Kastriot Myftaraj/ Ndryshimi midis 21 janarit 2011 dhe 14 shtatorit 1998

875
Sigal

14 shtatori 1998 ishte një sulm i organizuar kundër selisë së Kryeministrisë, por ndryshimi i parë thelbësor nga dy rastet e tjera të historisë së shtetit shqiptar që i kam përmendur në shënimin e mëparshëm është se në 14 shtator selia e Kryeministrisë ishte braktisur nga Kryeministri dhe atje nuk gjendej asnjë ministër. Në rastin e sulmit të vitit 1922, që ishte një sulm ndaj qeverisë të dalë nga ata që bënë Kongresin e Lushnjës (A ka ndonjëri kundërshtim për këtë grupim politik?) Kryeministri e braktisi gjithashtu selinë,por e mbrojti ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu. Kjo ishte arsyeja kryesore që Zogu u bë Kryeministër atë vit.

Por ndryshimi kryesor mes 14 shtatorit dhe 21 janarit është se sulmi i 14 shtatorit erdhi pasi oficerë të Policisë së Shtetit me automjete policie bënë një atentat në hyrje të partisë kryesore të opozitës. Ishte përgjegjësi e qeverisë që këta banditë gjendeshin në Policinë e Shtetit. Në rast se oficerë të Policisë në kohën kur PD ishte në pushtet do të vrisnin një lider të PS-së te dera e selisë, çfarë do të kishte bërë PS-ja? Shteti e humb të drejtën të flasë për grusht shteti, kur oficerët e tij vrasin siç vranë në 12 shtator para selisë së PD-së. Madje, shteti i mbrojti vrasësit në fillim, se ministri i Punëve të Brendshme doli dhe tha se, Jaho Salihi ka qenë në shtëpi në Tropojë dhe jo në Tiranë dhe pretendoi se këtë e kishte verifikuar, gjë që më pas doli gënjeshtër. Perikli Teta mbante ditar të hollësishëm kur ishte ministër dhe këtë ia kërkuan madje, edhe Prokurorët në gjyqin e 14 shtatorit, çfarë u bë me ditarin se Perikliu ka vdekur sot? Është e vërtetë se ata që vranë Azem Hajdarin kishin motive jopolitike, por shteti është i implikuar se, megjithëse, SHIK kishte bërë njoftim se, donin të vrisnin Azem Hajdarin, gjë që e ka pohuar Fatos Klosi publikisht, shteti e mbajti në detyrë Jaho Salihin dhe grupin e banditëve të komisariatit të Tropojës që erdhën në Tiranë. Fatmir Haklaj, i cili ishte në kërkim për vrasjen e një oficeri, mundi të vinte në Tiranë me makina policie, në sajë të Jaho Salihit.
Pastaj si dolën tanket në shesh 14 shtator, kur ushtria mund të dilte në rrugë vetëm me ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme që PS e shfuqizoi me të ardhur në pushtet në 1997? E njëjta gjë vlen dhe për tanket e Gardës. Thonë se u rrëmbyen tanket, por me ligj nuk duhet të kishte tanke në rrugë se nuk kishte gjendje të jashtëzakonshme. E nëse qytetarët i rrëmbyen tanket, kanë qenë këta në anën e ligjit.
Në 21 janar 2011 opozita kishte vetëm një kauzë për të bërë një demonstratë të dhunshme, për të cilën vetë PS tha se mund të dilte jashtë kontrollit dhe nuk mbante përgjegjësi. Kjo kauzë ishte videoja dhe blloku i Ilir Metës. Por Ilir Meta kishte dhënë dorëheqjen një javë para demonstratës, pra tashmë opozita kishte punë me Prokurorinë jo me qeverinë. Sa për deklaratën e Edi Ramës në 20 janar ajo është me zë dhe me figurë, kërkojani Sokol Ballës ta ritransmetojë se duan ta zhdukin. Edi Rama në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, në mbrëmjen e 20 janarit 2011 tha:
“Do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike. Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte”.
Është e qartë se me deklaratën televizive të 20 janarit, Edi Rama praktikisht dha urdhrin e sulmit ndaj selisë së Këshillit të Ministrave, si dhe i dha një ultimatum Kryeministrit Berisha. Berishës iu tha praktikisht, me gjuhën më të hapur të mundshme që mund të fliste kryetari i opozitës në televizor, se nëse nuk do të kishte dhënë dorëheqjen deri në momentin që do të fillonte demonstrata (“zgjidhje politike”), atëherë duhet ta mbushte vendin me kufoma që të mund të qëndronte në selinë e Këshillit të Ministrave, se do të sulmohej dhe për të dalë andej pastaj do t’i duhej të shkelte në kufoma. Natyrisht se më hapur se ç’foli, Edi Rama nuk mund t’ia kumtonte Kryeministrit këtë gjë. Nëse Berisha do të kishte folur kështu një ditë para 14 shtatorit me siguri që do ta kishin arrestuar që në 14 shtator në mbrëmje duke e konsideruar arrestim në kushtet e flagrancës.
Unë nuk besoj të vërtetësia e videos së Ilir Metës se ky i fundit është një politikan me shumë përvojë dhe nuk mund të bënte pazare në atë mënyrë aq të trashë. Më tepër besoj se Ilir Meta po i përcillte një ministri të partisë së tij ankesa të biznesmenëve, gjë që e bëjnë shumë politikanë në botë, madje e ka bërë dhe Edi Rama te libri i tij, kur flet për kohën kur ka qenë kryetar bashkie dhe ministër. Edi Rama thotë te libri se kur ishte ministër Kulture i dha grupit mediatik “Klan” ndërtesën e palestrës pas stadiumit “Qemal Stafa”. Atje u ngrit një pallat me 20 e ca kate. Kush kushton më tepër hidrocentrali i supozuar për të cilin fliste videoja e Ilir Metës, apo ky pallat në mes të Tiranës? A kemi nevojë ta kemi të regjistruar në video bisedën që ka bërë Edi Rama në këtë rast kur pohon vetë siç thashë më sipër.
Në 21 janar u bë një sulm i organizuar për të thyer së pari rezistencën e policisë që turma të ballafaqohej drejtpërdrejt me Gardën që ishte njësi e armatosur dhe nuk mund të përdorte veçse armët për mbrojtje. Përdorimi i gazit lotsjellës erdhi pasi Policia u hutua shumë nga goditjet me hunj të grupeve sulmuese që u pajisen me hunj të prerë në një masë te ndërmarrjet bashkiake pas Bashkisë. Në 21 janar u kërkua të thyhet rezistenca e mbrojtjes së selisë së qeverisë dhe të eliminohen me një goditje Berisha, Meta dhe Basha.
Për mendimin tim personal Berisha duhet të kishte bërë zgjedhje të parakohshme qëkurse Meta dha dorëheqjen si zëvendëskryeministër dhe t’i hiqte PS-së mundësinë e përdorimit të LSI-së si aleat. Por obsesioni i pushtetit nuk e la Berishën të luajë si politikan me përvojë. 21 janari është një dramë e përgjakshme që erdhi nga etja për pushtet e dy njerëzve: Ramës që kërkonte të eliminonte me një goditje tre lojtarët më të rëndësishëm politikë kundërshtarë dhe Berishës që nuk sakrifikonte asnjë minutë pushtet për një manovër politike që do ta kthente situatën kundër Edi Ramës.