Abi MALLTEZI
Import plehrash me shumicë – a i meritojmë? Lajmet e djeshme tregojnë shumë për importin e plehrave, korrupsionin e shfrenuar dhe anti ligjshmërinë.
1– Tirana hyn në një mega-aferë të dyshimtë 130 milionë euro dhe pa plan, pa vlerësim mjedisor dhe me 6-fishin e sasisë së mbetjeve që prodhon. Pra, merr taksat tona për të ndërtuar një djegës që do ketë nevojë 6-fishin e mbetjeve të Tiranës për të përlarë më shumë fonde publike (kinse çdo qytetar i Tiranës prodhon mbetje sa 6 Parizienë!) ose të hapë tregun për mbetje importi se po falimenton i shkreti!!!
2– Çmimi për ton që do duhet të paguajmë të gjithë; të majtë e të djathtë, do jetë 29 euro pa TVSH ose 37 euro me TVSH, i cili tregon qartas aferë të rëndë pasi Ricikluesit shqiptarë mund ta kryenin procesin shumë më lirë, me kosto që do uleshin, krahasuar me sot. Sa për dijeni; shumë qytete kanë probleme me pagesa shumë herë më të ulëta për trajtimin e mbetjeve, psh: Saranda e ka veç 8 euro për ton por, edhe ky çmim nuk po realizohet dot me para publike dhe ka shumë hedhje mbeturinash, kuturu. Këta qerratallarët e Tiranës po fusin duart edhe në buxhet të shtetit për 10 vitet e ardhshme, derisa të japin fitim mbi 130 milionë euro Edvinit me bandën e tij, pa u konsultuar me askënd, pa përfshirë Ricikluesit dhe disa fish më shtrenjtë se gjetkë.
3– Në Shijak, sapo u krijua një kompani e dyshimtë që në objektiv ka Shkeljen e ligjit por, kjo nuk i vret sytë pushtave të shtetit. Sot që flasim importi i mbetjeve është i ndaluar por, kjo kompania me emrin “Jamarber Group” ka deklaruar haptas, se ka për qëllim import-eksportin e mbetjeve spitalore!!! Mbetjet spitalore janë baraz me përkufizim mbetje të rrezikshme, importi i çdo mbetjje është i ndaluar, ndërsa këta miratojnë edhe në QKR edhe në Bashkinë e Shijakut ANTI-ligjin, pra IMPORTIN e mbetjeve te rrezikshme!!! Në një shtet ligjor do ndalohej regjistrimi i një kompanie që ka si objektiv aktivitete që bien ndesh me ligjin por, në këtë katrahurë të Edvinit ca qerratallarë të Olsit i paraprijnë ligjit se e dinë që do e ndryshojnë dhe nuk i bëhet vonë për askënd pasi i blenë. A i meritojmë plehrat, përfshi ato të rrezikshmet?


















