Konferenca e “Rambujesë” (Francë) u thirr nga Ndërkombëtarët në 23 shkurt 1999 për t’iu paraqitur, R.F.Jugosllavisë (Serbisë) dhe shqiptarëve të krahinës të Kosovës, një Draft-marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve tejet të tensionuara midis tyre (që krijuar dhe vepronte në terren UÇK-ja), nën garanci ndërkombëtare. Ajo parashikonte që krahina e Kosovës të kishte një “autonomi substanciale” në kuadër të R.F. Jugosllavisë, të respektoheshin liritë dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetonin aty dhe të funksiononte një sistem drejtësie i pavarur. Marrëveshja parashikonte që do të ishte NATO, me dislokimin e trupave të saj, ajo që do të garantonte zbatimin e saj. Në 18 mars 1999 pala shqiptare, pas shumë hezitimeve dyshuese (Kosova donte pavarësi të plotë), ajo amerikane dhe angleze e nënshkruan marrëveshjen, ndërsa pala jugosllave (serbe) dhe ruse jo. Ky ishte preteksti që, disa ditë më pas (mars 1999) NATO bombardoi Beogradin për 78 ditë dhe e detyroi atë, me Marrëveshjen e Kumanovës (10 qershor 1999), ta lirojë ushtarakisht Kosovën. Ato që erdhën më pas tashmë dihen. Kosova ka shpallur Pavarësinë (2008) dhe është njohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare (ndonëse jo nga dy anëtarët e përhershëm të KS,( Rusia dhe Kina) dhe aspiron të bëhet antare e OKB-së, BE-së dhe NATO-s, synime që pengohen nga Beogradi, që këmbëngul të mos e njohë atë si shtet të pavarur. Ngjarjet në Ukrainë dhe kërcënimet kineze rreth Taivanit, po i bindin amerikanët dhe europjanët se ky konflikt i “ngrirë” prej 24 vjetësh, në qendër të Europës, mund të bëhet shkas për një konflikt të ‘nxehtë’ me pasoja për rajonin, prandaj, mesa duket, po investojnë fort diplomatikisht për arritjen e një Marrëveshje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës. A do ta ketë ajo njohjen e Pavarësisë të Kosovës nga Serbia? Këtë ende nuk e dimë. Publikisht po i mëshohet njohjes nga Kosova të ‘Asociacionit’ të komunave me shumicë serbe. Sigurisht Draft-marrëveshja që do t’u vihet në tavolinë do të jetë një ‘Rambuje’ e II-të dhe do të shoqërohet, si edhe e para, nga “karrota” (përfitime) dhe “shkopi” (sanksione), por druaj se do të jetë përsëri Serbia ajo që nuk do të pranojë të nënshkruajë. Çfarë lloj “bombardimi” do të këtë kësaj rradhe mbetet për t’u parë. Mbase ‘zhurma’ mund të dëgjohet deri në Tiranë…




















