Msc. Daniel Guçe/Rëndësia historike dhe karakteri kombëtar i Kuvendit të Cepos

971
Sigal

Kuvendi i Cepos, si te gjitha ato ngjarje të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare në përpjekjet për autonomi, nuk është trajtuar shumë nga historia, por vetëm përmendet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, vëllimi II, dhe Historinë e Popullit Shqiptar, vëllimi II. Kuvendi i Manastirit të Cepos i përket atyre ngjarjeve të mëdha historike të etapës së fundit të kryengritjeve të përgjithshme të viteve 1910 – 1912, të cilat çuan në kurorëzimin me sukses të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me Shpalljen e Pavarësisë. Më 21 korrik 1911 u mbajt Kuvendi i kryengritësve të jugut në Manastirin e Cepos në fshatin Plesat të Krahinës së Kardhiqit. Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë, ku morën pjesë rreth 800 veta, diskutoi për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit xhonturk në kushtet e shpërthimit të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës dhe për përkrahjen e saj nga popullsia e Shqipërisë së Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili u nënshkrua nga 43 delegatët që morën pjesë në Kuvend dhe iu dërgua qeverisë xhonturke. Memorandumi u nënshkrua nga përfaqësues të popullsisë së Kurveleshit, Gjirokastrës, Delvinës, Himarës, Filatit etj. Ai u mblodh dhe i zhvilloi punimet pikërisht në kohën kur kryengritja anti- osmane kishte përfshirë dhe zhvillohej në të gjithë hapësirën etnike shqiptare. Momenti historiko-politik ishte i veçantë dhe i jepte Kuvendit të Cepos vlerë të jashtëzakonshme, sepse me vendimet që mori i përgjigjej detyrave historike kombëtare në ato momente. Për të kuptuar rolin dhe misionin e Kuvendit të Cepos mendoj se është e nevojshme të vështrojmë qoftë dhe shkurtazi në sfondin historik, pra zhvillimet e situatës politiko-shoqërore dhe lëvizjes kombëtare shqiptare, sidomos përpjekjet që nga Besëlidhjet e Kurveleshit, nga ajo e Mesaplikut, Picarit e deri në prag të këtij Kuvendi. Përpjekjet e para për bashkimin e trojeve shqiptare u bënë me formimin e dy pashallëqeve shqiptare, atë të Shkodrës dhe Janinës, por për shumë arsye këto të dyja nuk arritën të krijonin një autonomi shqiptare. Reformat e para centralizuese, të njohura si reformat e Tanzimatit, do të zgjonin dhe kryengritjet e para të armatosura, të cilat vazhduan për dhjetëra vjet. Me 21 korrik 1911 u mbajt në Manastirin e Cepos kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë së Kurveleshit, Gjirokastrës, Delvinës, Himarës dhe Çamërisë. Në memorandum përkrahej programi për autonomi i Kuvendit të Greçës. Kjo kërkesë për privilegje të njëjta për të gjithë shqiptarët, nënkuptonte njohjen e shqiptarëve si një komb i bashkuar. Një kërkesë e tillë përfshinte edhe çështjen, sa të mprehte po aq dhe delikate, siç ishte përcaktimi i kufijve, i territoreve ku do të zbatoheshin dhe do të shtriheshin këto privilegje. Kjo do të ishte një nga mënyrat për të veçuar kombësinë shqiptare nga fqinjët, për t’u prerë rrugën pretendimeve shoviniste të shteteve ballkanike mbi trojet shqiptare. Kjo shihej nga shqiptarët e Jugut si një masë, e cila mund të largonte sado pak rrezikun e copëtimit të vendit. Kuvendi i Manastirit të Cepos dëshmonte e provonte karakterin unik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të mendimit politiko-shoqëror kombëtar. Memorandumi i Kuvendit të Cepos përmbante në thelb kërkesën e autonomisë territoriale – administrative  të Shqipërisë, e cila ndonëse nuk ishte shprehur fjalë për fjalë, kërkonte të unifikonte vilajetet e Shqipërisë në një njësi të vetme administrative. Këto ngjarje e bënë Kuvendin e Cepos bartëse e shprehëse e vullnetit politik kombëtar të gjithë shqiptarëve duke shprehur njëzëri kërkesën për autonomi të trojeve me popullsi shqiptare.