Kokaina dhe kazinotë…

1365
Sigal

Agim Jazaj

Shqiptarët, rekord i ri botëror, në përdorimin e Kokainës, Kazinove…!

Aftësia për të dëgjuar, është mundësi për të korrigjuar dhe zotësi për të drejtuar

Shifra drithëruese janë publikuara sërish këto ditë nga institucione e media prestigjioze, botërore: Për rekordmenin e shqiptarëve si; përdoruese të Kokainës, për numrin e popullsisë, duke lenë pas edhe Kolumbinë- kultivuese dhe përdoruese! Shifrat e prekura kanë prishur gjumin dhe alarmuar çdo njeri me dy gram mend në kokë, përveç “qeverisësve” të radhës, të cilët janë zgjedhur dhe kanë mision për të ndalur turravrapin edhe të kësaj Hataje, përkundrazi e kanë nxitur e zhvilluar këtë industri, të ngritur deri në sistem, të cilët i quajnë edhe përdorues të zellshëm, i klasifikojnë edhe vet pjesë e këtij kontingjenti!…

Bota habitet me ne. Ne habitemi me veten.

Atë që ndërtojmë sot, duhet ta prishim nesër.

Ajo që ndërtojmë sot, dëmton të sotmen dhe më shumë të nesërmen.

Përveç shifrave alarmante, të ditës bilancit drithërues; përdorimi i kokainës edhe një tregues bilanc tjetër rezulton e ushqejnë njeri- tjetrin, duke shthurur, degraduar, hasmëruar e zbrazur vendin, është edhe lulëzimi e zhvillimi i Kazinove! Numri i Kazinove, “Lojërave të Fatit”, zhvillimi i kësaj industrie “Fitimprurëse” varrmihëse, e klasifikon po qeverinë e “Rilindjes” të “suksesshme”. madje me rekorde botërore”! Nga 1400 “Lojëra Bixhozi”, Kazino të shënuara e regjistruara në vitin 2013, për të cilat po Rilindja u betua për t’i futur në “Stop Rrënim” për t’i rrënuar, për t’i degdisur 7 male kaptuar, larg qyteteve, u betua përpara zgjedhësve! Mirëpo…Sot në hartën e “Rilindjes” shënohen një numër rekord me rreth 4000 të tilla! Kjo “industri” e suksesshme dhe e vetme për “Rilindjen” i bie të jetë ngritur në çdo rrugë, e sokak, në çdo pëllëmbë e pallat të Shqipërisë! Madje edhe në qytezën e Selenicës, nga 1 e tillë që ishte më parë, janë licencuar 3 të tilla! Vite më parë, kur në tregun e ditës, sapo u fut edhe “menyja” kazino, në vitin 2005, u “ngritën avujt”, kuje edhe nga reagimi i emigracionit shqiptar, në Greqi. Klithmat apeluese të tyre u publikuan edhe në shtypin e ditës dhe ranë në shurdhërinë e verbërinë e qeverisësve të bixhozçinjve, të certifikuar… Natyrisht kjo “gjellë e shijshme”, e servirur, nuk u shpik nga “kuzhinieri ynë”, por e kishte padyshim grykësinë e pa shoqe nga kuzhinieri ynë, i pa ngopur dhe i pa haberosur, deri në këto shifra. U mor, mostra në “kuzhinat” e tjera, jashtë vendit dhe do të gatuhej nga kuzhinieri ynë, për klientelën e këtushme, pa përvojë, të etur dhe të nxitur për t’u bërë pasunar pa punë e me nder pa b… në b…. Por, kuzhinieri, apo pronari i kësaj “gjelle”, atë kohë mori thjesht mostrën e gjellës,pa i provuar shijen, pa parë gjithë pajisjet, “teknologjinë” e gatimit, vendin e përzgjedhur etj. Pra, ku e si ishin ngritur, si funksionojnë, si duhej përmirësuar cilësia e “gjellës-farmak”! Ta themi më shkoqur:

Ku ishin ngritur këto “kuzhina”-kazino të reja, fitim-mashtrimi në vendet e tjera që kishin ndërtuar këtë sistem shumë më përpara se sa ne?

