Prof. As. Dr.Artan Xh. Duka: Të paktën është gabimi ynë!

39

Kemi tre dekada që qahemi se derrat në politikë një turi kanë dhe se, sidomos pas kulisave PS-PD të 2008 me ligjin zgjedhor, po vuajmë plot faje e gabime që nuk janë tonat si shoqëri. Boll të mendosh se na duhen po aq vite për të hyrë në BE sa zgjati edhe monizmi për të provuar se demokracia alla-shqiptare mbetet zhgënjim monumental.

 

Sigal

Nigel Farage, “babai” i Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, teksa komentonte gjatë fushatës zgjedhore zhvillimet post-Brexit, deklaroi se janë bërë plot gabime, por të paktën tani janë gabimet tona!

Kemi tre dekada që qahemi se derrat në politikë një turi kanë dhe se, sidomos pas kulisave PS-PD të 2008 me ligjin zgjedhor, po vuajmë plot faje e gabime, që nuk janë tonat si shoqëri. Boll të mendosh se na duhen po aq vite për të hyrë në BE sa zgjati edhe monizmi për të provuar se demokracia alla-shqiptare mbetet zhgënjim monumental. Tre dekada gabime, krime e demagogji me dy institucionet themelore të demokracisë e kapitalizmit si vota e prona të nëpërkëmbura me pasoja rrënuese për jetën e qytetarit, që mban çelsat e kashtës në dorë.

Kanë marrë kot!

Sot paraja nuk motivon më ambicjen e punën e ndershme, por prapësinë e dallaverin, nuk nxit mirëqënien e kohezionin, por ndasinë e tensionin social, nuk frymëzon përkushtimin e virtytin ndaj demokracisë e ligjit, por zbythjen para korrupsionit, llumit të antivlerave e arrogancës së shtetit etj dhe qytetari, sidomos pas 2008, nuk ka më gjë në dorë!

Jeta e përditshme e qytetarit sot hidhet në “telajo” sipas tekave të politikës. Prona e të zotit shkon tek më i “zoti”, varfëria nuk bën më përshtypje, siguria e jetës dhe e pronës dëshpëron këdo, banimi është në kaos pafund, sepse qytetarit i nxihet jeta nga braktisja e shtetit në administrimin e pallateve, është i rrethuar nga kantjere, skela, makineri të rënda, zhurma ndërtimi non-stop ku gjallon klientelizmi e pastrohet paraja e zezë etj.

Peripeci këto që nuk i sfumon as shpallja e nongratave të rradhës, retorika e reformave, “faraonizmi” urbanistik, butaforia e turizmit në kurriz të vëndasit, paradat “gala” me botën, protagonizmi me ngjarjet sportive etj stisje klinteliste e shpërqëndruese pafund. Gjithshka mbetet propagandë e “arritje” kala rëre si kofini pas të vjeli kur mendon dëmin e pallogaritshëm, që nuk zhbëhet më ndaj qytetarit shqiptar prej vitit 1990 dhe pamundësisë për të vendosur me votë për fatin e tij.

Me “rregull treshi” vetëm ky realitet i hidhur dramatik me pasoja në jetën e mirëqënien e njerëzve do të mjaftonte të zhvlerësonte demokracinë po njëlloj si socializmin si sistem. Por, keqqeverisja dhe ndrydhja e lirive nuk është vetëm çështje sistemi, por edhe vullneti e përkushtimi ndaj tij. Pavarësisht të zezave të tyre historike, socializmi, institucionet fetare, demokracia sot, ato janë në rregull me “letra” dhe dora e fshehur, që hedh gurin mbetet njeriu që fshihet pas sistemit teksa e përçudnon atë, më së pari sunduesit e kokat e “votuara” atje lart!

Demokracia jonë çalon sot jo se nuk bën për qytetarin, por se e pamundëson atë të bëjë për veten e tij e këtu PS e PD janë bashkë, sepse kanë nëpërkëmbur votën e pronën pa dallim.

