Kastriot Caka: Mikpritja dhe zakonet skraparase, thesar i ruajtur në vite

Kastriot Caka

Skrapari ka qënë gjithmonë prej kohësh mikpritës e bujarë. Ata në të shumtën e vitit, ushqeheshin me bukë gatuar përgjysëm me krunde, por kur vinte miku gatuanin gjellët më të mira e tërhollnin byreqe e bakllava me miell të situr. Për mysafirin, apo udhëtarin rezervoheshin gjithmonë gjërat më të mira. Jo vetëm kaq, por nëse në një familje vinte një mysafir, i zoti i shtëpisë për të nderuar atë, thërriste në shtëpi mbi 4-5 burra nga gjaku i tij dhe vazhdonte muhabeti deri vonë me këngë e dolli. Udhëtarin që kthehej për një gotë ujë, e gostisnin me dhallë dhe raki. Kur dikush thërriste në emër të të zotit të shtëpisë edhe fëmija më i vogël, që ndodhej në shtëpi, përgjigjej: “Urdhëroni brënda”. Skraparasit kishin unitet. Ata nuk grindeshin me njëri tjetrin. Bashkimi ishte elementi kryesor që i nxirrte ata fitues në çdo përpjekje apo luftë që angazhoheshin. Në çdo situatë lufte ata rrëmbenin pushkët dhe bashkoheshin në një front. Skraparasit kanë patur shumë zakone të mira, duke mos përjashtuar edhe ndonjë zakon të keq. P.sh, lindja e njeriut ishte festa më e madhe për çdo familje, veç duhet theksuar një ndryshim siç ndodhte për tërë shqiptarët. Darkë e madhe bëhej kur lindte djalë, ndërsa për vajzën mjaftonte një urim “Të rrojë” Darka organizohej me një ceremoni të veçantë kur i vihej emri djalit. Ku e kishte burimin ky dallim. Pse të çmohej kaq shumë djali para vajzës? Një karakteristikë tjetër ka qënë dhe mbajtja e gruas brënda katër mureve të shtëpisë.  Djali bëhej çoban i zoti, kurse vajza vetëm një nikoqire e mirë. Djali i mbillte dhe i korrte arat dhe çonte bereqetin në mulli, kurse vajza përpunonte leshin, prodhimet e bagëtive dhe të tokës. Djemtë rriteshin për të rrëmbyer krrabën, parmëndën dhe pushkën, kurse vajzat përgatiteshin për të shkuar në derën e botës. Kjo ndodhte më shumë në zonat që konsideroheshin të egra si në fshatrat Kapinovë, Backë, Krastë, Staraveckë, siç e quanin “Kolli i Sipërm”. Kjo ndodhte edhe për kushtet e varfërisë ekstreme të asaj kohe. Por me kalimin e kohës jeta fillojë të ndryshonte, ceremonitë po kryeshin njëlloj si për djalin dhe për vajzën, ishin të thjeshta e kursimtare.  Etapat e fejesës ishin këto: Mblesi i futur nga djali gjen nusen, prindërit e të rinjëve jepnin fjalën, shkëmbeheshin nishanet, pihej sherbeti një i kuq dhe një i bardhë, As djali as vajza se njihnin njëri tjetrin, deri ditën që martoheshin, veç ndonjë rasti të rrallë kur djali e shikonte vjedhurazi. Dasma ka mbetur në kujtesën e skraparasit dhe sidomos në zonat më të thella si hall i madh, sepse në dasëm sidomos të djalit harxhet arrinin kulmin edhe pse ishin familje të varfëra. Ata detyroheshin të shisnin kaun apo mushkën e vetme, shiste tokën apo bagëtinë vetëm që të bënte një dasëm të vërtetë, ku era e mishit të ngrihej deri larg e rakia të derdhej lumë që dasmorët të kënaqeshin e të tregonin nesër se çfarë dasëm të madhe bëri filani. Por dasma nga ana ekonomike ishte shumë e dëmshme dhe për dasmorët, të cilët duhej të vinin me bakllava, byrek e mishra.

NOA

Dasma kalonte nëpër këto etapa:- Darka e dhëndrrit,  caktimi i krushqve, selamazit dhe nisja e tyre. Rruarja e dhëndërrit në lëmë.  Dhëndrri me dy djem hanë kulaçin me zëmrën e kurbanit në vëndin ku do nusëroj nusja. Pastaj zbritja e nuses me ceremoni, darka për gjithë dasmorët  mbyllja e dhëndrrit, darka e kurbanit. Sejcila nga këto etapa ka një ceremoni të veçantë dhe të bujshme. Këtë dasëm të madhe dhëndrri do ta ndjejë tërë jetën duke filluar që dy ditë pas dasmës, ku shumë dhëndurrë marrin rrugët për të gjetur punë qyteteve që të ushqejnë nusen, vehten dhe fëmijët që do lindin. Zakon ka qënë në atë kohë që djemtë nuk ndaheshin me njëri tjetrin sa kohë që ishin gjallë prindërit . Skraparassit mikun e quajnë perëndi, e respektojnë dhe i shtrojnë bukë në sofër edhe kur sofra nuk është e pasur, ashtu si e përshkruan Naim Frashëri mikun tek vepra poetike “Bagëti e bujqësia”

Edhe jashtë fryn e bie, po kur na trokëllin dera!

Është një udhëtar i gjorë që ka  mbetur në dëborë!

I kanë ngrirë të mjerit vesh e gojë, e këmbë e dorë!

Ngrihet i zoti i shtëpisë edhe të huajtin e merr,

e vë në krye të vatrës me njerëzi, me të math nder.

Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,

se të huajë më derë na e dërgon Perëndia.

Pa i bëjnë zjarr e ngrohet, edhe mbajnë me të mirë,

i sjellin shtresë të flerë edhe të ngrënë e të pirë…

Kështu të huajtë e miqtë njeriu që është i uruar

i pret me kraharor hapur e i përcjell të gëzuar.

Pra mikpritja dhe zakoni, jo vetëm për skraparasit dhe shqiptarët, por ekziston në gjithë botën.

Ishte ajo kohë që skraparasit e mbanin fort vëndin e tyre, nuk e braktisnin kurrë sado që ishte një vënd i varfër, sepse në kohra të largëta ata u përballën me vdekjen përballë armiqve të shumtë dhe të fuqishëm dhe këtë vënd nuk e lëshuan kurrë. Po sot? Sot mikpritja është fashitur, është shumë larg asaj që përshkruan aq bukur poeti i madh Bajroni, për shqiptarët dhe Shqipërinë.