizëm. Këto cilësi janë refleksion i familjes dhe mjedisit ku ka lindur dhe është rritur.

Vendlindja Kanina, është shkolla e jetës, ku Dr. Skënderi ngjizi personalitetin dhe kaliti karakterin. Familja ku lindi dhe u rrit ishte një familje e thjeshtë fshatare, që i mëkoi dashurinë për shkollën, për punën dhe për jetën. Varfëria në fshat ishte unike. Gjatë verës Skënderi punonte në kooperativë duke ndihmuar prindërit për të siguruar lekët e librave. Vështirësitë e kalitin njeriun dhe e pjekin para kohe. E bëjnë më të përgjegjshëm për jetën. Vuajtjet dhe privacionet e fshatit i ka përjetuar duke i përballuar me dinjitet. Shkollën 8 vjeçare e kreu në Kaninë në vitin 1978, me rezultate shumë të mira, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1987 në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, një nga shkollat më cilësore në rang vendi. I duhej të shkonte çdo ditë në këmbë nga Kanina në Vlorë, një sakrificë që përligj pasionin dhe ambicjen për t’u arsimuar me çdo kusht, pavarësisht vështirësive. Edhe Gjimnazin “Ali Demi”, e mbylli me rezultate shumë të mira në vitin 1987, premisa këto që i hapën rrugën për të përmbushur ëndrrën rinore, për të vazhduar shkollën e lartë. Ja prenë ëndrrën për shkollën e lartë në mes duke e marrë ushtar, por nuk e ndalën dot drejt objektivit. Edhe këtë objektiv madhor e kreu me sukses në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1992 në Tiranë. Por perspektiva për të ushtruar profesionin ishte tepër e zymtë. Duke vlerësuar situatën kaotike, krejtësisht të pafavorshme, ju desh që të emigroi në Itali. U gjet emigrimi si mjet shpëtimi.

