Njohje e Kosovës – jo Ramuje e dytë

1219
Sigal

Prof. Qemal Lame

Politikanët e lartë dhe media e Serbisë po dëshmojnë kohët e fundit dëshirën për zgjidhjen përfundimtare të domosdoshmërisë së njohjes së Kosovës. Propaganda zyrtare manovron me çdo mjet të ruajë sa të mundi interesat serbe edhe në vendimin e dhimbshëm të ndarjes nga e kaluara shoviniste dhe hapjen e një epoke të re të marrëdhënieve, bashkëpunimit e miqësisë midis serbëve e shqiptarëve në rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian. Gazeta e njohur serbe “Danas”, shkruan, sot, më 10.06.2018, për një zgjidhje alternative për arritjen e marrëveshjes Serbi-Kosovë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Alternative e re shihet si një shans për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi, me ndihmën e kontributin e mëtejshëm të partnerëve duke organizuar një konferencë ndërkombëtar, në fund të muajit qershor 2018.

Ajo mund të mbahet në një shtet perëndimor me qëndrim neutral si Zvicra. Kjo ishte konfirmuar më parë edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Prishtina dhe Beogradi do të negociojnë për zgjidhjen e problemeve bashkë me “lojtarët e mëdhenj botërorë”. Në takim thuhet, se do të merrnin pjesë Amerika, Britania, Franca, Italia. Krahas shteteve të përkushtuara deri tani për përmirësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës këtë mbledhje, mund të ketë edhe pjesëtarë të tjerë, duke mos e përjashtuar as Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Ditë më parë në median serbe shkruhej se Holanda, Amerika dhe Franca duan të jenë pjesë e bisedimeve të BE-së. Por ky lajm u mohua nga zyrtarët ndërkombëtarë. Veç këtij njoftimi na gazeta “Danas”, nuk është publikuar ndonjë lajm apo koment nga shtetet që mendohet se do të marrin pjesë në konferencë. Megjithëse është njoftimi i vetëm, është e nevojshme të analizohen mendimet e publikuara për rëndësinë që ka marrëveshja që të kuptohen qëllimet dhe vendimi politik i dëshiruar nga serbët. Njoftimi tërheq vëmendjen për ndryshimin e palëve pjesëmarrëse dhe zgjerimin i pjesëmarrjes në bisedime me disa shtete të cilat përmenden për herë të parë. Duket se kërkohen balancime të forcave politike për arritjen e vendimeve që do të mund të bashkërendonin interesat e ndryshme të Serbisë e të Kosovës, si dhe ato gjeopolitike të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë. Rusia dihet se mban qëndrim pro Serbisë. Ajo do të mbështesë çdo zgjidhje që do të pranohet nga Serbia. Këtë e deklaruan disa ditë më parë edhe zyrtarët e lartë rusë. Rusia nuk e ka njohur Kosovën. Pjesëmarrja e Kinës duhet analizuar në disa drejtime. Kina ruan, në radhë të parë, pozicionin e saj neutral. Është me vend të rikujtojmë faktin, se në problemet ndërkombëtare që krijojnë precedentë për ndarje territoriale, ajo shprehet kundër. Së dyti, ajo ka edhe marrëdhënie të ngushta ekonomike e politike me Serbinë. Së treti, Kina ka qenë edhe pjesë e ngjarjeve të mëparshme, me bombardimin që ju bë ambasadës së saj në Beograd, nga forcat e NATO-s. Së katërti, Kina nuk e ka njohur pavarësinë dhe shtetin e ri të Kosovës. Turqia ka shtuar dukshëm ndikimin e saj në Ballkan dhe ka investuar më shumë në Serbi, në krahasim me dy shtetet shqiptare. Turqia është nga shtetet e para që njohur Kosovën dhe shprehet vazhdimisht për mbështetjen e Kosovës. Në këto kushte, pjesëmarrja e saj në konferencë, duket se kërkohet për shkak të interesave që ajo ka dhe mundësisë për të kontribuar. Shpresohet se Turqia do të ruajë qëndrimet e deritanishme pro shqiptare. Por vihet edhe para dilemës për të mos cenuar as marrëdhëniet me Serbinë. Qëllimi i konferencës dhe shtetet pjesëmarrëse që kanë mundësi të kontribuojnë, përcaktohen nga media serbe si një “Rambuje e dytë”. Në të parën, Millosheviçi në kulmin e pushtetit të tij diktatorial, u deklarua kundër!? Tani, Vuçiç bëhet iniciator për organizimin!? Alternativa e re për një Rambulje të dytë, vjen papritur në opinionin publik serb, shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Alternativa që parashtron Serbia, nuk mund të publikohet pa marrë më parë edhe mendimin e shteteve që përmenden si pjesëmarrëse. Në rast se kjo është realizuar, atëherë lindin me të drejtë shqetësime për paragjykime ndërkombëtare.

