Le Courrier des Balkans: Blushi, disidenti socialist që kërkon “kokën e Ramës”! Som

499
Sigal

Partia e re “LIBRA”, jehonë e menjëhershme në
shtypin ndërkombëtar

Louis Seiller

Penë e shquar e
viteve 1990, Blushi ka qenë gjatë rivali i Ramës në kuadër të PSSH, ku ishte
anëtar për më shumë se 20 vjet. Shumë kritik ndaj kryeministrit, ai ka dalë nga
partia, në fund të muajit shtator, për të themeluar një subjekt të ri politik,
të hapur për të pakënaqurit e të gjitha taboreve.

Keni qenë shumë kritik ndaj Qeverisë së Ramës që nga
ardhja e saj në pushtet. Pse braktisët Partinë Socialiste me rastin e ligjit të
ri për mbetjet? 

Kam qenë
vazhdimisht kritik ndaj politikë së partisë, edhe para ardhjes së saj në
pushtet, sepse kam vërejtur prirjet e saj për të rrëshqitur gjithnjë drejt së
djathtës dhe për të mos mbajtur premtimet. Pas tri viteve në pushtet, Qeveria
Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim të saj, për sa i përket luftës kundër
papunësisë, pabarazive ose korrupsionit…Përkundrazi, borxhi publik është
shumëzuar, emigrimi është rritur. Kjo qeveri nuk merret me të varfrit, por me
të pasurit, kjo është arsyeja kryesore e largimit tim. Për sa i përket ligjit
për importimin e plehrave, kjo është çështje etike. Është një ligj që është
krijuar gjatë ish-qeverisë demokrate, i cili nuk kërkon të krijojë vende pune
ose ta përmirësojë shëndetin publik, por të importojë plehra nga Italia, Franca
ose gjetiu; plehra që këto vende nuk dinë ku t’i vendosin. Kjo e dëmton imazhin
e Shqipërisë, përfshirë edhe në fushën e investimeve ekonomike.

Kini deklaruar se duhet filluar pastrimi i partive
për ta bërë të mundshëm pastrimin e mbetjeve.

Në ditët tona,
shumica e partive të mëdha shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre. Nuk i
respektojnë më qytetarët, por grupet e vogla të biznesmenëve, të cilët kërkojnë
vetëm t’i shërbehet interesave të tyre. Ata janë pasuruar falë politikanëve që
vetëm se iu shërbejnë atyre. Këta janë personat që hartojnë ligjet, marrin
vendimet, zgjedhin ata që do të ulen në kuvend ose që do të punojnë për
administratën.  Të varfrit nuk janë të
përfaqësuar në këtë vend. Për ta rimëkëmbur Shqipërinë, partitë duhen
reformuar. Kur partitë komprometohen me kriminelë ose në konflikte interesash,
demokracia mbetet një mashtrim.

Që nga ardhja e tij në pushtet, Edi Rama pati thënë,
se dëshironte t’i godiste forcat e korrupsionit. Megjithatë, konfliktet e
interesit publik-privat janë ende të pranishme dhe Brukseli kritikon drejtuesit
shqiptarë për mosluftim të krimit të organizuar. A është kjo e mundshme sot në
Shqipëri?

Duhet ruajtur
gjithnjë shpresa, edhe pse ka shumë pak shenja pozitive. Rama është çdo herë e
më shumë i afërt dhe i varur nga grupet kriminale. Ai i frekuenton, zgjedh
përfaqësuesit e tyre për kryebashkiakë, deputet; si dhe ia mundëson hyrjen në
kuvend dhe në PS…Kësisoj ata e zgjerojnë ndikimin e tyre, duke i nxitur si
shkëmbim klientët dhe varësit e tyre, që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për
Ramën. Në një vend ku miqësia dhe marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe grupeve
kriminale janë aq të theksuara, si mendoni që drejtësia mund ta bëjë punën e
saj?

Lidhur me reformën e drejtësisë, keni deklaruar se, «do
ta kemi një reformë të drejtësisë, por nuk do të kemi drejtësi»…

Flas për faktet.
Qeveria dhe opozita ishin të detyruara ta kalojnë këtë reformë nën presionin e
SHBA dhe të BE. Por, kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë drejtësi. Si të
bëhet kjo në një vend ku gjysma e territorit është e mbuluar me kanabis?

Një premtim tjetër i parealizuar nga kandidati Rama:
emigracioni. Paratë e dërguara prej tyre në vend paraqesin ende një pjesë të
rëndësishme të ekonomisë, mijëra njerëz vazhdojnë ta kërkojnë fatin e tyre në
Gjermani ose në Angli. Cili është mesazhi i juaj për këta të rinj, të cilët
duken se nuk presin asgjë nga klasa politike shqiptare?

