KOSOVA “FIRST”, PASTAJ TRUMPUTINI!

769
Sigal

Nga: ARBEN MANAJ

Edhe pse e pabesueshme, por sërish është e vërtetë se Kosova dhe tërësia e saj tokësore, është sot më e kërcënuar se kurrë më parë në historinë e kombit.

Dhe, që kjo të vijë nga Uashigntoni, do ishte gjëja e fundit që bookmakers-at do e vinin për kuotim para epokës Trump.

Të jesh sot anti-Trump në kontekstin e zhvillimeve në Ballkan, nuk do thotë asesi se je anti-amerikan. Janë absolutisht dy gjëra të kundërta.

Në një shkrim në muajin gusht, po në gazetën “Shqip”,  http://gazeta-shqip.com/lajme/2018/08/13/ku-eshte-e-gabuar-qe-kerkohet-korrigjim/ kur sapo filloj saga e gërshërës territoriale ndaj Kosovës, kisha skepticizmin tim, nga ato që të ftohin shtyllën kurrizore nga djersët e ftohta, se amerikanët ishin pas këtij ajsbergu në ujërat e politikës së madhe ndërkombëtare.

Sot, po bëhet gjithnjë e më evidente se amerikanët e administratës së Trumpit dhe mustaqelliut të tij John Bolton, për mustaqet e të cilit do duhet të kafshohet Kosova e pas luftës, janë pikërisht ata që po u shtrëngojnë dorën nga pas, protagonisëve kozmopolitë e vizionarë të kombit, në Prishtinë dhe Tiranë, për arsye që ata i dinë më mirë përse, e që janë kërusur nga kjo spërderdhje duarsh deri në gjysëm metër me vështrim drejt tokës.

Fjala është për Thaçin, Ramën e mini-bolltonët e tyre mustaqepadirsur. Po në atë shkrim kam thënë se do vijë dita që do dalë mbi sipërfaqe edhe çështja e Mitrovicës dhe me keqardhje konstatoj ose po ma konfirmojnë këtë,  deklaratat e fundit të ardhura në drejtim të Kosovës. Administrata e Trumpit nuk është administrata më pro-shqiptare në historinë e Amerikës, madje, është më anti-shqiptarja, dhe ndoshta e vetmja e këtillë, deri më sot.

Trampi, e para, nuk njihet se është ndonjë njohës i thellë dhe i pasionuar i politikës së jashtme amerikane, dhe rekurset e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare janë të frikshme, ato madje kundërshtohen nga shefat e tij të sigurisë, si në CIA, ashtu edhe ne institucionet më të larta të politikës amerikane, sic janë kontestimet ndaj cështjeve si Irani, Siria etj.

Trumpi rrezik nuk e di ku bie Kosova dhe nuk është se është ndonje pro-evropian i thekur. Ai se ka për gjë që të silurojë edhe aleaten më të palëkundur të tyre, Britaninë e Madhe dhe ka shembuj plot të qëndrimeve dhe fërkimeve me Londrën apo edhe Gjermaninë, për të mos folur për Nato-n.

Fatkeqësia e tij është se në politikën ndaj Evropës, sidomos, ai ndodhet frikshëm nën një influencë të dukshme ruse.

Dhe ata që e njohin mirë politikën e Uashingtonit dhe raportojnë prej andej, thonë se ai nuk do e mbushë vitin me “Russia-gate”-in. Ata, madje flasin se ai është i kapur nga rusët, të cilët mund të kenë prova kompromentuese për të gjate vizitave në Moskë në kuadër të konkurseve ndërkombëtare të bukurisë, apo edhe për çështjen e  ndërtimit të Kullës Trump në Moskë, që ai tentoi të negocionte me rusët e Putinit. Koha do e tregojë vërtetësinë ose të kundërtën e këtyre pretendimeve.

Por Trump dhe çakejtë e tij të politikës së jashtme dhe sigurisë amerikane, me në krye John Bollton, një pro-serb i thekur dhe antishqiptar i deklaruar, duket se çështjen e Kosovës po e përdorin më shumë për nevojat e politikës së tyre në raport me Putnin dhe për rekordet e tyre në politikën ndërkombëtare si shembuj PR-I, si dhe devijim nga problemet që ai dhe administrata e tij ka me hetimet për ndikimin rus në demokracinë më të madhe perëndimore.

Trumpi nuk është Amerika që ne njohim. Administrata aktuale amerikane nuk është si ajo e Klinton-it, që me Toni Blerin ndihmuan Kosovën gjatë luftës dhe as ajo e të djathtëve të Bushit, që ha hezitim kërkuan ta njihin Kosovën brenda 15 ditësh kur ua kerkoi Sali Berisha, për hir të së vërtetës.

Trumpi është e djathta e së djathtës amerikane, që i bën me turp administratat e tjera të së shkuarës, për të cilët shqiptarët, kanë pasur adhurim dhe respekt të pakufijshëm.

Ajo është Amerika që kanë admiruar dhe përgjërohen shqiptarët, duke e dashur më shumë se amerikanët dhe Shqipërinë e Kosovën, jo kjo administratë e tanishme.

Fatkeqësia e përkjekjeve të sotme diplomatike për të kafshuar Kosovën është se janë gjetur politikanë të cenueshëm dhe të thyeshëm shqiptarë, për ta bërë më të lehtë lojën e Trumpit e Bolltonit.

Servilizmin e tyre përpiqen ta shesin sikur u dhimbset më shumë Kosova dhe ardhmëria e kombit , të cilët përkundrejt shumicës së pasofistikuar diplomatikisht, kanë aftësinë për të identifikuar pikërisht vetëm ata, se nëse nuk bëhet sië kerkojne amerikanët në këtë rast, do humben vite e dekada pafund, në rrugën e mirëqenies së Shqipërisë e Kosovës!! Nuk e kishin këtë mendim përpara ardhjes së administratës së Trumpit këta vizionarë off-shoresh. Nuk do ketë Kosova një ulëse në OKB, thuhet, po qese nuk jep territor!

