Historikisht – imuniteti parlamentar – ka lindur si një mbrojtje ligjore (kushtetuese) që Parlamenti u garantonte parlamentarëve të vet (të zgjedhurve nga populli), për t’i mbrojtur ata nga hakmarrja ose ndëshkimi i mundshëm arbitrar i Mbretit, që kish në dorë Akuzën penale ndaj tyre. Kështu ndaj deputetit nuk mund të fillonte ndjekja penale, nuk mund të arrestohej apo nuk mund t’i kontrollohej banesa, pa lejën paraprake të Parlamentit, gjë që nuk ndodhte për qytetarët e tjerë. Pra imuniteti ishte një privilegj i arsyeshëm për një kategori të caktuar qytetarësh, të zgjedhur ose të emëruar në funksione të larta publike. Këto privilegje sot janë hequr në vendet demokratike, ndësa tek ne ende ruhet ‘arrestit me burg’ dhe ‘kontrollit i banesës’ për deputetin.
Në rastin konkret për deputetin Arben Ahmetaj, Parlamenti vetëm duhet të konstatojë nëse akuza ndaj tij është e motivuar politikisht dhe jo të merret me analizën dhe vlerësimin e provave që ka Prokuroria ose aq më keq t’i bëjë atij “gjyqin” siç po ndodh aktualisht (vlerësimin ligjor të arrestit do ta bëjë gjykata). Pra problemi është thjesht vullnet politik: nëse nuk shohin që akuza është e qellimshme, e motivuar politikisht (kjo ndodh zakonisht kur deputeti është i opozitës), jep brenda ditës (me procedurë të shpejtuar) ‘Lejën’ për arrestim dhe kontroll banese për deputetin. Kaq e thjeshtë është.
Për mua edhe ky privilegj duhet hequr nga Kushtetuta si një rudiment i të kaluarës që i ka ikur koha, së bashku edhe me ‘arrestin me burg’ për vepra penale që lidhen me funksionarë të niveleve të larta të shtetit, të cilët duhet të ndiqen dhe gjykohen në gjendje të lirë (me garanci pasurore) derisa gjykata të japë një vendim fajësie ndaj tyre.
Arben Ahmetajt i duhet verifikuar urgjentisht pasuria dhe këtu nuk e kam fjalën për deklarimet e tij zyrtare, por për ato që mund të ketë të fshehura në ‘ofshoret’ e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht tek partneri ynë strategjik. Ja, kjo do të ishte një ndihmesë konkrete e tyre për drejtësinë tonë (që thonë se kanë investuar shumë), por edhe për ne, shqiptarët, për të na rikthyer gjënë e vjedhur prej tij.
Marrja e pasurisë të tyre të paligjshme (të vjedhur) dhe kthimi i saj buxhetit të shtetit është treguesi i vetëm real dhe efikas i ndëshkimit të tyre (nëse janë fajtore), të tjerat janë show e radhës.