Jam mjaft i
mërzitur me këtë situatë dhe e konsideroj emigrimin si një nga problemet tona
më të rëndësishme. Këta të rinj nuk ikin sepse nuk e duan vendin e tyre, por
sepse mendojnë, se ky vend nuk i ndihmon. Ata kishin shumë shpresa më vitin
2013, kur e majta erdhi në pushtet, por ata janë zhgënjyer dhe shohin se nuk ka
progres, drejtësi, punë. Vetëm korrupsion. Për ta patur një punë, duhesh të
jesh anëtar i partisë ose të paguash. Studentët që dalin nga universitetet
ikin, sepse nuk mund të paguajnë për ta pasur një punë.

Politika aktuale e kryebashkiakut të tanishëm të
Tiranës lidhur me një park të madh ka nxitur përplasje të ashpra, të papara për
kohë të gjatë në Shqipëri. A po e dëgjon ende shoqërinë civile PS?  

Nuk mendoj.
Shoqëria civile kërkon një referendum për ligjin e plehrave, por qeveria e
injoron. Zyrtarët përpiqen më shumë që ta korruptojnë shoqërinë civile dhe herë
pas herë edhe ia dalin mjaft mirë.

Ju keni qenë gjithashtu mjaft kritik ndaj politikës
së jashtme të Qeverisë Rama.  Megjithatë,
Shqipëria duket të jetë me e konsideruar, sidomos nga partnerët e saj
evropianë. Ç’mendoni?

Mendoj se
Qeveria duhet ta kërkojë më shumë interesin ekonomik të vendit, se famën
personale të Kryeministrit. Rama përpiqet ta krijojë një imazh të një aktori të
rëndësishëm të stabilitetit në rajon.

Kini qenë Ministër i Arsimit në fillim të viteve
2000. Më 2016, shkollat private mbeten po aq të shumta në numër. Ka një mungesë
financimi për sektorin publik dhe pabarazi të shumta në qasjen për arsimim.
Qeveria ka propozuar një ligj shumë liberal lidhur me reformën e Universitetit.
Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje?

Qeveria e
tanishme, si ajo paraprakja, kanë bërë shumë pak për arsimin. Patëm premtuar që
buxheti për arsimin publik do ta tejkalonte 5% të PBB. Për momentin është vetëm
gjysma. Arsimi publik është i nënfinancuar, madje edhe i sabotuar nga qeveria.
Nuk jam kundër arsimit privat, por ai nuk duhet ta zëvendësojë arsimin publik.
Shteti duhet ta arsimojë secilin qytetar. Sot, shteti shqiptar nuk përmbush
detyrat e tij kushtetuese në këtë fushë.

Projektet e hidrocentraleve rrezikojnë zonat e
mrekullueshme me potencial të madh turistik, sikurse Luginën e Valbonës ose
Vjosën. Si mund të vlerësohet me pikë, puna e Qeverisë Rama, në fushën e
mjedisit?

Asnjë pikë. Nuk
kam vërejtur ndonjë veprim qeveritar që synon mbrojtjen e mjedisit. Ligji për
importimin e plehrave flet mjaftueshëm. Iniciativat janë të rralla dhe të
papërshtatshme. Për sa i përket projekteve të hidrocentraleve, duhet gjetur një
baraspeshë midis prodhimit të energjisë dhe mbrojtjes së natyrës. Qeveria nuk
ka asnjë strategji për këtë çështje.

Kini deklaruar se Rama po e degradon demokracinë. A
është kjo kritikë vetëm për funksionimin e brendshëm të PS?

Një nga arsyet e
largimit tim është që, sipas statuteve të partisë, zgjedhjet e brendshme duhen
të zhvillohen për çdo katër vjet. Ne kemi patur zgjedhjet tona të fundit në
2009. Që shtatë vjet. Mund ta paramendoni PS në Francë pa zgjedhje të
brendshme. Ky është funksionimi i të gjitha partive politike normale në Evropë.
Kur kam vendosur të paraqitem në zgjedhjet e brendshme të partisë, Rama
deklaroi se nuk do ketë zgjedhje. Në vend të tyre, ai ka organizuar një
referendum për vetën e tij. A do të mund ta bënte këtë François Hollande?
Demokracia e partive është një nga themelet e sistemit tonë. Nëse ato nuk janë
demokratike, kjo mund të shpjerë në më të keqen.

Shqipëria është sot zyrtarisht kandidate për
anëtarësim në BE. Cila është hapësira e saj vepruese?

Nuk mendoj se BE
ose SHBA na obligon të importojmë plehra, të mundësojmë hyrjen e kriminelëve në
kuvend apo ta rrisim borxhin tonë publik me 10%. Ata nuk vendosin për politikën
tonë. Nëse shikojmë Greqinë, ajo ka njohur një situatë ekonomike skajshmërisht të
vështirë gjatë këtyre viteve të fundit, por grekët nuk emigrojnë sikurse
shqiptarët. Ata shpresojnë, se situata e tyre do të përmirësohet viteve në
vijim. Qytetarët tanë nuk e kanë këtë shpresë. Ata ikin, sepse nuk shohin
ardhmëri.