Varfëria i çon njerëzit tek Gabi

756
Bardhyl BERBERI 
Të gjithë e njohin emrin Gabi. Dhe ky treg masiv është nga më të frekuentuarit. Një zë i lodhur gruaje thërret tek zona industriale e qytetit, atje ku është vendosur Gabi, vendi ku shiten rrobat e përdorura. Grumbuj të mëdhej njerëzish rrëmojnë në pirgun e rrobave të përdorura, të vendosura në tokë mbi disa mushama ushtarake…Por tashmë Gabin nuk e gjen vetëm tek vendi i caktuar. Tek rruga e spitalit apo qoshe të tjera kyçe të qytetit shikon rrobat e Gabit. Në fakt nuk është e domosdoshme që të thërrasësh, pasi njerëz të moshave të ndryshme vijnë aty dhe mbushin çantat me rroba të përdorura. Një grua e varfër ka marrë tre fëmijët e saj dhe i vesh me rroba tek Gabi duke filluar që nga çanta e shkollës e përdorur deri tek rrobat e tjera. Dikush bën ironi, janë rroba prej të vdekuri që familjet e huaja i falin… Por askush nuk i kthen përgjigje. Ne, thotë Landi, kemi klientë të përhershëm, madje edhe njerëz me pozitë që na vijnë në shtëpi dhe i kontrollojnë thasët, se këtu iu vjen turp. Është një fakt, thotë Landi, se sa më shumë varfërohen njerëzit, aq më tepër na shtohet puna. I them Landit, na thuaj disa emra të VIP-ave. – E kam sekret, thotë ai, se, nëse do të jap emrat dhe ti i shkruan në gazetë ata nuk më vijnë më. Ja shikoje këtë kostum është “Pierr Karden” nuk është i ri, por unë e jap për 2000 lekë të reja, ndërsa në butiqet është 500 euro… Por shumica e klientëve janë pensionistë dhe persona që jetojnë me ndihmë ekonomike apo me të ardhura minimale. Zakonisht, thotë Landi vijnë gratë e personave të njohur publikë dhe blejnë për vete, për burrat dhe fëmijët. Ata që vijnë këtu janë nga të dy krahët. Por më shumë janë të varfërit -Jo, thotë një zonjë e ngrehur, vetëm këtu është e sigurt se rrobat që vijnë nga jashtë shtetit janë firmato. Këto bluza dhe kostume që shiten në dyqanet tona janë false, të prodhuara në Turqi apo gjetkë. Mes pirgut të rrobave shikon shumë vajza të bukura gjimnaziste apo studente që rrëmojnë rroba mes pirgjeve të mëdha për të gjetur rroba sipas shijeve të tyre, që nesër ndonjëra prej këtyre bukurosheve mund të kurorëzohet MIS. Dikur Gabi ishte vetëm i romëve, por sot ky treg është kthyer heterogjen. Sot aty punon kushdo, mjafton të fitosh bukën e gojës, thotë Landi. Ja vetëm me paret që kam fituar këtë vit unë do të blej një shtëpi …Tregtarët e Gabit janë të bardhë e të zinj, analfabetë me pak klasë, por dhe të diplomuar, të cilët luftojnë për bukën e gojës. Aty gjen gjithçka; që nga të brendshmet e rrobat e banjës deri tek palltot dhe xhupat e dimrit. Evropianët, thotë Bedriu, kanë shumë rroba dhe duket se këta njerëz të kamur nuk mendojnë vetëm për vete. Malli më i mirë vjen nga Gjermani dhe Italia. Malli transportohet me trena dhe më pas, nëpërmjet tragetit, vjen në Shqipëri. Është fakt se evropianët zengjinë, thotë Bedriu, iu është lodhur syri me gardërobën me rrobat e tyre dhe e ndërrojnë atë, duke i sjellë rrobat në Shqipëri. Prej gati 25 vjetësh lulëzon tregu i Gabit dhe ai ka zigzaget e tija, por, falë krizës dhe varfërisë, ai po kapitullon shumë butiqe të shtrenjta… Blerësit në fillim ishin pak të sikletosur, por tashmë atyre nuk iu dridhet syri dhe shkojnë tek Gabi dhe zgjedhin rroba të lira të firmave më prestigjioze tek zonat e përcaktuara që tashmë janë bërë legjitime për gjithë tregtarët e Gabit në të gjitha qytetet e Shqipërisë. “Varfëria është maskarallëk”, thotë një pensionist që dikur ka qenë zyrtar i lartë. Ai kërkon një palë këpucë me qafë mes pirgut të mallrave të përdorura. “Më duhen për dimër, thotë, dhe ai është tek dera me shiun dhe borën, pas pak muajsh”
Sigal