Elida BUÇPAPAJ/ “Çfarë do zonja Buçpapaj këtu?” – mu hakërrua Arben Imami në mes të parlamentit!

1222
Sigal

Sa herë vjen dhjetori prej çerek shekulli fillon retorika e atyre që vuajnë nga sindromi i kultit të individit duke e mbajtur veten si përmbysësit e diktaturës. I kanë të gjitha mjetet për ta bërë. Sidomos kur dërdëllitjet e tyre bien në veshin e shurdhër të popullit shqiptar. Pardesytë e Bardha që shërbyen deri në minutën e fundit si elita e superstrukturës komuniste, si gazetarë, pedagogë, zyrtarë të lartë, mjekë, me një skenar preciz të studiuar më së miri nga diktatori i fundit Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit, i përdorën studentët e dhjetorit dhe protestat mbarëpopullore për të uzurpuar pushtetin politik. Ata ishin thirrur atë dhjetor me qëllim nxjerrjen jashtë loje të studentëve dhe për ta kthyer zemëratën e uraganit popullor në energji të djegur dhe të padëmshme për nomenklaturën. Sepse nuk ishin problemi studentët. Problemi ishte populli. Studentët bëheshin disa mijëra, ndërsa populli ishte qindra mijë. Populli ishte ai që e priti Sekretarin e Shtetit James A. Baker i 3-të në Sheshin Skënderbe. Le t’i kujtojmë disa emra duke nisur nga Sali Berisha, mjek, sekretar partie që kujdesej për shëndetin e nomenklaturës më të lartë komuniste. Le të vazhdojmë me Eduard Selamin, pedagog i estetikës marksiste leniniste, Preç Zogaj nga gazetar tek Zëri i Rinisë në selinë e KQPPSH drejtor redaksie në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri; Besnik Mustafai, kishte punuar në zyrat e Nexhmije Hoxhës me Fatos Nanon, ashtu si Arben Imami me Edi Ramën dhe të gjithë së bashku me Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Tritan Shehu, Genc Pollo etj, të gjithë këta nuk kishin vuajtur asnjë grimë nga diktatura, përkundrazi kishin qenë të përkëdhelurit e saj. Po si është e mundur që të përkëdhelurit e diktaturës, të jenë prej çerek shekulli edhe kupola politike e një sistemi tjetër politik? A e uzurpuan ata pluralizmin në Shqipëri për të konvertuar sistemin nga diktatorial në gjoja demokratik? Përse nuk e konvertuan të paktën Shqipërinë në një demokraci normale?

