Retrospektivë, dhjetor 1989. Në Bukuresht mitingu i thirrur nga Çaushesku kthehet kundër tij. Rezultati dihet. Ra një prej regjimeve më brutale, ai ishte i vetmi diktator që u ekzekutua. Ngjarjet në Rumani patën ndikim edhe në ecurinë e ngjarjeve në Shqipëri. Është folur e shkruar për këtë, por interesante janë edhe disa qasje të tjera, – ndjenja e besimit “ne jemi ndryshe”, dhe se Shqipëria nuk ka lidhje me Lindjen.
Ja një prej dokumenteve të shumta rutinore ilustruese në sektorin e edukimit në KQ, – një relacion me 25 dhjetor 1989, – kur aktivistët e partisë ndjekin me kujdes e vëmendje lajmet pas ngjarjeve në Gjermani e Rumani. Dokumenti “edukues” shoqërohet me një kritikë interesante, – kritikohet TVSH se në mbrëmjen e datës 24 nuk dha asnjë lajm politik nga Rumania për të parë çfarë po ndodh atje!
Nga ana tjetër, ky është një prej shumë teksteve që simbolizojnë kulturën politike (të kohës): të izoluar, të rrënuar ekonomikisht, të frikësuar nga lajmet në TV, por ama krenarë, vigjilentë dhe adhurues të Partisë dhe udhëheqësit. “Nuk ia shpërblejmë dot Partisë qetësinë dhe sigurinë tonë; ne s’ja lajmë dot Partisë atë që ka bërë për popullin”. Dihet vijimi.
Kultura e mirënjohjes për Partinë dhe udhëheqësin ka mbetur pjesë thelbësore e identitetit militant & turmës, si dje, si sot. E nesërmja kulturore ndryshe duket ende e largët, edhe pas rokadës së gjeneratës së formësuar me frymën dhe mentalitetin e revolucionit kulturor.
Kështu nisi!






