Situata e tanishme politike e vitit 2018, me shtetin e pavarur të Kosovës, dhe domosdoshmëria për marrjen e vendimeve për normalizimin përfundimisht të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, të serbëve me shqiptarët, nuk mund të krahasohen me vitin 1989, kur u morr vendimi ekstrem për bombardimin e Serbisë, për shkak të gjenocidit, të shkombëtarizimit dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre të lashta në Kosovë. Qeveria e Serbisë del me alternativën e një Rambujeje, megjithëse ajo preferon që zgjidhja të jetë një lloj si Marrëveshja e Daytonit, pasi nga një marrëveshje e tillë doli Republika Srpska në Bosnje. Aktualisht, dihet se kërkohet të arrihet Asociacioni i Komunave Serbe dhe shkëputja e Veriut të Mitrovicës. Synohet krijimi i një shteti serb brenda Kosovës. Lihen në harresë të drejtat e liritë dhe ardhmja e shqiptarëve në Serbi Vuçiqi, është përballur me kundërshtimin e vendosur të Bashkimit Evropian dhe kuptohet se është i pakënaqur. Prandaj, kërkon një mundësi tjetër për bisedime dhe preferon që zgjidhja të arrihej në një format më të gjerë ndërkombëtar me “lojtarët e fuqishëm të politikës botërore”, sesa në “zyrën e Brukselit”. Serbia është vënë përballë qëndrimit të vendosur të Gjermanisë për njohjen pa kushte të Kosovës. Politikanët e lartë serbë, pranojnë se Gjermania ka pakënaqësi të mëdha deri më tani për dinamikën e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjermanët kanë vërejtje të shumta në punën e Mogherinit dhe Johanes Hahn në dialogun me Serbinë. Mendohet për një të dërguar të posaçëm, i cili do të ishte përgjegjës për formën e dialogut. Zgjedhja do të ishte në ndonjë ish-zyrtar gjerman që respektohet në Berlin, Bruksel, Uashington dhe Moskë. Rambujeja e parë kishte si qëllim që të arrihej një zgjidhje paqësore për ndarjen e Kosovës nga Serbia. Arsyetimi për një “Rambuje të dytë”, në fakt krijon frikën për një marrëveshje për ndarjen nga Kosova të Mitrovicës së Veriut. Këtë shqetësim për gjithë kombin shqiptar, nuk mund ta mënjanojë as argumenti i publikuar, se kjo Rambuje e papritur bazohet në takimin e fundit, për të cilin mediat kanë shkruar se është zhvilluar në Nju Jork, nga vendet e Quintit.