Sepse nëse do ta bënin, do t‘u duhej të largoheshin nga skena politike, por ata nuk e lëshojnë pushtetin politik me asnjë kusht. Mendoni sa e trishtë, për fëmijët që ishin 10 vjeç në fillim të viteve `90 e sot janë 35 vjeçarë dhe përsëri kanë mbi krye të njëjtët njerëz. Për çerek shekulli tranzicion, universitetet më të mira të botës kanë nxjerrë gjenerata të rinjsh shqiptarë të kualifikuar, me kompetenca në fusha të ndryshme, njerëz të rinj me integritet, për të cilët ka nevojë Shqipëria por të cilët s’kanë vend në Shqipëri. Sepse kupola e mban të uzurpuar pushtetin politik, ekonomik dhe mediatik. Duke mbajtur peng demokracinë shqiptare dhe shqiptarët! Ne nuk ishim kundër tyre. Vijojnë të jenë ata kundër nesh. Ne nuk thoshim përse ata të jenë në PD, sepse ne mendonim se çdo kush ka të drejtë të konvertohet dhe të ndryshojë, bile edhe kriminelët pendohen dhe kërkojnë ndjesë. Ndërsa ata ishin kategorikisht kundër nesh, dhe kur them kundër nesh, kam parasysh të gjithë elitën e re, përfshi të persekutuarit, klasën e pronarëve dhe intelektualët e ndershëm pa dallime politike. Të gjithë emrat që kam përmendur më sipër dështuan sepse e zëvendësuan veten me nomenklaturën e matufëve të byrosë politike dhe nuk i dhanë rinisë vendin e denjë për të jetuar. Duke u nisur nga takimi që patën tek “Opinion” katërshja Zheji, Imami, Zogaj dhe Bushati, po i kujtoj Arben Imamit një ngjarje ndodhur në vitin 1994. Salla e Parlamentit të Shqipërisë ishte plot e përplot me të ftuar e gazetarë për të përcjellë mocionin e mosbesimit nga Partia Aleanca Demokratike e Arben Imamit, Preç Zogajt dhe Neritan Cekajt kundër Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Skënder Buçpapaj, të cilin e kishin thirrur në interpelancë, sepse Televizioni i Shqipërisë përmes një komenti të tij kishte denoncuar vizitën e delegacionit të kësaj partie në Beograd, në kohën e kulmit të kasaphanave të Millosheviçit në Bosnjë, kur Sarajeva vazhdonte të ishte e rrethuar dhe represioni antishqiptar në Kosovë ishte në kulmin e tij. Dhe ndërsa në sallën e Parlamentit të Shqipërisë vijonte arroganca e krerëve të Aleancës Demokratike, ngrihet Arben Imami dhe duke treguar me gisht nga lozha ku isha ulur më hakërrehet: E çfarë do zonja Buçpapaj aty!”. Hakërrimi i tij ishte skandaloz i mbushur gjithë mllef dhe urrejtje klasore!
Unë kisha të drejtë të isha në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Së pari, sepse ai parlament ishte i një vendi që pretendonte se ishte demokratik. Së dyti, kisha të drejtë të isha aty si gazetare. Kisha filluar të botoja komentet e para ku kërkoja hapjen e dosjeve dhe largimin e spiunëve që në vitin 1991; prej marsit deri në tetor të 1992 kisha kontribuar në Radion Zëri i Amerikës dhe kur Arben Imami më hakërrehej nga salla e parlamentit të Shqipërisë punoja si redaktore tek Zëri i Rinisë dhe freelancer tek gazeta Republika ku Ylli Rakipi m’i botonte shkrimet e mia në faqen e parë. Asaj dite kisha shkuar në parlament si bashkëshortja e kreut të RTSH. Dhe kjo ishte e drejta ime.

Por Arben Imami and Co nuk pranonte assesi që Drejtor i Përgjithshëm i RTSH të ishte Skënder Buçpapaj dhe që gruaja e tij të mund të punonte si gazetare, profesion që e kisha nisur vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Arben Imami ishte njëri nga pedagogët që shoqëruan studentët në takimin e dhjetorit me Ramiz Alinë. Ai përfshihet me deus ex machina dhe zgjidhet deputet i PD në zgjedhjet e 1991 dhe 1992. Më 1992 Arben Imami shkëputet nga PD me grupin e mocionistave dhe bashkë me Cekën, Zogajn e disa të tjerë formojnë Partinë Aleanca Demokratike në opozitë me PD. Në vitin 1997 merr pjesë aktive në rrëzimin e qeverisë Berisha. Më 1997 Aleanca Demokratike hyn në aleancë me PS dhe gjatë qeverisjes socialiste Arben Imami ndërron tre portofole ministrash. Në zgjedhjet e 2005 kalon në krahun e Berishës dhe pa marrë parasysh se ishte një nga kundërshtarët e tij më të egër të vitit 1996-1997 ai emërohet prej Berishës si shef i kabinetit kryeministror, ndërsa në mandatin e dytë të Berishës ka portofolin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe aktualisht është deputet i PD-së! Pra prej 1991 deri sot Arben Imami është pjesë e kupolës. Cilat kanë qenë meritat e tij? Për çfarë mund të krenohet? Ai dhe të tjerët e kupolës? Se janë trashëgimtarët e rrugës që i drejtoi Ramiz Alia. Ata kanë çerek shekulli si uzurpatorë të pushtetit politik, ndërsa vazhdojnë të na çajnë dërrasa dhe na bëjnë moral, krejtësisht të zhveshur nga morali, krejtësisht të dalë boje, krejtësisht të shterur, duke mos u bërë syri tërr sepse u mungon ndërgjegjja.