Kalvari i vuajtjeve në emigracion

Emigrimi ishte një trampolinë për të ngjitur shkallët e karrierës profesionale, por pas një kalvari vuajtjesh cfilitëse. Emigroi në Torino të Italisë, ku ju desh të bëjë punë krahu të rëndomta në ndërtim, pasi diploma e mjekut e fituar në Tiranë nuk njihej jashtë shtetit. Falë cilësive të karakterit të tij, me punë, pasion, vullnet, përkushtim, egoizëm dhe ambicje profesionale, nisi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Torino. Një nismë jo e lehtë, pak “aventurore”. I duhej të punonte punë krahu të rëndë në ndërtim dhe paralelisht të ndiqte dhe studimet për mjekësi. Primare ishte puna, pasi do përballonte nevojat familjare për të mbajtur gruan dhe djalin. Dr. Skënderi tregon vështirësitë që ka kaluar duke kryer paralelisht punën dhe studimet teorike e praktike, duke frekuentuar sallën operatore në kirurgjinë e gjoksit. Dihej koha kur fillonte operacioni, por nuk dihej kur mbaronte, pasi hapej gjoksi dhe kjo përbënte një shqetësim për dr. Skënderin që i duhej të respektonte dhe orarin e punës në ndërmarrjen ku punonte. Futeshim në sallën e operacionit në ora 7 ose 8 të mëngjezit dhe nuk dihej sa zgjaste operacioni tregon dr. Skënderi. Kur vinte ora 12.30, më hipte ankthi në fytyrë, se më duhej të largohesha për të filluar punën si murator në ndërmarrjen ku punoja. Profesor Oliaro, që ishte dhe udhëheqësi i temës, më psikologjisi duke parë shqetësimin tim dhe një prej ditëve m’u drejtua me ëmbëlsi. Dr. Brataj, ju shoh të shqetësuar kur afron ora 12.30 çfarë problemi keni? Unë për të shmangur problemin i thash, nuk kam asnjë shqetësim profesor. Por ai insistoi, më thuaj të vërtetën, se një shqetësim ti e ke. Atëhere u detyrova t’i tregoj se unë punoj si puntor në ndërtim për të mbajtur familjen prej tre personash. Kjo situatë e pazakontë për studentët e tjerë, e preku shpirtërisht profesorin dhe më tha përgatit diapozitivët e leksionit dhe largohu kur e ke të nevojshme nga leksioni apo operacioni në sallë. Profesori menjë ndjenjë respekti për impenjimin e dr. Skënderit, ju drejtua auditorit me një mesazh frymëzues: “E shikoni shëmbullin e studentit Brataj, pas asistencës me rigorozitet në leksion dhe praktikave ilustruese, ai shkon e punon si puntor krahu, sepse mban familjen me sakrifica. Ju jeni të përkëdhelur…Auditorin e pushtoi heshtja, por dhe reflektimi. Profesor Oliaro krijoi një admirim të veçantë për tërë veprimtarinë që kryente studenti i tij, Brataj dhe kishte dëshirë që ta stimulonte. Një ditë e thërret duke mbajtur në dorë një pako të trashë, ku kishte paketuar estetikisht 4 libra mjekësore, që kushtonin 400.000 lireta dhe ja ofroi Skëmderit. Skënderi i drojtur para këtij gjesti fisnik shtangu dhe i tha: profesor nuk i paguaj dot. Ai, ju drejtua me politesë duke i thënë se kush tha që do i paguash, këto janë dhuratë për ju! Ngela i shtangur tregon dr. Skënderi. I drojtur nxora nga goja fjalët: Ju jam shumë mirënjohës. Profesori i tha që është shumë pak kjo që po bëj për një student me një personalitet të rrallë njerëzor dhe intelektual. Kam kënaqësinë që sadopak t’u ndihmoj se ju meritoni shumë dhe me performancën tuaj intelektuale, karakteriale dhe profesionale, në të ardhmen do t’ja shpërbleni shoqërisë me kontributin tuaj. Në vazhdën e bisedës, i shpjegoi Skënderit se ai ishte pronari i Bibliotekës “Minerva Medica “, që ka fondin më të madh të teksteve mjekësore. “Një mjek i shkëlqyer që do të bëheni ju, ky është minimum i minimumit që unë po bëj”. Jeta e vërtetoi katërcipërisht këtë parashikim të profesorit të dr. Skënderit. Rastis që pas 12 vjetësh që dr. Skënderi kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte punësuar si mjek urgjence, e thërresin në një shërbim urgjence “Kodi i kuq”, në rrugë (Rrezik jete). Një person kishte rënë në rrugë dhe s’merrte dot frymë. Ndërhyn urgjentisht nëpërmjet frymëmarrjes dhe e sollën në jetë. Ky incident, kishte ndodhur para shtëpisë së profesorit që e admironte Skënderin kur ishte student. Ai e pa ngjarjen, dhe u afrua si profesionist dhe vërente ndihmën mjekësore që i ofronin të sëmurit. Tërë krenari, u shfaq para njerëzve që ishin mbledhur për rreth ekipit mjekësor dhe ju tha: “Shikojeni këtë djalë, ky është mjek shumë i mirë, është studenti im që më bën krenar”. Rastësia është shpesh herë konfirmuese, afirmuese dhe befasuese.