Kush duhet të ishin klientët e tyre frekuentues?

Cila moshë lejohej dhe cila ndalohej?

Orari kur funksionon?- etj., etj.

Edhe këtë përvojë e kishim tek porta dhe i mbyllëm portën, kur po reagonin në kohën e duhur njerëzit e vet për të parandaluar Hatanë që po shfaqej. Po dje më thoshte Dionis Keqaj, teksa po komunikonim me Luan Muhametin e haberosur, te Kafe “Sevasteri” i Vlorës”: “I fundit të mbyllë derën”. Por i fundit, jo vetëm që nuk ka mbyllur derën, por ka shqyer derën dhe dritaret! Jo vetëm që nuk i mësuan e aplikuan kërkesat e funksionimit të lojërave të fatit- për fatzinjtë, i deformuan e abuzuan dhunshëm me to.

Autori i këtij opinioni atë kohë, saktësisht në fillim prillin e vitit 2005, përcillte apelin e emigrantëve shqiptarë në Greqi me numrin më të madh të emigracionit, të cilët shihnin plagët, që po hapeshin në trupin e vendit të tyre, u dhembte shpirti, po apelonin në kohë!… Hapja e kazinove në qendër të Tiranës habiti, jo vetëm emigrantët shqiptar aso kohe, por edhe qytetarët grekë, teksa dëgjuan për çeljen e një të tille në zemër të Kryeqytetit! Për kuriozitet të lexuesit po (ri) japim në këto radhë Kazinotë e ngritura të Greqisë, në Athinë, kryeqendrën e vendit. Ku janë hapur në qendër apo në periferi të tyre? Edhe për kazinotë, Shqipëria do të japë “modelin”, madje modelin më të keq, të cilin nuk e gjen në asnjë vend të Evropës, ky synojmë të bëhemi pjesë. Dy firmat greke, të kohës, përfituese të konkurrimit për kazinotë e dinin mirë se ku janë hapur dhe funksionojnë kazinotë në vendin e tyre. Sa larg kryeqytetit grek është kazinoja “Lutraki”, jashtë Athinës? Ku është kazinoja “Parinthos”? Ku janë ngritur kazinotë e Selanikut dhe ajo e Patras? Jashtë qyteteve, në periferi, me km larg vendeve të banuara. Vendi ynë në hapjen me botën, nuk mori as këto eksperienca të vyera. Por në vend të përmirësimit dhe avancimit në kohë, duke qenë shumë më pas në kohë dhe të avanconim më përpara në përmirësim, shkuam edhe më pas, keq e mos më keq. Qysh atëherë publikuam edhe reagimin e një qytetari të thjeshtë grek, mik i emigrantëve shqiptarë, arvanitasin Sotiris Manxuranis, i cili teksa shihte videon me ndërtimet shumëkatëshe dhe rrugët e nisura, i habitur reagoi në mënyrën e vet. Pallatet qysh atëherë nuk ndërtoheshin me sistem ngrohje, as me aksesorët e tjerë, pa kanalizimet e parkingjet, vend pushimet dhe vendet e lodrave të fëmijëve. As këto nuk i kishte projekti, për rrjedhojë kjo e zëmëroi pa masë edhe Manxuranisin. “Ju kini shansin e mirë të shihni, të mësoni dhe të përmirësoni dhe nga gabimet tona, që nuk i kanë rezistuar kohës. Ato që duhen përmirësuar dhe duhen plotësuar gjithashtu. Shihni ku qëndrojnë makinat në qendër të Athinës, dhe s’kanë ku të hedhin këmbën njerëzia”. Kur mori vesh teksa shihte, kazinotë se do të ngriheshin në qendër të Tiranës nga dy firmat greke, vuri duart në kokë!.. “Në qendër të qytetit, në Kryeqytet Kazino?!” Vendimet e vendimmarrësve kanë rezultuar me ndërtime të sotme dhe prishje të nesërme, duke mos iu rezistuar aspak kohës. Përfitimi galopant nga pangopësia e ditës, nga njerëz me pushtet e pa vizion, mëkatarë, zullumqarë e grabitqarë, hileqarë dhe haleqarë, kanë vrarë e po vrasin përditë jetën, shpresën e qytetarëve dhe qytetërimin, po shthurin një shoqëri të tërë. Kjo vrasje pa krisma, ka krijuar psikologjinë e vështirë për ta çrrënjosur: ”Ky është sistemi”. “Jetohet pa dije, pa punë, duke u tunduar e dredhur purot me hashash a kokainë nëpër lokale”! “Duke zbrazur Shqipërinë, për t’u lënë vendin muxhahedinëve”! “Fati varet nga lojërat e fatit” etj! Nëse do të ishin dëgjuar edhe klithmat e emigrantëve, qysh në vitin 2005, të publikuar nga shtypi i ditës, madje në kohën e duhur, nuk do të ishte asnjë përfitues tenderi dhe të lulëzonte kumari në zemër të kryeqytetit, në të gjithë rrugët e rrugicat e qyteteve të vendit, të shtruara nga ç’qeverisësit e “Rilindjes”. Kë model, dhe ku e mori qeveria edhe: “Biznes”-Bixhozin?! Në shtypin e kohës, atë kohë u shpreh publikisht edhe përvoja e një vendi tjetër nga një vend fqinj, anëtar i Bashkimit Evropian ku emigracioni shqiptar kishte parë dhe mësuar më shumë edhe në këtë fushë.

