Ligji i fshehtë, fshatarët do paguajnë taksë vjetore për tokën

702
Sigal

Kryeministri Rama zhvat fshatarët, u vendos taksa të rënda për tokën bujqësore

Jakup B. GJOÇA

Mamaja pensioniste jeton në fshat. Ka punuar 35 -vjet në fermën bujqësore dhe tani merr pension 130 mijë lekë të vjetra. Me ligjin 7501 prindërit morën në përdorim 6 dynym tokë, ndërkohë që pronat e familjes tonë, kurrë nuk mundëm t’i merrnim në pronësi.

Dje mamaja më mori në telefon dhe m’u lut, që ta ndihmoj, që të paguajë taksat e tokës bujqësore. Për një vit, për 6 dylym tokë që ka në përdorim, i kërkojnë të paguajë 60 mijë lekë të vjetra taksë vjetore.

Ndërkohë, që nëse i jep me qira këta dynymë, mund të përfitojë vetëm 50 mijë lekë në vit.

Mamaja më tha, gjithashtu, se i duhen edhe 50 mijë lekë, që të paguajë ilaçet që përdor çdo muaj. Shteti nuk i rimburson dot asnjë ilaç për tensionin dhe për zemrën. Nga biseda që bëra para disa ditësh me mjekun e familjes, mjeku më sqaroi, që nëse mamaja ime do marrë ilaçet e rimbursuara, ato kushtojnë vetëm 1 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa ilaçet e tjera shteti nuk ia rimburson dot, edhe pse bëjnë 50 mijë lekë. Mjeku i dha recetë mamasë një ilaç të rimbursueshëm për tensionin, mirëpo ky ilaç i dha menjëherë pasveprim, duke i shkaktuar enjtje në këmbë. Kështu që mamaja, me rekomandimin e mjekut familjar, e ndërpreu ilaçin e rimbursueshëm dhe u detyrua të blejë ilaçin e mirë me lekët e pensionit.

Fatura e dritave mamasë i shkon deri në 30 mijë lekë çdo muaj. Plus edhe 13 mijë lekë në muaj, fatura e ujit.

Pra, shteti u jep pension pensionistëve, sa as ilaçet dhe faturat e dritave nuk i përballojnë dot me lekët e pensionit. Dhe si të mos mjaftojë kjo faturë, shteti i rrjep fshatarët, duke u venë edhe taksa të rënda për ca dynymë tokë, të dhënë në përdorim, me ligjin 5701.

Për 6 dynym, mamaja duhet të paguajë taksë vjetore 60 mijë lekë. Pavarësisht, se mund të mbjellë vetëm disa rrënjë domate, speca. Toka bujqësore në fshat që ka në përdorim mamaja tashmë është e pa ujitshme, nuk mund të kultivojë dot as perimet që do të hajë. Shumë-shumë, kjo tokë bujqësore mund të përdoret për barin natyror nga barinjtë për të kullotur bagëtitë.

Si mundet shteti t’u vjelë fshatarëve taksa vjetore shumë të larta për një sipërfaqe kaq të kufizuar? Edhe sikur toka bujqësore të kultivohet, fshatari nuk mund të përfitojë dot as 200 mijë lekë të vjetra për dynym, çfarëdo bimë bujqësore të kultivojë, qoftë edhe hashash. Me 6 dynym tokë, mund të kultivosh perime, apo pak misër e grurë vetëm për nevojat e familjes, por kurrë nuk mund të bësh biznes, nuk mund të jesh fermer. Atëhere, nëse një familje fshatare me 6 dynym tokë, edhe sikur ta kultivojë, do të përfitojë 1,2 milionë lekë të vjetra në vit. Po të zbresim shpenzimet për karburantin, për farërat, plehrat kimike, për ujitjen, (nëse ka mundësi, gjë që është tepër e rrallë), atëhere, as qindarka nuk i mbeten dot fshatarit, ndërkohë që shteti i ve taksë fikse, (taksë të sheshtë) 60 mijë lekë në vit.

Mamaja më tha, që vjelësit e taksave, Taks –Forca e Ministrisë së Bujqësisë, e kishin kërcënuar, që, nëse nuk paguan taksat për tokën bujqësore, atëhere shteti i merr tokën përgjithmonë dhe e çon edhe në gjyq, për mospagim taksë shtetit. Qindra fshatarë janë burgosur për mospagim fature drita, uji. Dhjetëra fshatarë të tjerë janë vetëvarur në burg, apo edhe në kasolle të bagëtive, nga turpi, që janë të varfër e nuk ushqejnë dot familjen.

Shteti, nga ana tjetër, çdo fshatari i ndërpret çdo lloj ndihme ekonomike, nëse ka qoftë edhe 200 metra katrorë tokë bujqësore, nëse ka një televizor në shtëpi.

Kryeministri Rama, para ca ditësh, u mburr publikisht, kur deklaroi se qeveria e tij do t’u heqë taksat biznesit të vogël deri në vitin 2030, thua se pushtetin e ka marrë me tapi e do ta trashëgojë deri në vitin 2030. Biznesi i vogël, që qeveria e Ramës do t’i heqë çdo lloj takse deri në 2030, ka të ardhura vjetore nga 20 milionë lekë, deri në 150 milionë lekë. Po fshatari, që ka në përdorim vetëm 6 dynym tokë, që shumë-shumë mund të përfitojë 1,2 milionë lekë në vit, nëse e kultivon tokën, përse duhet të paguajë taksë vjetore 60 mijë lekë? A mund të mbahet familja me 6 dynym tokë? Si mundet shteti t’u kërkojë edhe taksë më shumë, sesa biznesi i madh?

Në Greqi, përshembull, meqë e njoh shumë mirë realitetin, sikurse edhe qindra mijëra shqiptarë, shteti subvencionon fermerin, që të kultivojë tokën bujqësore, duke mos i vënë taksë vjetore për tokën. Shteti i subvencionon fermerit blerjen e çdo pajisjeje bujqësore, i subvencionon edhe prodhime të caktuara, përshembull, ullirin, pambukun, misrin, serrat, fruta të ndryshme, qumështin dhe produktet e tij, sipas qëllimit dhe politikave që ka BE-ja. Karburanti që përdorin fermerët ka çmim më të ulët nga karburanti i automjeteve, ose shteti u subvencionon diferencën e çmimit. Në Greqi, çdo familje, kudo ku jeton, në qytet apo në fshat, nëse ka të ardhura vjetore më pak sesa niveli minimum i jetesës, shteti i jep ndihmë sociale dhe ekonomike, pa kushtëzime, nëse ka disa dynym tokë, televizor, apo rrotë automjeti.

Ndërsa në Shqipëri, kryeministri Rama, qëllimisht nuk ka nxjerrë as sa është minimumi jetik i qytetarëve, me qëllim, që të abuzohet në dhënien e ndihmave sociale dhe ekonomike. Sikurse janë publikuar shumë denoncime, qeveria, bashkitë, abuzojnë me ndihmën ekonomike, duke ua dhënë atyre familjeve, fshatarëve, qytetarëve që janë elektorati i partisë që qeveris dhe duke ua mohuar të tjerëve, për t’i diskretituar dhe dënuar për votëbesimin e tyre. Nëse pensionistët në Shqipëri, që nuk kanë ndihmë ekonomike nga fëmijët e tyre, nuk vdesin nga Covid-19, patjetër, që do të vdesin nga uria, në mjerim të plotë, me lëmoshën e pensionit që u jep shteti, me taksat që u zhvat.