Dr. Skënderi, duke punuar te urgjenca në një qytet me shumë probleme, por dhe me një eksperiencë dhe infrastrukturë bashkëkohore, u specializua, u kualifikua dhe u aftësua në shkallën më të lartë. Dashuria për vendlindjen, dhe ndjenja për t’i shërbyer vendit të vet, e mundonte ndërgjegjësisht. Një ditë mori vendim që të kthehej në Shqipëri, paisur me një përvojë të madhe në sektorin delikat të urgjencës. E bisedojë këtë vendim që kishte marrë në koshiencën e tij në familje. Djali i doli kundra me argumentin: “se ti ishe në Shqipëri dhe Shqipëria të la rrugëve, nuk të ofroi asnjë vend pune dhe u detyrove të merrje rrugën e emigracionit, duke bërë punë të rëndomta. Arrite të bëhesh mjek me emër, u specializove, u rehatove, pse e prish qetësinë”? E dëgjova me vëmëndje tha dr. Skënderi dhe arsyetimi ishte korrekt, por mua më shtyn një ndjenjë që del mbi interesat private, ndjenja për t’i shërbyer vendit tim, familjes time. Është patriotizmi gjenetik. Pa e kundërshtuar djalin se të gjitha argumentet që solli qëndronin. U mundova ta bind për motivet e mia që më shtyjnë të kthehem në Shqipëri. Shqipëria i thashë- djalit është si puna e shtëpisë, familjes, që duhet t’i qëndrojmë pranë dhe ta ndihmojmë, mos ta braktisim. Siç kanë nevojë prindërit tanë të na kenë pranë, ashtu ka nevojë dhe vendi t’i ndodhemi pranë për t’i shërbyer në ditët të vështira. Duke dialoguar me djalin tim Tedin, i thash se unë e ndiej detyrim të ndihmoj prindërit e mi, nënën dhe babanë që më rritën me mundim e sakrifica. Ka shumë njerëz, që mbeten invalid në rrugë, nga aksidentet për asistencë mjekësore. Do bëj një gjë për vendin tim, që di ta bëj mirë. U bëra mjek, fitova emër jashtë, por këtë kapital moral dhe professional, ta ve në shërbim dhe të vendit tim. Dua të le dhe aty një emër. Do vish një ditë në Shqipëri i thashë djalit me familjen tënde, do tju tregosh origjinën nga vjen dhe të gjyshit, më tregonte Dr. Skënderi dhe do të kaloj ndonjë ambulance dhe ndofta do të dëgjosh “shyqyr që ishte ai doktor Skënderi i urgjencës” dhe do ndihesh krenar për babanë tënd. Djali para këtyre motiveve u dorëzua, u mund, egoizmi i tij u shua. Më tha nuk flas më, babi. Kur djali bënte krahasime me shembuj që shumë të tjerë nuk po kthehen, shikojnë jetën familjare. I shpjegova djalit se ndaj njerëzit janë të ndryshëm dhe kanë karakteristikat dhe veçoritë e tyre, që i bën të dallohen nga njëri tjetri. Si gjithë sektorët e tjerë edhe mjekësia dhe për më tepër urgjenca, ishte në krizë për kuadro vizionar. Ardhja e Dr. Skënderit në drejtim të urgjencës ka bërë revolucion në mënyrën e organizimit, teknologjisë dhe shërbimit 24 orë. Po të vizitosh Drejrorinë e urgjencës, befasohesh për strukturimin e gjithë shërbimit, për rrjetin e komunikimit, për gadishmërinë e ekipit mjekësor dhe për asistencën e aksidenteve në rrugë. Një model për ta marrë shembull, edhe sektorët e tjerë të shëndetësisë dhe jo vetëm. Instancat e larta shtetërore, kuadro me aftësi diferencuese, duhet t’i vlerësoj dhe promovojë. Por fatkeqësisht ende në Shqipëri, nuk është ç’rrënjosur ndjenja e klientelizmit, militantizmit, krahinalizmit dhe nepotizmit, në vlerësimin e figurave që do vendosen në drejtim të vendit. Kjo filozofi me emërimet në vende kyçe të drejtuesve në sektor të ndryshëm të ekonomisë, po e gërryen pushtetin në vazhdimësi, deri sa të rrëzojë grehinën e pushtetit. Intelektual profesionist si dr. Skënder Brataj, janë të rrallë, ata janë perla në gjirin e shoqërisë. Puna, emri dhe aftësitë e dr. Skënder Brataj, kanë jehonë dhe në opinionin qytetar italian dhe medien italiane.

