Kim Mehmeti: Marshi për drejtësi!

Në vitin 2015, i pyetur nga gazetarët për themelimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, autori i këtij teksti tha se ajo Gjykatë e mohon Kosovën si shtet juridik, duke e shpallur atë të paaftë të përballet me të vërtetat për vetveten. Dhe shtoi se gjithë ata që e përkrahin themelimin e kësaj Gjykate, e dëmtojnë rëndë vlerën tonë më të shenjtë që kemi – UÇK-në dhe, bëjnë llogari të gabuara nëse nisen nga bindja se atje do përfundojnë të tjerët e jo ata vetë.

Por sidoqoftë, kjo gjykatë u themelua dhe është e kot tani të tregosh se kush atë e kundërshtoi e kush bëri çmos që ajo të themelohej, madje duke i quajtur antiatdhetarë ata që e kundërshtonin themelimin e saj.

Sigal

Sidoqoftë pra kjo gjykatë u themelua dhe u bë mirë që u organizua ‘Marshi për drejtësi’ që kishte për qëllim t’i dëshmojë botës së në Hagë gjykohet pafajësia e viktimës dhe liridashuria e shqiptarëve.

Por për të qenë të drejtë ndaj vetvetes dhe përpara gjithë botës duhet pranuar se ky marsh është i vonuar plotë 6 vite, se ai duhej të organizohej ato ditë kur bëhej presion mbi deputetët e kuvendit të Kosovës që ta miratonin themelimin e kësaj Gjykate.

Siç duhet pranuar se ne assesi ta kuptojmë se e vërteta që është më e vërtetë se gjithë të vërtetat ka të bëjë me atë se betejën e fiton ai që reagon atëherë kur duhet, ai që e di se gjelat që këndojnë herët mund të përfundojnë edhe në tepsinë e mish-orizit, por ata që këndojnë vonë nuk zgjojnë thuajse askënd.

Ashtu siç duhet të themi hapur se ne e dimë që i forti ka gjykata, të cilat të gjithë i barazojnë në fajësi si dhe, se drejtësia e tij rrëshqet nëpër pamundësinë e të dobëtit që t’i mbrojë të vërtetat për vetveten, por s’kemi si i kundërvihemi kësaj dukurie, që mbijeton shekuj me radhë.