Ku janë hapur lojërat e bixhozit në Greqinë ballkanike, anëtare e Bashkimit Evropian? Ndërsa qeveria shqiptare hap lojën e kumarit në qendrat e banuara, të mbipopulluara, tashmë me shifra marramendëse, ende ka të verbër nga trutë, e vazhdojnë të mos e shohin në sy edhe këtë HATA, që ja bën MUUU! Kjo eksperiencë e shpalosur, nuk shihet, por shpërfillet, bëhet bixhoz me pushtetin dhe me shqiptarët, nga politikë-bërësit dhe shtet-rrënuesit shqiptarë. Edhe në këtë pikë zbatohet filozofia e rrënim- rrëmbimit: “Bjeri t’i biem”.

-Athina – ngritën zërin emigrantët shqiptarë, gati 1/ 3 e popullsisë, me gati 6 milionë banor, ka 2 kazino. Dhe asnjëra nuk është në qendër të kryeqytetit. Athina regjistron kazinonë e “Lutraqi”, afër Korinthos, 80 km larg nga kryeqyteti. Kazinoja e “Parintho”, është ngritur në majë të malit, ku nuk ka asnjë banor rreth e rrotull, veç kumarxhinjve, të cilët luajnë vetëm natën, mbi 40 km larg nga qyteti. Kazino ka edhe në qytetin e dytë të Greqisë, Selanik. Edhe aty kazinoja është jashtë, 50 km larg larg qytetit, në afërsi të aerodromit. Kazino ka edhe qyteti tjetër, Patras. E ngritur gjithashtu jashtë qytetit, pra në majë të malit! Sipas funksionimit të kazinove në vendet e Bashkimit Evropian që aspirojmë edhe ne, kazinotë qysh në vitin 2005 duhet të ishin ngritur në Bizë të Martaneshit, ose me hatër në majë malin e Kërrabës. Por kazinoistët, kakoinistët- qeverisës, në vazhdim i ngritën, shumuan dhe abuzuan me lojërat e bixhozit, në qendër të Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Korçës, Durrësit, Dibrës… në gjithë qytetet e vendit të mbira si kërpudhat, në çdo kënd e rrugë. Përgjatë këtyre viteve, rezulton plagëhapja e tyre dhe kanë vrarë, jo vetëm xhepin e shqiptarëve, por kanë shthurur një brez të tërë, shënuar e shumuar krimet edhe brenda familjes, vjedhjet, evazionin, kanë hapur plagë, që do të rrjedhin gjatë…