Maratonë në autostradën e dijes

Dr. Skënder Brataj, pasi u diplomua në Universitetin e Torinos në Itali në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1996, nuk e ndali, studimin, përkundrazi nisi kualifikimin shkencor për të arritur majat më të larta të shkencës, pasi e ngacmonte ambicja brenda vetes, duke punuar si gjenerator, për të ndriçuar rrugën e dijes. Ai, udhëhiqej nga motive humane se mjekut nuk i lejohet të gabojë, se çdo gabim është baraz me humbjen e një jete njeriu. Shkenca është një kështjellë, që nuk pushtohet nga kushdo. Atë e pushtojnë njerëz që kanë motive, ambicje për dije dhe vullnet të paepur, që dr. Skënderi e ka treguar me vepra, se pasi mbaroi Fakltetin e Mjekësisë në Torino, nisi masterin: Emergjenca-Urgjenca, në Regione Piemonte Itali, 1998. Në rrjedhën e kualifikimit ka marrë diplomën: Emergjenza- Urgjenza, Universiteti i Torinos, Fakulteti i Mjekësisënë vitin 2003, diplomë: Mjekësia Antiaging (Agora Milano), 2007 dhe diplomë: Mjekësia dhe Terapia Estetike në Universitetin e Camerionos Itali. Në 2009. Duke u paisur me dije në disa fusha të mjekësisë, ka fituar një eksperiencë multidimensionales, në disa pozicione të rëndësishme në Itali. Po t’i radhisim kronologjikisht, ato krijojnë zinxhirin e gjatë, që do t’i reduktojmë si më poshtë: Maj 1998, Guarda Medica në spitalin e Chivasos, Shtator 1988–Gusht 2004 ASL (Aziend Sanitaria Locale) Nr.1 Torino Emergjenca–Urgjenca, Gusht 2004–dhjetor 2012A.S.O.C.T.O (Azienda Sanitaria Ospedaliera Centro Traumatologico Ortopedico) nga një Janari i vititit 2013,A.O.U. (Azienda Ospedaliera Universitaria Citta della Salute e della Scienza di Torino) të Torinos dhe nga 2015 e në vazhdim shërben si Drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë. Është anëtar i disa institucioneve ndërkombëtare të mjekësisë. Duke qënë Anëtar i AHA (American Heart Assotation) ka përfaqësuar Italinë në Çikago. Njëkohësisht është anëtar i disa shoqatave në Itali. Kryesorja është “Shoqata e Mjekëve të Urgjencës në Itali, ku ka përfaqësuar Italinë në disa kongrese si relator. Ka marrë pjesë në një grup pune te FIMEUC (Federacione Italiana Di Medicina D’urgjenca e Katastrofi). Grupi i punës hartoi standardet e mjekësisë të urgjencës për Senatin Italian. Ka krijuar Shoqatën Shqiptare të Urgjencës Mjekësore dhe Katastrofave. Falë ndërgjegjes së lartë patriotike ka organizuar trainime me mjekët e urgjencës në të gjitha trojet shqiptare duke filluar nga qytetet e Shqipërisë e duke u shtrirë në Kosovë, Ulqin, Ohër, Preshevë, etj, në vitet 2012-2014. Duke shfrytëzuar kredinë që ka në Itali, ka çuar disa mjek të urgjencës për specializime dhe ka siguruar disa ambulanca dhuratë për spitalin e Vlorë dhe Kavajës, që ishin në gjëndje kritike në vitet 2005-2007 kur nuk ishte kthyer ende në Shqipëri. Dr. Skënderi është tepër aktiv në veprimtaritë mjekësore dhe në medien e shkruar nëpërmjet artikujve shkencor në revista shkencore si dhe publicistik dhe atë vizive me emisione të veçanta, duke transmetuar eksperiencën e tij si ekspert në mënyrë permanente, për t’i prerë rrugën abuzimeve, që janë prezente në fushën e mjekësisë. Megjithë punën intensive që ka në sektorin e urgjencës në Shqipëri, ai nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me Italinë, pasi ndihet debitor për mundësitë që i ka krijuar, për të arritur në majat e profesionalizmit. Ai, shprehet se i detyrohem shumë moralisht Italisë, për shkollimin, kualifikimin, eksperiencën, kulturën dhe mundësinë për të ushtruar profesionin në kushte komode. Unë jam ky që jam, thotë dr. Skënderi, falë mundësive që më krijoi Italia, ndaj duhet t’i kthej “borxhin”, atij vendi, sot që ka nevojë. Kjo më shtyn që dy ëikende në muaj shkoj dhe punoj në Bolonja, që jo vetëm ndihmoj me eksperiencën time, por edhe ruaj standardin e lartë shkencor që ka Italia. Gjatë këtij shërbimi kam pasur disa raste që kam shpëtuar jetë njerëzish që kam ndier mirënjohjen e thellë të tyre. Kam raste të freskëta që një burrë me arrest kardiak, i zverdhur po jepte shpirt në praninë e gruas dhe djalit. I erdha në ndihmë duke i bërë goditje elektrike në zemër pas një arresti kardiak nga infarkti derisa u kthye në jetë dhe e mora dhe e dërgova në sallën e operacionit të hemodinamikës. Nuk dinin si të më falënderonin dhe të më shpërblenin. Ju thashë se bëra detyrën, se jam mjek, nuk e bëra për shpërblim. Donin të më bënin dhuratë. Ju thashë se dhurata më e madhe është mirënjohja që keni ju për mua. Raste të tilla gjatë shërbimit në Itali, kam shumë më tha dr. Skënderi.