Po kurrë mos u ulte, se nuk ngre e as ul peshë Kosova, se është apo nuk është në një OKB, që “s’ja vë njeri në pullë”, në punët e botës.

Nëse sërbët nuk duan të sillen si qytetarë tënjë shteti,  ku jetojnë, sic është Kosova, shumë mirë edhe shqiparët po sipas këtij shëmbulli, në Maqedoni po aq mirë mund të sillen si sërbët e veriut të Kosovës, madje edhe ata të Malit të Zi, po të doni. Pse jo ?! Nuk do futet Kosova në BE, vazhdojnë të të bindin, ithetaret kozmopolit të kafshimit të Kosovës.

Po kurrë mos u futtë në BE, në atë BE që nuk ka as dinjitetin e as moralin, t’u japë kosovarëve viktima të luftës më të madhe në kontinent pas Luftes së Dytë Botërore, as të drejtën e vizave.

Mes tyre në BE që kundërshtojnë ka shumë nga ata që kurrë nuk lëvziën as gishtin per t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës, gjatë luftës, e do i linin të shfaroseshin, po të mos ishin Bleri dhe Klintoni.

Turpi do jetë i tyre, nëse do fusin më parë Serbinë në BE, e do lënë pas Shqipërinë e Kosovën. Edhe pse besoj se nuk do arrijnë deri aty.

Sa për Mogerinin, ajo pas disa vitesh, do mbahet mend sa ç’mbahet mend sot Solana dhe Barroso, që janë duke shijuar pensionet e majme nga BE edhe kur mbyllën syte si syleshë, ndaj abuzimeve që bënin grekët me fondet e BE per vite me radhë.

Këto eurokratë kanë qëndrime të dyfishta, në vartësi të potencës ose impotencës, së vendeve me të cilat komunikojnë, sië është rasti i Britanisë edhe pse joporcional si shembull, kur s’përdridhen për çështjen e Backstop-it në Irlandën e Veriut, ndërsa për Kosovën, kërkojnë të lëshojë territor që të futet në BE, siç bën me demarkacionin me Malin e Zi.

Kosova do jetojë përtej Mogerinit e atyre që do vijnë pas tyre. Nëse kriteri është lësho territor që t’ju fusim ne BE, mjerë ata dhe nuk ka sesi mos t’i japësh të drejtë edhe vërsnikut të Donald Trampit në Britani, Nigel Farrage, që i degjeneron burokratët e BE, edhe pse me dhimbje, por me të drejtë.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka miq të përhershëm, por interesa të përhershme”, thoshte Lordi britanik Palmerston, të cilën e citonte edhe një nga diplomatët më të suksesshëm amerikanë, Henry Kissinger, kur fliste për realpolitikën amerikane.

Ka ardhur koha që shqiptarët të jenë pragmatikë dhe të shkojnë pas dhe të shikojnë mbi të gjitha interesat e tyre të përhershme kombëtare dhe të anojnë në aleanca, me ata që në momente delikate të historisë, konvergjojnë me interest e tyre të përhershme.

Nëse sot Britania e Madhe dhe Gjermania janë kundër copëzimit të Kosovës, le të jenë ata miqtë më të afërt të Kosovës, deri sa kjo administratë që duket gjithnjë e me pro-serbe e pro-ruse, të mos jetë më në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Serbët e duruan edhe administratën e Klintonit dhe të Bushëve dhe të Obamës; le të durojnë shqiptarët edhe këtë të Trampit të Amerikës.

Le të mbahen pas miqve të dëshmuar, si në radhët e demokratëve në Kongresin amerikan, por edhe atyre republikanëve, që u janë gjetur shqiptarëve dhe kanë kontribuar për këtë Kosovë që është sot, të cilën duan ta ç’bëjnë Bolltonët e Trumpit, për të cilën një pritje e Thaçit dhe Vuçiçit në Shtëpinë e Bardhë, nëse do kalojnë mbi trupat e shqiptarëve, të Kosovës siç portretizohen nëpër këngë, ka rëndësi mediatike për gjysëm orë PR ose show për sytë dhe veshët e amerikanëve të thjeshtë dhe botës.

Administrata e Trumpit është pas gjithë kësaj historie, që duan të anashkalojnë vullnetin e popullit dhe ta miratojnë shkëmbimin e territoreve, përmes parlamentit, siç u veprua me marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Kjo administratë amerikane, pa pikë mëdyshje, është për shkëmbim territoresh dhe është fuqia dhe era pas velave, përderisa ata, nuk shprehet qartë dhe hapur për të kundërtën e tyre, siç deklarojnë publikisht dhe bëjnë gjermanët dhe britanikët.

Në fund te fundit, edhe Trump vendin e tij e vë të parin, si doktrinë politike, siç nuk duan ta vënë, të kompleksuarit dhe politikanër shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë.

Kosova duhet të jetë “First”, ose e Para, pasi do t’i mbijetojë Trumputinët e përkohshëm në Uashington  dhe Moskë, të cilët duhen shmangur me zgjuarsi deri në një moment të dytë më oportun në politikën tradicionale amerikane, të vënë në sekëlldi nga presidenti aktual dhe administrata e tij.

Ironia e historisë shqiptare në këta 100 vjetët e fundit, është së në kohë tumanesh dhe brekushesh, kur përcaktohen fatet kombëtare dhe territoret e tyre, gjithmonë ka prodhuar Esat Toptane, por edhe personazhe, emrat e të cilëve, u vihen shesheve.