Janusz Bugajski/ Një vit me rreziqe të sigurisë

588
Sigal

Siguria globale mund të rritet ndjeshëm gjatë 2014-s. Mirëpo, ka një rrezik për destabilitet më të madh në disa rajone kyçe. Dy mundësi shtrihen para fuqive ndërkombëtare: shfryrja e konflikteve dhe parandalimi i emergjencave të reja.

Siria dhe Irani hyjnë në kategorinë e parë. Lufta civile siriane po hyn në një fazë vendimtare. Mbasi u angazhua të shkatërronte arsenalin kimik, Presidenti Asad ndihet më i fortë në shkatërrimin e forcave rebele. Me gjithë thirrjet kundër abuzimeve me të drejtat e njeriut, Uashingtoni dhe Brukseli pas gjase kanë për të pranuar në heshtje fitoren e Asadit. Alternativa ndaj Asadit do të ishte kolapsi i shtetit ose marrja e kontrollit nga militantët islamistë. Të dy këto skenarë do të turbullonin rëndë fqinjët arabë të Sirisë. Irani luhatet mes të qenit një aktor konstruktiv ose provokimit të një gare rajonale për armë. Teherani kreu një hap madhor në nëntor, kur nënshkroi një marrëveshje për t’i vënë fre programit bërthamor në këmbim të zbutjes së sanksioneve ndërkombëtare. Mirëpo, Irani mund të llogarisë se thjesht mund të shtyjë projektin bërthamor teksa sanksionet hiqen. Në skenarin më të keq, e gjithë marrëveshja iraniane bie. Atëherë, ne do të dëshmonim një spirale destabiliteti me një garë në rritje për armë në rajon. Stabiliteti i Lindjes së Mesme do të cenohej.

Fuqitë ndërkombëtare, duhet të fokusohen gjithashtu mbi spazmat rajonale, nga Europa Lindore në Lindjen e Largët. Trazira e Ukrainës kërcënon të çajë vendin më dysh, sidomos nëse Rusia ndërhyn për të ndihmuar regjimin aktual ose nxit separatizmin në gjirin e rusëve.

Federata ruse po hyn në një fazë tejet të pastabilizuar. Një përzierjeje e stanjacionit ekonomik, pakënaqësisë rajonale dhe turbullirave sociale ka për të minuar autoritetin e Putinit. Po aq ogurzeza, sulmet terroriste në prag të Olimpiadës Dimërore tregojnë se siguria e brendshme ndoshta po kriset.

Në Azinë Lindore, Kina po vijon të tregojë muskujt ushtarak dhe po sfidon Japoninë dhe Korenë e Jugut për supremaci rajonale. Ç’është dhe më e rrezikshme, regjimi luftënxitës i Koresë së Veriut mund të kryejë një sulm ndaj fqinjit jugor nëse përballet me kolaps ekonomik apo luftë të brendshme pushteti. Ndërsa Uashingtoni ka për të kërkuar partnerë diplomatikë për të zgjidhur problemet që s’i zgjidhë dot me ndërhyrjet ushtarake, rreziqet ndaj sigurisë globale mund të shtohen me shpejtësi. Dhe diplomacia mund të jetë e pamjaftueshme ndaj kundërshtarëve të vendosur.