Një gjeneral nazist në Shqipëri

1061
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

(Botuar te revista gjermane “Stern” në vitin 1964)

Revista gjermane “Stern” (12 janar 1964 Heinrich Mueller) pati botuar artikullin “Një Gjeneral nazist në Shqipëri” Sipas gazetarit Gjekë Gjonleka shkrimi është botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit më 4 Mars 1964. “Dielli” e shoqëronte botimin e këtij shkrimi me këto fjalë “…Thuhet se një nga krerët e Gestapo-hitleriane qenkësh në Shqipëri me detyra policore, sipas revistës “Stern” që botohej në Hamburg.”

Në gazetën “Telegraf” po e botojmë në gjuhën e sotme normative.

Me pak fjalë po japim më poshtë historinë si e shpjegonte revista në fjalë, e cila për rastësi ishte revista e ilustruar gjermane më e madhe, njësoj si Matchi-i frëng ose revista amerikane Life.

Heinrich Mueller ka qenë gjeneral i SS-ve dhe kryetar i zyrës IV të Gestapo-së në Zyrën e Sigurimit të Reich-ut gjerman dhe dora e djathtë e vetë Himler-it. Ky ka drejtuar të gjitha çështjet që kishin të bëjnë me kampet e përqendrimit dhe me veprat e mbytjes të njerëzve të burgosur. Prej tij varej dhe famëkeqi Adolf Eichmann që u akuzua për vrasjen e hebrenjve, i cili u rrëmbye nga Argjentina dhe pasi u gjykua, u dënua me vdekje në shtetin e Izraelit. Heinrich Mueller ka qëndruar prej vitit 1945 e gjer më 1955 në Moskë ku kishte fituar besimin e Stalinit, të cilin e ndihmonte për zbulimin e personave sovjetikë ose të tjerë, që kishin bashkëpunuar me gjermanët gjatë Luftës. Mbas vdekjes të Stalinit dhe zhvillimeve që ngjanë në Rusi gjer në ardhjen në fuqi të Hrushovit, Muelleri hyri në shërbim të diktatorit hungarez, Rakoshi, në Budapest, ku qëndroi gjer në fund të vitit 1956. Në Budapest është njohur me Mehmet Shehun dhe ky i fundit e ka ftuar të vijë në Shqipëri. Në Shqipëri Mueller punonte në një zyrë të posaçme që kishte mbrojtjen personale të Enverit dhe të Mehmetit. Detyra e tij është: Informacioni dhe Sigurimi, veçanërisht çështjet që kishin të bënin me vendet lindore, me Gjermaninë Lindore, Jugosllavinë dhe vendet tjera. Ai kishte marrë shtetësinë shqiptare dhe quhet Abedin Beqir Nakoqiri. Kishte pozitën kapiten i Sigurimit, por në të vërtetë ushtronte punën e një gjenerali. Në vitin 1962 Heinrich Mueller ka takuar në hotelin “Adriatik”, në plazhin e Durrësit, një grup gjermanësh të Lindjes, që ishin teknikë në punimet për ndërtime barakash në Durrës. Në pranverë të vitit 1963 është takuar me një komunist të vjetër nga Gjermania Lindore. Në pije e sipër iu çlirua gjuha dhe ka folur më tepër se sa duhej dhe padashur u zbulua se kush ishte. Komunisti në fjalë, me t’u kthyer në Berlinin lindor, i ka raportuar çështjen Ulbreht-it, kryetarit të Gjermanisë Lindore. Në Gjermani Muelleri konsiderohet si i vdekur dhe revista në fjalë jep një pikturë të varrit të tij. Sa të vërteta janë këto të thëna është zor të dihet. Vetëm se me gjithë bujën e bërë nga ky artikull, Tirana kishte qëndruar në heshtje dhe nuk kishte bërë asnjë përgënjeshtrim. Kjo gjë lë të kuptohet se tërë kjo mesele nuk është pa baza. Që prej ditës që morën fuqinë në dorë, komunistët shqiptarë kanë trumbetuar parimet e tyre antidiktatoriale, antifashiste dhe antinaziste. Sa herë që ndonjë patriot nuk mund të akuzohej për ndonjë gjë të vërtetë, dilnin menjëherë në shesh epitetet e “nazizmit” ose e kolaboracionit. Vite me radhë i janë dëgjuar këto akuza, të shumtën e herës pa asnjë themel, bile edhe patriotëve më të kulluar u janë hedhur njolla e akuza të tilla. Parimet për të cilat gazetat dhe radioja e Tiranës flisnin kaq shumë duket se ishin të forta në besimin e atyre që i përdorin. Aq e vërtetë është kjo, sa kur e prishën me Kremlinin, ata u kthyen menjëherë, për tregti ndaj Italisë, kundër së cilës nuk kishin lënë fjalë pa thënë. Aq larg vajti kjo sa që Hrushovi e akuzoi Mehmet Shehun për fashist. Kur gjetën një krye-nazist, që t’u shërbente, harruan çdo gjë, që kishin thënë më parë dhe e vunë në krye të një pune me rëndësi themelore për pushtetin. Morali i gjithë kësaj punë është se, Tirana thoshte një gjë e bënte një tjetër, sepse ajo e di që kishte syresh që e besonin.