Në 3 muajt e fundit, në Kakavijë janë futur 24 ton farë hashashi, me etiketa “Farë rigoni”

545
Sigal

 

Ky treg ka orgjinë nga Larisa e Greqisë, kalon me kontrolle e analiza false
të mostrave të farërave që maskohen si farëra perimesh!

 

 

Përparim HALILI

 

Pasi kalon kufirin, fara e hashashit me etiketën “farë rigoni” shkon e
mbillet në gjithë Shqipërinë, veçse me një ndryshim kjo farë nuk nxjerr bimë
rigoni, por bëhet hashash “lis”, mbasi është farë hashashi. Dhe si “lisat”,
vazhdojnë e qëndrojnë të patundur e hijerëndë edhe shefat e AKU në qendër

 

Reagime të shumta ka pasur pas skandalit të publikuar dje në “Telegraf”,
lidhur me farërat e hashashit, të cilat futen në Shqipëri nëpërmjet importit,
prej bizneseve që kanë shefat e kupolës qendrore të AKU dhe që certifikohen po
prej këtyre shefave e shefeve të patundshme që komandojnë prej afro 10 vitesh sektorin
e kontrollit të farërave në terren e në PIK (kufi). Dje, në “Telegraf” kanë
telefonuar shumë “zëra” policë kufiri, kontrollorë AKU-je, tregtarë, doganierë
e dëshmitarë okularë, duke konfirmuar këtë skandal që nuk ndodh vetëm në
Kakavijë, por edhe në Kapshticë, Tri-Urat në Përmet, në Qafë-Botë dhe në
Qafë-Thanë, ku fara e hashashit futet lirshëm, duke u maskuar në ngarkesa mallrash
të rremë, shoqëruar me etiketa në gjuhë të huaj, gjoja si farëra bimësh
bujqësore. Dhe si të tilla përfundojnë në duart e financuesve të biznesit të
këtij prodhimi, që me ligjin shqiptar quhet “krim”, por që po trajtohet si
luftë kundër… gjembaçit që korret prej policisë së shtetit, por jo ajo e
mbjellë dhe e kontrolluar prej shefave qendrorë të policisë e të politikës! Informacioni
me i veçantë që ka ardhur në “Telegraf”, ka lidhje me një “çudi” e cila u zbulua
nga një kontrollor shtetëror në Kakavijë, sipas të cilit farërat e hashashit që
futen në Shqipëri nga Greqia, maskohen me etiketat si “Farë rigoni”! Mos e
merrni për sajesë, po është realitet. Ngarkesat me farëra hashashi që futen në
PIK (kufi) në Kakavijë, kalojnë traun e doganës dhe “portën” e AKU, të futur në
“koli” të ngarkuara me maune, duke u zhdoganuar dhe certifikuar si “Farë
rigoni”, me orgjinë prodhimi nga… Larisa. Një informacion me zë dhe me figurë
që ka denoncuar këtë skandal-krim, na bëri me dije, se vetëm në harkun kohor
qershor-shtator 2016, në Kakavijë janë futur 3 ngarkesa me 24 tonë farë hashashi,
të cilat kanë kaluar kufirin si “Farë rigoni”! Kjo farë është lejuar të futet në
Shqipëri, prej “farës së keqe” që ka uzurpuar dhe komandon “shpellën”
korruptive AKU, të cilët kanë shkuar deri në atë guxim çmendarak, sa japin urdhra
ndaj vartësve të tyre besnikë e të detyruar, që këto ngarkesa të mos bllokohen,
por të kalojnë me letra false si farëra misri, gruri, trangulli, speci,
patëllxhani, domateje. Kjo praktikë ka vazhduar intensivisht këto 2 vite në
Kakavijë. Mirëpo, prej batakçinjve aktualë dhe ish-batakçinjve të AKU, ka
ndryshuar emërtesa e llojit të farës, nga farëra misri, gruri, trangulli,
speci, patëllxhani, domateje etj, në “Farë rigoni”, importuar nga një biznes me
orgjinë të shefave të partive çamo-omonia. Emërtimi i farës së hashashit me emër
tjetër, ka ndodhur pas denoncimeve që kanë bërë disa inspektorë të kryqëzuar
prej bozhibozukut të AKU, jurist-diplomat-tornitorit Dritan Sejko dhe të një
krye-komisioneri me “81 parti”, i cili në AKU luan rolin e kryetarit të
ish-“gjykatave popullore”, duke marrë vendime të tipit luftë shtrigash, “letrat
kombëtare e ndërkombëtare” të të cilit do t’i hapim në vijim! Fakti është ky:
Shefat dhe shefet e bizneseve të farërave dhe fidanëve që kanë marrë peng AKU në
qendër dhe në qarqe, kanë në dorë edhe kontrollin, lejimin dhe certifikimin e farave
të hashashit, por të importuara me logo emërtesash “farëra bujqësore”. Ky kalim
i farërave të hashashit me etiketa të huaja dhe me orgjinë malli nga Larisa e
Greqisë, futur në Kakavijë, realizohet duke plotësuar kontrolle e analiza false,
të mostrave të farërave! Në fakt, nuk merret asnjë mostër, por shefat e AKU në
qendër e në qarqe kanë disa “qese” farërash gruri, misri, speci, patëllxhani,
pjepri, domateje etj, të cilat i përdorin për të përligjur kalimin e farërave të
hashashit, sikur gjoja janë farëra domateje. Tashmë, farërat e hashashit futen
në Kakavijë me etiketa greke (Larisa), si “Farë Rigoni”! Mirëpo, pasi kalon
kufirin, fara e hashashit me etiketën “farë rigoni” shkon e mbillet në gjithë
Shqipërinë, veçse me një ndryshim” kjo farë nuk nxjerr bimë rigoni, por bëhet
hashash “lis”, mbasi është farë hashashi. Dhe si “lisat”, vazhdojnë e qëndrojnë
të patundur e hijerëndë edhe shefat e AKU në qendër, zyrat e të cilës po mbushen
me shpejtësi me militantë, servilë, ortakë biznesesh etiketash e shtypshkrimesh
dhe me familjarë të shefave të AKU e të partisë çame PDIU, të cilët prej disa
vitesh e kanë kthyer këtë institucion në qendër “biznes-pisnesi” privat vendesh
pune nëpërmjet lejimit të krimit ushqimor! Sipas informacionit të ardhur dje në
“Telegraf”, thuhet se vetëm në 3 muajt e fundit, në PIK (kufi) Kakavijë janë
futur makina me 24 ton ngarkesë farë hashashi, të pasqyruara në akt-kontrolle
analiza “fito”, si “Farë rigoni”, madje me urdhër të drejtorëve të sektorit të
etiketave, janë legalizuar si “farëra bujqësore”, gjë që e provon edhe një
raport auditi të veprimtarisë së etiketave të produkteve ushqimore, i cili po
mbahet sekret si kartelë pacienti me “kancer”. Por ky skandal ka edhe një
“maskë” tjetër me të cilin realizohet, realitet që do ta zbardhim në vijim,
duke treguar se me çfarë etiketash përveç etiketave të farës së rigonit, futen
në Shqipëri farërat e hashashit që kanë pyllëzuar Shqipërinë nga Puka në
Elbasan, Shkodër, Dibër, Vlorë, Kukës, Përmet, Tepelenë, Korçë e Sarandë…