Një mjek racist që e ka më lehtë të mësojë gjermanishten se sa gegrishten dhe një rrëfenjë e jetuar me mjekun kirurg Tahir Alku

702
Këto mu kujtuan ndërsa gazetat dhe portalet në një shqipe që është mbushur me fjalë të huaja sa të duhet fjalor për t’ua marrë anën, përcillnin me një cinizëm ekstrem fjalët e një mjeku që me paratë tona studioi 12 vjet në Shën Peterburg dhe në Moskë të Rusisë, u bë kirurg dhe i ofrohen 2000 dollarë në muaj të punojë në profesionin e tij, një njeriu me germa të vogla, një burrec dalë nga ferrat e Mallakasrës, që paska deklaruar se “e kam më të lehtë të mësoj gjermanishten se sa gegërisht”

I “lëshova dushke” për të mbuluar erën e keqe që ai dhe gazetat e portalet përcillnin me një racizëm ekstrem. 

Nga arkivi i gazetarit po shkëpus një ngjarje të jetuar, ngjarje që lidhet jo thjesht me një mjek por me dhjetëra kirurgë, gjinekologë, ortopedë e profesione të tjera të ngushta të mjekësisë që mjekuan me shpirtin e tyre njerëz jo vetëm në qytetin e Peshkopisë e të Bulqizës por edhe në spitalet në zonat më të thella malore të Dibrës duke u bërë krenari dhe qytetar nderi të saj.

Janë shumë, nuk i radhis dot sepse do të harroj dikë e do të më mbetet peng…

Një aksident enigmë në ujërat e Shkopetit i mori jetën kirurgut TahirAlku ndërsa kthehej nga një operacion në spitalin e Bulqizës ku, edhe pse kishte dalë në pension, shkonte herë pas here me makinën e tij për tu qenë pranë njerëzve…
…Isha kthyer nga një shërbim në malet e Gollobordës, midis njerëzve duarartë në ndërtim e punëtorë të palodhur në bujqësi e blegtori. Asokohe nuk kishte celularë e telefonat me dy tela mbi shtylla druri sa kishin arritur në qendër të fshatrave të bashkuar, si u thoshin asokohe, e po punohej që linjat të shkonin në çdo fshat. Vëllai nuk më kishte kapur dot për të më njoftuar për operimin e nënës nga apendiciti akut e unë lajmin do ta merrja vesh vetëm kur hyra në shtëpi. Gruaja po bëhej gati për të shkuar në spital për t’i qëndruar nënës time tërë natën e parë të operacionit tek koka. Nuk eca por vrapova. Nuk mu nda hap pas hapi edhe ime shoqe…

Nëna na priti me buzëqeshjen e saj të ëmbël. 

Tek koka kishte kirurgun TahirAlku që po i maste pulsin.

– Gjithçka mirë. – më tha duke më shtrënguar dorën. Pasnesër vjen në shtëpi.

Njihesha me Tahirin ashtu siç njiheshin tërë banorët e qytetit tim të vogël. E respektoja si njeri dhe si mjek në dijet e tij shkencore dhe gatishmërinë për tu shërbyer njerëzve…

Nuk më shkohej në shtëpi ndaj me gjithë lutjet e nënës “shko se je lodhur” vazhdova ti qëndroj pranë…

Dola për një kafe e në hyrje të spitalit, tek urgjenca, takova Vehbi Ketën një mjek me të cilin kisha shumë shoqëri e kishim pirë një “ibrik kafe” bashkë…

Një sirenë ambulance na e dallgëzoi kafenë në filxhan. Hamdiu, shoferi i palodhur i ambulancës të spitalit, frenoi dhe gati i shpërfytyruar nga ajo që kishte përjetuar thirri: “Shpejt, shpejt, drejt e në sallën e operacionit”.

Lëvizje njerëzish, hapje e mbyllje dyersh, shqetësim qytetar…

Pyes se çfarë kishte ndodhur.

Në Herbel, në atë kthesën e rrezikshme tek rruga zbret në përrua e kthehet thuajse njëqind e tetëdhjetë gratë brenda një ure të ngushtë, një makinë me pasagjerë ishte rrëzuar. Një grua e re kishte përplasur kokën dhe gjaku e kish mbuluar sa nuk i dalloje fytyrën. 

