Nga Kastriot Islami – Debati statutor/ Argumentet-pyetjet ‘pro-euroatlantike’

201
Sigal

1. Gjithçka më poshtë është në funksion vetëm të një debati me argumente statutorë, pra brenda kornizave ligjore/statutore. Për debatin moral, politik, apo “fshatçe” që kam dëgjuar gjatë kësaj kohe natyrisht që ekzistojnë argumente e pyetje të tjera që do të isha i gatshëm t’i paraqisja pa asnjë hezitim. Është e turpshme që shpesh debati statutor zëvendësohet apo kalohet në debatin fshatçe me argumente qesharakë, por që në realitet vjen nga paaftësia për të përballuar debatin me argumente statutorë e racionalë.

2. Në çdo vend të NATO-s, përfshi edhe SHBA, një debat i ngjashëm me atë për për “shpalljen ‘ineligible’ të Sali Berishës” dhe pasojat përkatëse do të zhvillohej kryesisht në aspektin ligjor/statutor dhe në asnjë rast dhe asnjë televizion nuk do të mund të bëhej një debat “fshatçe” sepse “fshatçe” debatojnë ata që nuk lexojnë, ose ata që janë të paguar, ose ata që janë të pafuqishëm e deri humbës në një debat racional e me argumente.

3. Nuk po e zgjas, por isha i detyruar t’i vendosja këto dy paragrafë për të përcaktuar edhe në këtë shkrim kornizën e “bashkëveprimit racional” me lexuesit dhe për të çarmatosur sidomos ata që janë të paguar me para të ndotura, apo që mendojnë se po gënjejnë apo sensibilizojnë teleshikuesit, të cilët në shumë raste janë më të mençur sesa ato që debatojnë në banaqet e televizioneve apo të rrjeteve sociale. Thënë më troç, pavarësisht synimit të tyre për t’i shpëlarë trurin teleshikuesve, efikasiteti i këtyre përpjekjeve mediokre është pothuajse zero, për të mos thënë zero. Pra askush nuk i dëgjon, askush nuk i përfill dhe askush nuk ndërron mendim nga artikulimet e tyre të turpshme e qesharake, gjë që e dinë edhe drejtuesit e këtyre debateve që e vazhdojnë këtë mesele thjesht për të fituar para e favore.

4. Pyetja e parë statutore: Çfarë akti formal ka kryer kryetari i PD? Ndryshe pyetja është: “akti formal” është vendim, qëndrim apo deklaratë; kjo duhet saktësuar pa u hedhur nga dega në degë duke thënë se është “pezullim” (pezullimi nga anëtarësia e grupit parlamentar do të bëhej me akt formal). Përse ky akt formal nuk bëhet publik në formë të shkruar që ta lexojnë e shikojnë të gjithë?

5. Pyetja e dytë statutore: Në cilin nen të statutit apo rregullores së grupit parlamentar të PD bazohet ky vendim, qëndrim apo deklaratë, qoftë edhe “pezullim i përkohshëm”? Në cilin nen të statutit shkruhet që të drejtën për të marrë këtë vendim e qëndrim, apo bërë këtë deklaratë, qoftë edhe për “pezullim të përkohshëm”, e ka kryetari i PD apo dikush tjetër?

6. Pyetja e tretë statutore: Në cilin nen të statutit apo rregullores së grupit parlamentar thuhet se një deputet përjashtohet nga grupi parlamentar vetëm se është shpallur “ineligible” nga një vend tjetër?

7. Pyetja e fundit “ligjore”: a ka një “kërkesë me shkrim” apo dokument të zbardhur e të arkivuar të “kërkesës gojore” të artikuluar nga përfaqësuesi i lartë i shtetit që e ka shpallur “ineligible” Sali Berishën?

8. Këto katër pyetje do të ishin normale dhe madje të detyrueshme në çdo vend anëtar të NATO-s, përfshi edhe SHBA. Madje do të duhet të shoqëroheshin më argumente racionalë e prova e fakte… Këto do të ishin të detyrueshme për një shtet ligjor, aq më tepër anëtar të NATO-s që duket e vështirë se Shqipëria mund ta imagjinojë dhe aq më pak ta realizojë.

9. Së fundmi, pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve nuk do të kisha pranuar “arsyetime qesharake e infantile” me “anti e proamerikanë”, apo “arbitri është tani me ne”, apo që “SHBA nuk pranon këtë apo atë”, apo “që mund të fitohen zgjedhjet nga përkrahja e SHBA nëse heqim këtë apo atë” e tjerë e tjerë… me të vetmin argument se të gjitha këto nuk janë pjesë e një arsyetimi ligjor e racional pa rënë në kurthin e debateve banale të sharlatanëve të paguar apo të palexuar e të paaftë të bëjnë debat ligjor racional.