Jeta e përditshme e qytetarit sot hidhet në “telajo” sipas tekave të politikës. Prona e të zotit shkon tek më i “zoti”, varfëria nuk bën më përshtypje, siguria e jetës dhe e pronës dëshpëron këdo, banimi është në kaos pafund, sepse qytetarit i nxihet jeta nga braktisja e shtetit në administrimin e pallateve, është i rrethuar nga kantjere, skela, makineri të rënda, zhurma ndërtimi non-stop ku gjallon klientelizmi e pastrohet paraja e zezë etj.

Graviteti i votës në demokraci

Vota e lirë është guri i parë në themelin e demokracisë dhe kur ajo dikton kush qeveris, çdo padrejtësi e keqqeverisje “përtypet” sa kohë largimi i së keqes mbetet çështje kohe dhe shpresa nuk është iluzion. Pas 2008 kjo nuk është më e mundur e qytetari detyrohet të durojë farsën pafund të politikës e keqqeverisjeve, që kanë votën në xhep.

2008 sanksionoi “nepotizmin” në politikë, statukuonë e vijimësinë e abuzimit, kastën e “senatorëve” e “pionierëve” partiakë, shmangien e garës së hapur e të lirë zgjedhore në favor të partive të vjetra, dilemat në kutinë e votimit mes progresit, apo zgjedhjes mes dy të këqijave etj.

Sot qytetari vuan pasojat e keqqeverisjeve jo për fajin e tij dhe retorikat e reformave, qoftë edhe integrimi në BE, nuk janë “melhem” por rrahje uji në havan sa kohë qytetari nuk ka mundësi të bëjë të vetëm me votën e lirë.

E keqja e demokracisë nuk është punë individi atje lart, qoftë ky Rama, Berisha, Meta, Basha, “senatori” apo “pioneri” rrotull, “mumjet” tek partitë satelite etj. Është pamundësia për të ndëshkuar e besuar me votë e mungesa e lirisë për të zgjedhur më të mirën nga meraku se mos na mbetet në derë më e keqja dhe kjo dilemë zgjidhet vetëm përmes reformimit të ligjit zgjedhor.

Partitë e reja, shoqatat qytetare, intelektualët e media e lirë duhet të kenë refren “revolucionin” e ligjit zgjedhor, sepse reformimi i ekzistuesit nuk shpie kund. Rama, Berisha e Basha janë produkte të statukuosë, që ligji “spanjoll” ofron dhe kozmetikat, sikundër Basha propozon, nuk e prekin atë.

Ligj ideal zgjedhor nuk ka, por më të mirë se i sotmi ka. Vota e qytetarit shqiptar do të vlejë sërisht nëse rikthehet qoftë: a) ligji mazhoritar me dy raunde, me plotësim proporcional kombëtar, apo duke kaluar në b) STV (single transferable vote) nominal e proporcional njëkohësisht. Ndërsa mazhoritari është më i drejtëpërdrejtë e ndez gjakra më shumë e STV kalon më qetë, por është më kompleks e zgjat në kohë, të dy garantojnë votën për më të mirin, shmangin merakun e votës së vajtur dëm dhe mbushin Kuvëndin me besnikë ndaj votuesit e jo Ramës e Berishës si me lista deri tani.

Shumë gjëra janë bërë mbrapsht deri më sot dhe me gjasa do të ndodhin sërisht. Rama, Berisha etj, janë aty ku janë me pahir se nuk ka më votë për kokë. Por nëse ia dalin edhe me votë mazhoritare, të paktën qytetari, nëse vuan pasojat e zgjedhjes së gabuar të tij, po me votë të lirë ka në dorë ta ndreqë gabimin e tij. Ndaj sheshet, nëse duhen mbushur, se sa për dekore partiake, koncerte e ngjarje sportive, duhen mbushur për votën e nëpërkëmbur gjatë. Nuk ka rëndësi sa veta janë në shesh, apo sa media e kapur tregon me dron. Boll edhe një grusht qytetarësh se kauza bën të vetën më pas.