E morën dhe me shpejtësi e çuan në sallën e operacionit…

Tek ishim me Vehbiun në sallën e urgjencës hyri Hamdiu që po kërkonte shoqëruesin e gruas, bashkëshortin e saj që fatmirësisht nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim të dukshëm.

Një shqetësim tjetër qytetar. Ku ishte? Ku shkoi? 
Dikush tha se ishte nisur për në Ushtelencë tek familja e të shoqes…

Ushtelenca nga Peshkopia është një orë larg në këmbë. Një udhëtim natën nga një njeri pa shoqërues, në një gjendje shoku nga ngjarja por edhe i tronditur nga aksidenti, edhe sikur të mos kishte asnjë dëmtim fizik, ishte një ngjarje tjetër e rëndë.

Ushtelenca nuk kishte lidhje telefonike. Provuam Brezhdanin, fshat një gjysmë ore larg. Nuk dilte njeri.

Mora centralin e repartit ushtarak. U prezantova se kush isha, u tregova rastin dhe u kërkova të më lidhnin me repartin ushtarak të Zdojanit. Lidhja ishte e menjëhershme. Kërkova oficerin e rojës. U përgjigj menjëherë. I thashë se jam Abdurahim Ashiku dhe marr nga komiteti i partisë. I tregova rastin dhe adresën e familjes ku do të shkonte i traumatizuari nga aksidenti. U kërkova të dërgojnë një skuadër të vogël me ushtarë dhe të kërkojnë e sjellin në spital personin. Më tha se do të shkonte vetë së bashku me dy ushtarë. Reparti ushtarak ishte po aq larg në shtrirje tokësore sa Peshkopia me Ushtelencën…

Vebiu, i çuditur nga adresimi im më tha: 
– Si u the; “Marr nga komiteti i partisë” ?
– Mos duhet të shkoja në zyrë që ti merrja në telefon prej andej? Koha nuk pret.

Të nesërmen mësova se skuadra e ushtarëve me oficerin në krye kishin arritur në një kohë me burrin e traumatizuar. Kishin hyrë në shtëpi, kishin sqaruar familjarët dhe i kishin nisur për në spital për të përjetuar ngjarjen e rëndë që lidhej me të bijën.

Mësova edhe për betejën për jetën në sallën e operacionit. Mjeku TahirAlku, kirurg me përvojë ishte ndodhur para një gjendje që nuk e kishte provuar asnjëherë. Gruaja kishte thyerje të kockave të kokës dhe me siguri rrjedhje të gjakut në hapësirën trunore. Një thirrje drejt Tiranës ishte një vdekje e sigurt edhe sikur të sillej helikopteri i urgjencës. Një lëvizje edhe deri tek fusha e sportit ku uleshin helikopterët ishte të humbje një jetë në një moshë fare të re…

Nuk mund të priste. U tha shokëve se do të hapte kokën e gruas. Gatishmëria e tyre e qetësoi…

Hapi kafkën. Vërejti se nuk ka dëmtime fizike. Pastroi tërë gjakun e derdhur mbi palat e trurit me kujdesin që të mos mbetet qoftë edhe një grimcë sado e vogël…

Në mëngjes, kur dielli nxori kokën nga maja e Hynoskës doli nga salla e operacionit me sigurinë dhe dyshimet që lindin në shpirtin e mjekut në raste të tilla kur luftohet për jetën…

Pas qëndrimit disa ditë në reanimacion gruaja, e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur, kaloi në dhomën e të sëmurëve tashmë nën kujdesin dhe buzëqeshjen e të shoqit, prindërve e miqve…

Ishte përkushtimi qytetar i mjekut TahirAlku, profesionalizmi i tij, përvoja dhe guximi që i shpëtuan jetën gruas së re nga Ushtelenca…
* * * 
Këto mu kujtuan ndërsa lexoja në tituj gazetash e portale deklaratën e një mjeku kirurg që me paratë e mija dhe tuat ishte shkolluar dhe specializuar për 12 vjet në Shën Petërburg e në Moskë, një mjeku që nuk donte t’i largohej Tiranës edhe pse shteti i jepte një pagë më të madhe se sa të një deputeti apo ministri.
Kohë e keqe ka ardhur e ora e saj vrapon çmendshëm… 

Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë
Sigal