Këto fjalë sa “bombë” aq “shashkë”shqiptoi kryeministri ynë Edi Rama këto ditë në dalldinë e mjegullt që ka shkaktuar arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj. Natyrshëm është gjë e rëndë, tepër tronditëse që të dëgjosh lajmin “U arrestua kryetari i Bashksië së Tiranës!” Kjo, mbasi dihet se Tirana është një metropol ku banojnë dhe jetojnë rreth 70% të shqiptarëve, ”ku militojnë” mbi 90% të të huajve nga 18 kombësi të globit, që ‘janë integruar’ në Shqipëri si rezultat i politikave të S.Berishës dhe E.Ramës, apo edhe detyrave që kanë vënë të mëdhenjtë e Europës dhe posaçërisht ata të Amerikës. I asaj Tirane që ka derdhur gjak për të qenë e lirë, që drejtoi furishëm ecurinë ndërtuese komplekse socialiste për 45 vjet, që ka pritur e përcjellë tiranë e hipokritë, që ka rritur e ngritur udhëheqësa e banditë dhe që tani për 35 vjet po jeton’baletin e bukur të balenave’, që luajnë mjeshtërisht fuqitë e mëdha ndaj Shqipërisë sonë të vogël dhe ‘serfin e delfinëve servilë’ shqiptarë. Prandaj kemi të drejtë ne banorët e ndershëm që të shqetësohemi, të nxehemi, të mallkojmë apo edhe, pse jashtë edukatës, të shajmë. Fjalët po krijojnë male me thashetheme, të cilat janë mjegullnajë për të këqijtë, armiqtë dhe miqtë e rremë. Ajo që është bërë shqetësuese është fakti që nuk janë pak ata politikanë që vjellin e vjellin lloj-soj gjepurash, fjalë e ide fyese, sajesa, hamendësime të kthyer në ‘fakte’, gënjeshtra të mahnitshme, që gati sa nuk e mbysin të vërtetën. Akoma nuk ka folur ai që e arrestoi: organi ligjor! Le të presim, more të uruar! Z.Erjon është këtu e nuk largohet dot, edhe po të dojë. Ai, kryetari i bashkisë, është i hapur, i vetdeklaruar dhe i mbrojtur ligjërisht. Përse bini pre e të panjohurës, e banales dhe asaj që quhet rrugaçëri dhe antishqiptarizëm?
Por disa kryetarë i gënjen mendja se “populli nuk merr vesh! Është turmë!”Shqiptari i vërtetë të jep ujë në bisht të lugës po ç’e do se”i ka zënë rrota bishtin”! Ai, Edi Rama, akoma nuk e ka kuptuar se është bërë si uji që kur rri në vend qelbet. Akoma nuk e sheh se tenxherja e mashtrimeve të tij po derdhet. Se evaziviteti i fjalive të tij, antishqiptarizmi i veprave të tij si turizmomania, shkatërrimi i tërë çkaje komuniste dhe tok me to edhe shumëçka të mirëfilltë shqiptare, duke nisur nga ekonomia, gjuha, kombi, tradita, kultura, arsimi, mbrojtja, historia- i kanë sjellë fundin e karrierës si kryetar qeverie?
Para ca kohësh tek ne kërkohej nga India një person i përfshirë në vepra penale që Shqipëria e ‘strehonte dhe mbante’ si njeri të ndershëm dhe korrekt. Tani lexojmë se një person që në një shtet të Amerikës vlerësohet si hajdut fondesh, mjeshtër manipulimesh dhe mashtrimesh, vjen këtu në Shqipëri, paguhet rëndshëm dhe prezantohet me ceremoni televizive si kryekonsulent për fushatë zgjedhjesh. Ky lajm ka fare pak ndryshim nga ai që në Shqipëri duhet të grumbullohen mbeturinat toksike të shteteve të tjera, apo nga ai tjetri që të sjellin (dhe qeveria jonë t’i blejë) dy anije energjiprodhuese ‘alternative’ prej Bangladeshi në Vlorë, apo nga ai i katërti që të vijë një paloarkitekt nga një shtet tjetër i cili të projektojë një objekt në mes të Tiranës duke prishur tërësisht ato që janë ndërtuar në kohën e komunizmit. Për të mos folur pastaj për ilaçet e skaduara, ushqimet e kontaminuara, veshmbathjet e dyshimta, makineritë e vjetëruara, që lejohen (madje stimulohen) të hyjnë në vendin tonë deri tek hyrja e tërë llojeve të bizneseve të ndyra që e copëtojnë Shqipërinë e vogël duke e degraduar atë vetëm në vend pelegrinazhi hajdutësh e prostitutash dhe turizmi e aventurizmi. Kësi lloj shembujsh janë me qindra. Kjo sepse dy kryetarët tanë qeveritarë ‘famozë’, i pari S.Berisha të cilit, sado të vërteta që të thotë, i shkon më shumë për shtat cilësori ‘salishpifja’ dhe E.Rama që, sado që t’ia bëjnë qejfin europianët, kur i thonë ‘kryeministër i çuditshëm’, s’është veçse një orator në havadan, që flet lirshëm ca gjuhë të huaja. Duket qartë se të dy janë të ‘stazhionuar’ nga politika dhe të mbrojtur nga mafja ndërkombëtare për të qenë në krye të ecurisë sonë kapitaliste. Ata në pamje duken se hahen e zihen, grihen e shkrihen sa me njëri-tjetrin e sa me vartësit e tyre, sa me miqtë e sa me armiqtë, për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve!? Por kjo është maskë. Për ta është maskë moderne , për ne banorët e thjeshtë është paçavure e vjetëruar. Ç’është ky zell i paparë nga këta dy mashtrues tashmë të kthyer në të zakonshëm, ulur në karrigen e kryetarit, ku njëri shitet si kryekapedan që nuk zbret kurrë nga kali, e tjetri si orator misionar sulltan-zavalli që po mundohen për t’i bërë varrin atdheut tonë? Kush është trim i vërtetë nuk nxjerr nga goja fjalë prej mburracaku apo shpifaraku, por gjen shpejt vendin e tij në rreshtin shoqëror, me guxim e ndershmëri.
Ata të dy, dukshëm,njëri pas tjetrit, janë në garë me njeri-tjetrin se kush e kush të shkatërrojë sa më parë e sa më shumë, sa më thellë Shqipërinë. E këtë e lustrojnë me histerizmin e tyre se po ‘strapacohen për të lulëzuar vendin dhe lumturuar popullin’!? Këta dy persona, që populli iu dha votën dhe iu besoi jetën, nuk arritën që të kthehen në personazhe pozitive për popullin shqiptar. Prandaj të paktën e të paktave duhet t’i heqim nga skena e politikës me votë e me vepra demaskuese se nuk u shua Shqipëria për një kryetar tjetër. E shumta për ta është ndëshkimi sipas ligjeve.