Nga zgjedhjet moniste te administrata zgjedhore jopartiake në letër, por moniste në realitet

506
Sigal

Nga Gentian Çala

Ky propozim i mbrojtur nga PS-ja dhe i quajtur si rekomandim i OSBE-ODIHR-it, në tryezën e Reformës Zgjedhore duket një nga ngërçet ku ka ngecur marrëveshja ndërmjet palëve. Për ata që e njohin Shqipërinë dhe historinë e zgjedhjeve te ne, e kuptojnë fare mirë që një administratë zgjedhore nuk mund të jetë aspak jopartiake apo e depolitizuar. Ndaj, Opozita bën shumë mirë që nuk e beson dhe nuk e pranon. Ne nuk mund të kalojmë nga zgjedhjet moniste te zgjedhje që administrohen nga trupa të zgjedhura nga njëra palë. Ata që janë sot në pushtet, nesër mund të jenë në Opozitë dhe jam i sigurtë që nesër këtë element do të donin ta zhbënin.

Ne ende nuk kemi pjekurinë si shoqëri që të trajtojmë një proces zgjedhor, ku vota jepet dhe menaxhohet pa hile dhe tjetërsim. Madje edhe kur shkruajmë rregullat e lojës mendjen e kemi te hileja ndaj kundërshtarit. Mazhoranca aktuale e bjerrur nga pakënaqësia popullore, po mundohet që të përdorë reformën zgjedhore si terrenin e përshtatshëm për të tjetërsuar votën e shqiptarëve ose po i përdor mospajtimet për një tryezë pazari me Opozitën. Guximi për një adiminstratë zgjedhore jopartiake duket aventurier për një Qeveri, e cila është kapur me presh në duar duke blerë apo tjetërsuar vota. Konteksti aktual i pushtetit në një dorë nuk është aspak momenti i favorshëm për të ndërmarrë një hap të tillë. Thjesht është ti varësh ujkut mëlçitë në qafë!

Ka edhe elementë të tjerë, ku Opozita duhej dëgjuar. Shurdhësia e KM-së dhe e Rilindjes së tij, pavarësisht nga investimi i ndërkombëtarëve për konsensusin e reformës zgjedhore, duket si varrosje e zgjedhjeve të ardhshme. Besueshmëria e aktorëve politikë është element i rëndësishëm për garën elektorale dhe ajo nuk mund të bëhet nëse në fushë lojtarët i hedh vetëm njëra skuadër. Administrata zgjedhore e depolitizuar do të ishte një avancim, por jo në situatën politike aktuale të Shqipërisë. Kushdo që beson se një kostum i qepur për Qeverinë, do ti rrinte mirë Opozitës, them se ose nuk e njeh aspak atmosferën politike në Shqipëri ose po gabon qëllimisht.