Krahas punës që bën si Drejtor i Urgjencës, ai merret dhe me kualifikimet e mjekëve në rrethe që ata të ndihen të aftë në profesionin e tyre, për të punuar me liçencë dhe mos veprojnë me diletantizëm. Dr. Skënderi është tepër aktiv, human, i përkushtuar për të ndihmuar profesionalisht. Tërë jeta e tij, është prodhimtari. Ai ka ditur të notojë në thellësitë e oqeanit të dijes duke eksploruar të fshetat e profesionit. Po të përcaktosh “diagnozën “në portretin e tij njerëzor, do zbulosh se ai rrezaton mençuri, mirësi, dituri, modesti, bamirësi dhe humanizëm. Janë këto cilësi që ai kryen një mision fisnik duke i qëndruar pranë me një përkujdesje të veçantë kollosit të letrave shqipe Ismail Kadaresë deri sa ndërroi jetë. Kadarea kishte vlerësim dhe konsideratë maksimale për dr. Skënderin, si mjek dhe si njeri me cilësi të larta morale. Që nga momenti i parë i prezantimit të doktor Skënderit në media gjatë periudhës së Covid-19, Kadare tha: “Këtë mjek dua ta njoh nga afër, për profesionalizmin, njohuritë shkencore, qetësinë, besimin dhe pozitivitetin që përcjell te njerëzit” U ndjeva shumë i nderuar kur më kërkoi të takoheshim, në një pritje tepër të ngrohtë. Ishte emocionuese për mua tregon dr. Skënderi ky vlerësim, që në takimin e parë, Ai më dhuroi korpusin me të gjitha vëllimet e veprave të tij me dedikim. Ky akt më kujton rastin kur profesori i Fakultetit të mjekësisë Oliaros, i dhuroi disa libra fondamentale për mjekësinë. Miqësia vazhdoi deri në momentet e fundit të jetës së Kadaresë dhe vazhdon në përjetësi me familjen e tij të nderuar. Ai ka marrë vlerësime e tituj nga institucione mjekësore, ku dua të veçoj medaljen nga Regjioni i Piemontit për kontributin e dhënë si vullnetar në vitet 2010 – 2012, në tërmetet dhe përmbytjet që ndodhën në Itali. Njëkohësisht ai mban dhe titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”, akorduar nga Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”.

Shembulli i punës dhe jetës të Dr. Skënder Brataj, është një experience, që duhet ta përqafojënë edhe shumë specialist jo vetëm të sektorit të mjekësisë, por edhe të fushave të tjera, që kanë emigruar, janë kualifikuar dhe kanë fituar experiencë në vënde të ndryshme të botës, mund të kthehen nga emigracioni për ta vënë dijen profesionale në shërbim të vendit të tyre. Në vënde të ndryshme të botës, shumë intelektualë mund të pasurohen, por do harrohen dhe nuk do nderohen, se janë pa atdhe.

Po të vihen në drejtim të ministrive, institucioneve qëndrore dhe bashkive në rrethe, intelektual të nivelit profesional dhe atdhetar të standardeve të Dr. Skënder Brataj, Shqipëria do kishte fytyrë tjetër.