Nebi DRAGOTI/Mos u ngutni në vendosje rregullash, gjuha të jetë sa më e thjeshtë dhe e lehtë

530
Sigal

Për gjuhën duhet qëndruar larg pasioneve të sëmura, larg ndikimeve mediokre të partiakëve që nuk kanë objektiv të qartë vizionar në sensin madhështor kombëtar. Politikanët, kur nuk e kuptojnë “Një gjuhë, një komb”, çirren kot dhe nuk e dinë se ku duhet dalë, madje as vetë nuk e flasin gjuhën pastër. Kryesia e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe nuk duhet të ngutet zhytur në sensin emocional për të bërë ndryshime në rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe, sepse dëmton standardin e saj të arritur, që ka qenë i vlerësuar e i suksesshëm. Për të bërë, qoftë edhe ndryshimin më të vogël në një rregull, duhet bërë analizë e gjithanshme, pra duhet vënë kjo apo ajo vlerë, që merret si e tillë,n ë kandar për të konkluduar në është apo jo vlera më e mirë, ku në të folur apo në të shkruar të ketë lehtësi për një kategori sa më të madhe shqipfolësish. Është e çuditshme, kur vendoset për një rregull drejtshkrimor, prapë shohim të lakohen dy dialektet e shqipes, ku në qëndrimin që mbahet, pastaj, diktohen gabime që hapin vështirësi riparimi. Ky qëndrim duhet të jetë i parëndësishëm tani për tani në këtë stad zhvillimi që ka arritur gjuha; madje, është pozitive që të eliminohen diskutime të tilla, pasi i ka kaluar edhe koha. Është fashitur ky problem. Në këtë kontekst duhet shikuar veç përpara për të dhënë më të mirën para se t’i hedhim për zbatim këto rregulla në sistemin arsimor, në mediat, në instancat e institucioneve shtetërore. Shpesh shikohen të botohen në shtypin e përditshëm shkrime me vërejtje teorike për probleme gjuhësore si oponencë e ideve që jep Kryesia e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe; mirëpo këto janë vetëm vërejtje në erë, sepse nuk kanë konstruktivitetin nëpërmjet ilustrimit me shembuj konkretë dhe bindës. Jam i mendimit se oponenca të tilla, kur janë të bazuara në gjuhën e gjallë, janë të nevojshme dhe duhen vlerësuar ose u duhet dhënë përgjigja e duhur në mirëkuptim. Gjuha shqipe si çdo gjuhë tjetër ka fjalë aktive dhe inaktive, ka dhe fjalë që koha i atrofizon e zëvendësohen, ka fjalë që evoluojnë edhe duke u tjetërsuar me emërtime sendesh apo objektesh bashkëkohore. Një e tillë është fjala demiroxhak (mbështetëse drush në vatrën e zjarrit). Kjo fjalë sot nuk gjen përdorim edhe në gjuhën e folur. Me të tilla fjalë nuk kemi përse të merremi. Le të ngelen kategori të tilla fjalësh vetëm për studiuesit e gjuhës në atë fjalor të kohës. Është me vend vërejtja që i bëj këtij institucioni,kur merret me fjalën lëkua për të përcaktuar drejtshkrimin e saj duke zëvendësuar zanoren fundore a me e si në gegërisht. Justifikimi është absurd, kur thuhet se kjo fjalë ka prani në standardin e sotëm si tek fjalët mësues, i punueshëm edhe pse këto fjalë mbarojnë me bashkëtingëllore. Ky mendim nuk gjen natyrshmëri dhe bindshmëri. Vajmedet që për këtë fjalë të vetme ose duke e përafërsuar me ngjashmëri të tjera të formulojmë rregull drejtshkrimor. Del kështu që të hartohen rregulla për çdo fjalë, pra, del që të bëjmë ngarkesa të panevojshme vetëm e vetëm për ta rënduar dhe për ta vështirësuar për asimilim tek nxënësit. Për përmirësimin drejtshkrimor të shqipes duhet mbështetur fort në standardin ekzistues, sepse një sipërmarrje e tillë është e barrshme dhe kërkon në ndërgjegje përgjegjësi të lartë, sepse gjuha nuk është e një individi apo e një partie. Një vërejtje është me vend rekomandimi i dhënë për fjalën i gjerë në formimin foljor të shkruhet zgjëroj. Atëherë pyes për drejtshqiptim si është më mirë zgjëroj apo duke e zëvendësuar ‘ë’ me e zgjeroj? Prandaj edhe e