Polimer ÇEÇI/ Shteti që pengon shtetarët e tij për zhvillim

717
Sigal

* Piqeras

Po kalojmë mbi 20 vjet sistem demokratik dhe akoma populli nuk po e gjen veten për zhvillim e mirëqenies. Janë të pafalshme qëndrimet e qeverive të tranzicionit, të kujtdo krahu qofshin, të cilat zhvillimin e vendit nuk e kanë pasur prioritet, por kanë bërë vetëm politikë pa bereqet, e përse të mos e themi më shkoqur që kanë parë interesat e tyre, për ndarjen e tortës së madhe të ekonomisë që trashëguam. ‘Demi do kapur nga brirët’, thotë populli filozof. Nuk mund të bëhet politikë, kur populli është me barkun bosh. Këto janë pasojat e këtij niveli ekonomik që po kalojmë. Çdo Qeveri duhet të përcaktojë prioritetet e zhvillimit të vendit, në periudhat afatgjate e afatshkurtër, me objektiv kryesor, rritjen e nivelit ekonomik e kulturore të popullit të vet. Të tjerat nuk kanë asnjë vlerë. Parë nga ky këndvështrim, duke i njohur nga afër problemet që shqetësojnë zonën e bregdetit të jugut, perlën e Shqipërisë, ku unë jam banor i saj, zonë, e cila është lënë në mëshirë të fatit për mbi 20-vjet, me shumë probleme, ku “qeni nuk njeh të zotin”, nuk konstatohet asnjë perspektivë, nuk shikojmë asnjë dritë jeshile në fund të tunelit, mbasi kërkojnë zgjidhe dy probleme madhore. Së pari, problemi i pronësisë mbi tokën. Dihet problemi i pronësisë në këtë zonë, e cila është krijuar në shekuj me mund e djersën e të parëve, “me majën e kasmait”, thotë banori i zonës. Me tarraca e ullinj 500-vjeçar, me djersën e emigracionit në shekuj. Zona e bregdetit të jugut, nuk mund të njësohet as me Myzeqenë, as me Vurgun e as me Vrinën, toka, të cilat janë hapur nga një ekonomi e centralizuar. Në këto kushte, nuk mund dhe nuk ka vend zbatimi i një ligji absurd, i cili vetëm ligj nuk mund të jetë, si nga forma juridike dhe nga përmbajtja e tij, i cili nuk zgjidhi, por krijoi një lëmsh të madh, krijoi një spirale, i cili ka sjellë e po sjellë  vërdallë një popull të tërë të lodhur dhe pa një dritë jeshile për të ardhmen, pa përmendur këtu, pasojat që ka sjell ligji në jetën e shumë njerëzve. Tokat në bregdet duhet të kthehen mbasi ato janë të lira, pa probleme sociale, mbështetur në dokumentet kadastrale dhe arkivore të para vitit 1945. Po përse heshtet? Në zonën e bregdetit, problemi i pronësisë është futur në rrugë pa krye, mbasi ligji 7501 për “Tokën” nuk është zbatuar në asnjë fshat të zonës. Ka fshatra që nuk kanë pranuar ta ndajnë tokën, një qëndrim shumë i drejt, kushtetues e moral i tyre. Në ato fshatra, ku thuhet se, është zbatuar ligji, janë konstatuar aq shkelje ligjore me abuzime, që kërkojnë ndjekje penale të autorëve, sa problemi i ndarjes së tokës duhet të fillojë nga fillimi, gjendja nuk pranon andrrime. Rasti më flagrant për abuzimet dhe shkeljet ligjore është fshati Piqeras, i Komunës Lukovë. Komisionet e Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore të ngritura pranë Prefekturave, mbështetur në ligjin 9948, të ndryshuar, nuk kanë funksionuar, përse të mos ta themi se ligji dhe institucionet e ngarkuara me ligj, ka krijuar një shtrat të ngrohtë të korrupsionit. Ky ligj duhet t’i zgjidh problemet deri në fund, që do të thotë deri në dhënien e certifikatës së pronësisë pronarit të ligjshëm. Është i domosdoshëm sa më parë amendimi i tij.

Dihen avantazhet e zgjidhjes së problemit të pronësisë, duke filluar nga njohja si një e drejtë ndërkombëtare dhe kushtetuese e të drejtës së pronësisë, kursimi në mënyrë drastike i fondeve buxhetore të miratuara për çdo vit për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, eliminimi i të gjitha gjobave të vena nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Qeverisë Shqiptare, për mos zbatim të njohjes, kthimit, apo kompensimit të pronave, pronareve të ligjshëm, shuma këto, të cilat nuk kanë qenë të vogla, e që kanë rënduar në xhepat e qytetarit, si dhe afrimi i investitorëve të huaj për zhvillimin e zonës etj. Së dyti, nuk mund të zhvillohet një vend, një zonë si ç’është bregdeti, pa një program, pa një studim, duke mbajtur në konsideratë kapacitetet akomoduese, terrenin, specifikat, popullsinë vendase, karakteristikat e fshatrave ekzistuese të zonës, etj.. Mungesa e këtij studimi ka sjell mungesën e zhvillimit për 20- vjet, duke varfëruar popullin e zonës, e për pasojë dhe shtetin, ka sjellë gjendjen kaotike të ndërtimeve, duke dëmtuar rëndë, peizazhin, të ardhmen e kësaj zone. Thuhet se janë bërë disa studime për zonën e bregdetit, qysh nga qeverisja socialiste, nga Banka Botërore, por nuk i kemi parë hairin e tyre. Janë harxhuar disa miliona USD, por me sa shohim pa efektivitet. Është për të vlerësuar nisma ligjore e Komunës Lukove lidhur me studimin e zonës të juridiksionit të saj, Borsh – Nivicë. Kjo nisëm duhet mbështetur në drejtim të financimit nga Qeveria si dhe është shumë urgjente miratimi sa më parë sipas kompetencave të studimit në fjalë. Janë të shumta kërkesat nga banorët vendas dhe të atyre në emigracion, investitorë të huaj që kërkojnë të investojnë kursimet e tyre, por problemet e krijuara nga dy faktorët e analizuar më sipër, kanë bërë që të frenohet zhvillimi i zonës, me dëshirën e Qeverisë!