Në publikimin e “Danas”, vihet theksi, së pari, në mendimin se çelësi për zgjidhjen e problemeve me Kosovën është në duar e amerikanëve. Së dyti, tërheq seriozisht mendjen, edhe publikimi se Amerika ka zbutur qëndrimin sa i përket ndarjes së Kosovës. Me këtë pretendim për qëndrimin e ndryshuar amerikan, politika serbe detyrohet të pranojë hapur, se vetëm Gjermania është kategorikisht kundër. Argumentohet, se: “Ndryshe nga gjermanët të cilët ende mendojnë se ndarja e Kosovës është e papranueshme, por besojnë se Kosovës duhet t’i jepet një vend në OKB, amerikanët besojnë se, zgjidhja që Serbia ta merr veriun e Kosovës dhe të gjitha Manastiret nuk është e papranueshme.” Gjermanët vazhdojnë të theksojnë se ndarja e mundshme e Kosovës do ta “hapte kutinë e Pandorës në Ballkan”. Në situatën e tanishme politike kur kërkohet zgjidhje përfundimtare, roli kryesor kalon nga Bashkimi Evropian tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ndryshe nga fazat e mëparshme në negociatat me Kosovën, ku pritej që Gjermania të kishte rol vendimtar, tani të gjithë sytë e botës janë në Amerikën. Në këtë kontekst është e qartë se vendet e BE-së po tentojnë ta diskreditojnë dialogun në Bruksel, për t’i hapur rrugë organizimit të një konference të madhe ndërkombëtare për Kosovën”, shkruan gazeta “Danas”. Për të rritur rëndësinë e kësaj iniciative të re, kërkohet të nënvleftësohet roli vendimtar evropian dhe tërhiqet vëmendja tek partnerë të tjerë. Kështu, justifikohet edhe “dështimi” në Konferencën e Rambujesë me argumentet se delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës nuk ishin takuar direkt, por mesazhet ishin transmetuar nga amerikanët. “Në fund negociatat dështuan pasi marrëveshja ushtarake nuk u pranua dhe Serbia u bombardua. Për të shmangur gabimet e tilla është e nevojshme që këtë herë asnjëra palë të mos jetë në presion. Beogradi të mos sulmohet më tej politikisht dhe të mos vihet para faktit, se do të bllokohet rruga drejt BE-së. Burimet diplomatike theksojnë se ky takim do të ishte mirë të mbahet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky mendim është i drejtë, por në situatën e tanishme nuk mund të realizohet. Nuk mund të arrihet marrëveshja e nevojshme për Ballkanin Perëndimor, për vetë kushtet që Bashkimi Evropian po përballet me problemet e brendshme pas brexit të Anglisë dhe politikave populiste në Itali, Spanjë, Francë etj. Natyrshëm, kuptohet se nuk shpresohet më tej në bisedimet me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian dhe kërkohet të bëhen pjesë e zgjidhjes shtetet e tjera sipas partneritetit strategjik, të cilët kanë realisht forcën e rolin ndërkombëtar për të imponuar marrjen e vendimeve, ruajtjen e interesave gjeopolitike e gjeostrategjike ushtarake, si dhe lehtësimin e mundshëm për përgjegjësisë së madhe që kanë institucionet përfaqësuese e politikat e lartë të Serbisë e të Kosovës, për masat që do të ishin në kundërshtim me vullnetin e njohur të popullit serb dhe atij shqiptar. Serbia nuk mund të mohojë më tej realitetin politik në Kosovë, duhet ta njohë pavarësinë dhe të ndryshojë Kushtetutën pasi e vlerëson akoma pjesë të saj. Për të zbutur reagimin agresiv të ultranacionalistëve serbë, insistohet për marrja e Mitrovicës Veriore dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Më konkretisht, vlen të theksohet se konferenca vlerësohet si shpresëdhënëse për serbët, për të imponuar zgjidhje të njëanshme politike nga ndërkombëtare, duke mënjanur marrjen e vendimeve nga institucionet e larta shtetërore kombëtare. Për këtë qëllim, theksohet herë pas here që Serbia dhe Kosova duhet të bisedojnë dhe arrijnë marrëveshje, të bëhen lëshime reciproke, të mirëkuptohen e pranohen dhimbjet që mund të pasojnë. Roli parësor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i domosdoshëm për vetë fuqinë e saj si super shtet, por edhe për kontributin që asaj i kërkohet për të realizuar deri në fund strategjinë për Kosovën si shtet i ri i Evropës dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor. Me këtë këndvështrimi, evidentohet përfundimi se gjeopolitika strategjike amerikane, nuk ka interes në ndarjen e Kosovës, largimin e trupave ushtarake të KFOR-it nga Mitrovica Veriore, krijimin e mundësisë për shtimin e ndërhyrjes ruse në këtë zonë të tensionuar, kur dihet se baza e fuqishme ushtarake ruse në Nish, i kundërvihet forcave të NATO-s dhe bazës ushtarake amerikane në Ferizaj. Nuk mund të mendohet se do të ndodhë as heqja e Trepçes me pasuri të mëdha minerale duke dëmtuar ekonomikisht Kosovën dhe ia “dhuruar” padrejtësisht Serbisë. Serbia është e domosdoshme dhe e natyrshme që të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Kështu, serbët do të çlirohen edhe nga përgjegjësitë e mëdha të politikës shoviniste të së kaluarës. Presidenti Vuçiç, në intervistën e dhënë më 8 qershor 2018, u kuptua qartë se foli me kurajë e objektivitet duke deklaruar se Kosovën nuk e kemi pasur përherë tonën. Atë e morëm pas Kongresit të Berlinit. Kemi zgjeruar kufijtë jugorë në dëm të të tjerëve. Me këtë qëndrim, është e dobishme dhe efektive që politikanët dhe institucionet e larta përfaqësuese të Serbisë, të reflektojnë dhe të pranojnë pa kushte zgjidhjen përfundimtare për njohjen pa kushte të Kosovës së pavarur dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndërshtetërore e miqësore midis serbëve e shqiptarëve.