përsëris: për gjuhën larg ngutjeve, larg rrymave ujore të turbullta emocionale! Shumë fjalë të shqipes mbarojnë me ‘ë’, madje edhe emra të gjinisë mashkullore në njëjësin e pashquar si burrë, lumë, babë etj. Për këtë kategori është shumë lehtë të veprosh sepse rregullin gramatikor e ke që me ‘ë’ në fund shkruhen emrat femëror, trajta e pashquar e njëjësit si dorë, bukë etj. Është e pranueshme që ‘ë’ fundore të futet brenda fjalës si kazmë në ‘kazëm’, po pse amëz të shkruhet ‘amzë’(??). Ka kontradiktë, ka vend edhe për vërejtje. Hajde e gjeja fillin këtij lëmshi, i dashur gjuhëtar. Po kështu rekomandohet që ullinj të drejtshkruhet ‘ullij’, i drunjtë të shkruhet i drujtë. Në këtë rast kam mendimin se duhet diskutuar forca shqiptuese e ‘nj’ dhe ‘j’ në fjalë; duhet analizuar harmonia e tingujve për të pasur shqiptim të bukur, të qartë dhe të plotë të fjalës. Kjo kërkesë që bëj, me këtë rast, duhet të jetë edhe për shumë raste të kësaj natyre. Vazhdoj ilustrimin dhe sugjerimin:rekomandohet thelb në shumës ‘thelbinj’ (pse të mbarojë me ‘nj’ dhe jo me ‘j’ si më lart si ‘ullij’).Tjetër, pse duke u mbështetur në vështrimin vizual shkrimor estetik mos të shkruhet ‘thelp’ e thelpinj? Mendoj se në shqiptim ‘p’ është më e thekshme se ‘b’ për forcë diksioni fjale. Është e pëlqyeshme fjala ‘zhongler’ të shkruhet ‘xhongler’ siç është edhe fjala e ardhur në shqip ‘spontaneitet’ të shkruhet ‘spontanitet’, sepse kështu arrin në natyrën e shqiptimit me lehtësi të shqipes. Nuk më duket e drejtë që lëngëzorja ‘r’ të shkruhet në ‘rr’ si shter në shterr, sepse ka vrazhdësi shqiptimi. Duhet qëndruar e gjykuar edhe, në këtë aspekt, për shqiptim më të mirë e më të ëmbël të fjalës. Është e tepërt dhe do të ketë problem përdorimi i shenjës së apostrofit, sepse bën shkëputjen e fjalës në të shkruar si Bet’hoven, Mat’hauzen. Këtë do ta quaja edhe mbingarkesë në hartim rregulli, sepse edhe fjalë të tilla janë të pakta. E kam shprehur në shkrim tjetër se do të ishte me vend të hiqej ‘j’ tek fjalët faqja, paqja etj., sepse në paradigmën që u bëhet kjo shkronjë është prezente vetëm në rasën emërore, vetëm kur shkruhet, ndërsa ne rasat e tjera largohet, (i, e faqes, i, e paqes, faqes, paqës, faqes, prej faqes etj.) Heq (j)a e kësaj shkronje është pa problem, sepse edhe kur fliten këto fjalë ‘j’ nuk dëgjohet. Ka ardhur koha që të shkruhen pa vijë ndarëse fjalët njëra-tjetra, dita-ditës në ‘njëratjetra’, ‘ditaditës’ e të tjera të këtij lloji. Këtu qëndron e mira se pakësojmë një rregull drejtshkrimor. Dhe kjo është vlerë, është zhvillim gjuhësor, krijon lehtësi në përvetësim të rregullave dhe e bën gjuhën sa më të thjeshtë e më të kapshme. Disa ndajfolje shkruhen me ë dhe disa pa ‘ë’. Pse mos të shkruhen të gjitha pa ‘ë’? Ndryshe, ky qëndrim që kemi mbajtur është, thjesht, çorientim. Në një gazetë shkruhet na fyeu. Edhe në media përdorimi drejtshkrimor ka shkelje, ka probleme të theksuara ku edhe shkruhet sipas tekave. Pra, na fyu, vetë zanorja e largohet nga shqiptimi i kësaj folje. Ka qëndrime të pamenduara mirë, kur ka shprehje të tilla: “Me që qenka thyesë me ‘ë’, të shkruhet edhe fjala tjetër me ‘ë’ thyezë. Në këtë mendim nuk shohim ndonjë gjë të dobishme. Pra, gjërat duhen peshuar mirë para se të veprosh. Për vendosjen e ndryshimit të rregullave drejtshkrimore është mirë që t’u kthehen edhe njëherë, por…me gjakftohtësi duke i qëndruar me besnikëri problemit kërkues shkencor gjuhësor, që kur të vendoset asnjë mos të ketë logjikë kundërshtuese. Mendoj se sa më shume të aktivizohen për këtë problem, që nuk është i pakët, aq më mirë është. Ndryshimi i rregullave drejtshkrimore të gjuhësisë është si puna e shprehjes: “Mat njëqind herë dhe pre njëherë.”